Vincent van Gogh, artisti që shiti vetëm një pikturë sa ishte gjallë

I lindur në mars të vitit 1853 në një familje tregtarësh arti dhe predikuesish fetarë, i riu Vincent van Gogh filloi karrierën mbi këtë traditë. Pra, Van Goghu fillimisht qe tregtar arti e predikues, dhe do të duhej t’i mbushte 27 vjet, kur nisi të pikturonte.

Pasioni i madh për pikturën dhe zelli për punë bëri që artisti i ri në moshë të realizojë gjatë një dekade rreth 2100 vepra artistike, duke përfshirë me qindra piktura me ngjyra vaji. Siç duket, pikturimi për artistin 27-vjeçar ishte mjeti i vetëm për t’u shkëputur nga turbulencat jetësore që e përcollën vazhdimisht.

Në tetor të vitit 1864, kur Van Goghu ishte 11 vjeç, prindërit e tij e dërguan në një shkollë në qytetin Zevenbergen të Holandës, ku i duhej të jetonte në një konvikt larg shtëpisë, krejtësisht i vetmuar dhe i përmalluar për familjen.

Aty ndoqi kurse për artin, dhe njohuritë që përfitoi, i përdori shumë vjet më vonë nëpër veprat e tij artistike.

Dy vjet më pas, prindërit e transferuan në një shkollë tjetër në qytetin Tilburg, por Van Goghu e ndërpreu shkollimin pa e mbaruar dhe iu desh të ecë mbi tetë orë për t’u kthyer në shtëpi, për shkak se dëshironte të qëndronte aty së bashku me familjen e tij.

Van Goghu kishte disa halla dhe xhaxhallarë, ndër të cilët më së shumti njihet Xhaxhai Vincent (Xha Centi), që ndikoi më së shumti në jetën e artistit.

Xha Centi ishte ortak në një ndërmarrje të madhe tregtare të artit në Hagë, i cili me aftësitë e tij biznesore çmohej e respektohej mjaft shumë nga të tjerët. Xha Centi dhe gruaja e tij nuk kishin fëmijë, andaj ai u interesua për të riun Van Gogh duke e parë si adekuat për ta punësuar në ndërmarrjen tregtare.

Ashtu ndodhi. Van Goghu u punësua në firmën e xhaxhait, por për shkak se ishte njeri i ndrojtur dhe kishte sjellje jo të hijshme, nuk shërbeu mirë aty. Kjo e dëshpëroi xhaxhain e tij, i cili priti shumë nga nipi.

Sidoqoftë, kjo gjë bëri që ta largonte atë nga puna, madje edhe nga qyteti i Hagës, për shkak se rebelimi i të riut mund ta prishte imazhin e Xhaxha Vincentit. Prapë se prapë raportet e tyre nuk u përkeqësuan – ata kontaktonin me njëri-tjetrin herë pas here.

Pas largimit nga puna, Van Goghu ishte zhvendosur në Londër, në qytetin e shpallur si më të popullarizuarin dhe më kaotikun të asaj kohe. Artisti i ri, që nuk mund të shoqërohej me askënd, aty ndjehej shumë i vetmuar dhe nuk ambientohej aspak me rutinën e re londineze.

Meqenëse jeta në Londër nuk i bëri aspak përshtypje, Van Goghu u largua për t’u kthyer te familja e tij. Aty kaloi një pjesë tjetër të jetës, por Van Goghu ishte në një gjendje të keqe mendore.

Nëna e tij ishte rrëzuar dhe kishte thyer brinjët, me ç’rast atij iu desh që të kujdesej shumë për të. Babai, me të cilin rrokej vazhdimisht për ateizmin që Van Goghu proklamonte, i vdiq nga një goditje në tru.

Motrat e tij e akuzonin atë që ishte vrasësi. I frikësuar nga familja që mund t’i bënin ndonjë komplot, Van Goghu u largua për të mos u kthyer më kurrë aty.

Pas kësaj ngjarjeje, fillon pjesa më prodhuese e artistit holandez, kur shpërngulet në Francë dhe takohet me artistin e famshëm francez Paul Gauguin në qytetin Arles. Van Goghu e respektonte dhe e cilësonte si lider Paul Gauguin.

Artisti holandez, Vincent van Gogh, së bashku me Paul Gauguinin, janë ndër pionierët e postimpresionizmit, rrymë artistike kjo që u zhvillua gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Në fakt artistët postimpresionistë u ngriten kundër impresionistëve duke hedhur poshtë metodën e pikturimit të natyrës në mënyrë spontane.

Miqësia e Van Goghut dhe Paul Gauguinit zgjati vetëm 63 ditë, për shkak të konfrontimeve që artistët kishin me njëri-tjetrin herë pas here dhe aktit bizar të Van Goghut, i cili këputi veshin e vet me brisk.
Van Goghu, përveç çrregullimeve mendore, agresivitetit dhe halucinacioneve, ishte prekur edhe nga sëmundja e sifilizit, për shkak se gjatë qëndrimit në Paris vizitonte shumë shpesh prostitutat me të cilat bënte marrëdhënie seksuale dhe i përdorte si model për pikturim.

Të gjitha këto përvoja jetësore, e kishin dërrmuar postimpresionistin holandez, që ishte në një gjendje shumë të rëndë fizike dhe financiare. Pikturat që bënte nuk mund t’i shiste assesi. Kush do të blinte diçka nga një njeri me pamje skeleti të mbuluar me një lëkurë të hollë, me vesh të këputur dhe dhëmb të prishur e të rënë?

Dhe, mbi të gjitha Van Goghu ishte arrogant dhe tejet i ngathët në komunikim me njerëzit. Kjo gjë e dëshpëronte edhe më shumë artistin, që nuk arrinte të fitonte asgjë nga puna që e bënte me aq shumë kënaqësi.

“The Red Vineyard”
“The Red Vineyard”

Në fillim të vitit 1890 ishte piktura “The Red Vineyard”, të cilën Vincent Van Gogh arriti ta shes në Belgjikë për 400 franga belge. Ajo mbetet si piktura e vetme që artisti holandez e shiti sa ishte gjallë.

Në korrik të po këtij viti, qiradhënësi hyri në dhomë dhe e gjeti Vincent Van Goghun të plagosur me një plumb në stomak. Van Goghu nuk mundi t’i përballojë këtij plumbi dhe vdiq 30 orë më pas në moshën 37-vjeçare. Vdekja e tij mbeti e mistershme, për shkak se në agoninë e vdekjes ai pëshpëriste se e kishte plagosur veten, por nga hulumtimet dyshohet se ishte qëlluar nga distanca.

100 vjet pas vdekjes, më 1990, piktura e tij “Portrait of Dr. Gachet” u shit për 82.5 milion dollarë amerikan. Po të ndodhte kjo gjë sa ishte gjallë, a do të merrte kahe tjetër jeta e dhimbshme e artistit gjenial?

“Portrait of Dr. Gachet”
“Portrait of Dr. Gachet”

F. Meholli-(fjala.al)

LEXO EDHE: EKSPOZOHET VIZATIMI I SAPOZBULUAR I VAN GOGH