Lule mbi varr, poezi nga Hygo
Menatë, nesër kur të zbardhet fush’ e shkretë,
Do nisem. Se më pret, e di që jam vonuar;
Do shkonj nga pylli dhe mali i përpjetë;
Më tepër s’mund të pres lark teje i mërguar.
Do të bares me sytë në kujtimet kridhur
Pa par’ asgjë, pa djer’ asnjë shamatë;
I vetëm, i panjohur, krrusur, duarlidhur,
Vrerosur, edhe dita do të bëhet natë.
S’kam për të par’ as perëndimin ar e zjarr
As lundrat me pëlhura tutje në luginë,
Dhe kur t’arrinj, me gjunjë do të vë mbi varr
Një tufë lule borsilok e trendelinë.
Përktheu: Fan Noli
ObserverKult
———————
Kliko edhe:
AUDEN: NJË DËSHMITARE MBI VARR TË USHTARIT TË PANJOHUR
Lexo edhe:
W.H.AUDEN: OH, MA THONI TË VËRTETËN RRETH DASHURISË
Oh, ma thoni të vërtetën rreth dashurisë, poezi nga Wystan Hugh Auden
Disa thonë se dashuria është si fëmijë,
të tjerë thonë se me një zog ngjan ajo,
disa thonë se botën rrotull e sjell,
të tjerë thonë absurde është kjo,
e kur e pyeta fqinjin që ngjitur meje banon,
që dukej se dashurinë e kishte provuar,
gruaja e tij shtrembër pa,
e tha se s’kishte asgjë për të treguar.
A mos me një palë pizhama përngjan,
apo me proshutën që në bar varur qëndron?
A mos era e saj të kujton një lamë,
apo më këndshëm erëmon?
Nëse e prek, si një gjemb, a të shpon ajo,
apo si puplat, i ngjan butësisë?
Cepat i ka të mprehta, të lëmuara, apo jo?
Oh, ma thoni të vërtetën rreth dashurisë.
Librat tanë të historisë flasin për të,
me kode të fshehura kudo,
por temë e zakonshme është tashmë
në anijet transatlantike, e ngado;
E kam shikuar të përmendet jo rrallë
në shpallje që për vetëvrasje njoftojnë.
Madje, të shkarravitur e kam parë
në fletët që oraret e trenave lajmërojnë.
Poezinë e plotë e gjeni KETU
ObserverKult