Viktor Hygo: Ja se ç’më tha një grua…

falim aq sa dashurojme viktor hygo

Ja se ç’më tha një grua: -Ia mbatha në një qoshe.
Kisha vajzën në gji. E mjera vogëloshe
Qante, dhe kisha frikë mos dëgjohej ai zë.
Dy muaj s’i kish mbushur, nuk dinte ajo asgjë.
Si mizë, shpirt’ i mamit, aq mundej të vajtojë.
Me të puthura plasa t’ia mbyllja atë gojë.

Atë natë të zezë e shkuam kësisoj.
Prapa një porte mbudhë u fsheha të pushoj.
Ajo çkinjej pa reshtur: bobo! Se ç’po më vdisë!
Donte të pinte, murga, po unë s’kisha sisë,
Shihja pushkët që ndrinin, dhe lotët gërr! rrëké.
Po kërkonin tim shoq që ta vrisnin atje.

Kur, sa filloi të gdhihej, nën portën e tmeruar,
Çupa s’u ndie më. E zeza! kish mbaruar!
I vura dorën: ish e ftohtë, zotëri.
Tani le të më vrisnin, aq më bënte tani.

Me çupëzën në dorë, dola: isha marrosur;
Dikush desh të më fliste, un’ ikja e brengosur,
Por rendja si e marrë as unë s’di se ku.

Me këto duar hapa një gropë, -ububu!
Atje rrëzë një peme te një vënd i vetmuar.
Dhe ëngjëllushkën time atyth e kam mbuluar.
Sa keq ta shtjesh në dhé loçkën e zëmrës, zot!

Edhe babaj, që ndodhej aty, qante me lot.  

Përktheu: Sotir Caci

—————————————–

LEXO EDHE: VIKTOR HYGO: AJO U RRËZUA PA NDJENJA MBI KALLDRËM…

Nga Viktor Hygo

Ajo u rrëzua pa ndjenja mbi kalldrëm. Askush nuk kishte vënë re ende në galerinë e statujave të mbretërve, të skalitura bash nën harkun me qemer të portalit, një spektator të çuditshëm, i cili deri në atë çast kishte vëzhguar me kujdes gjithçka.

Ai qëndronte aq i palëvizur, e kishte zgjatur qafën aq shumë dhe e kishte fytyrën aq të shëmtuar, saqë, po të mos ishte i veshur me rroba gjysmë të kuqe, gjysmë vjollcë, të mund ta merrje për një nga ata përbindësha të gurtë prej grykës së të cilëve derdhin ujë ç’prej gjashtëqind vjetësh ullukët e gjatë të shiut të katedrales.

Syrit të atij spektatori nuk i kishte shpëtuar asgjë nga ato që patën ngjarë përpara portalit të katedrales së Shën Mërisë. Dhe qysh në minutën e parë, pa i rënë në sy askujt, ai kishte lidhur fort te njëra nga shtyllat e galerisë një tërkuzë të trashë e plot me nyje, maja tjetër e së cilës ishte hedhur te shkallët…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU