Lasgush Poradeci: S’ish dashuri, po fshehtësi…

Poezi nga Lasgush Poradeci

U patmë nisur un’ e ti:
Un’ hijemvrejturi – në – zi,
Ti flokëndritura – flori

Dhe ikm’! e ikmë përsëri,
Larg- e më -larg n’arrati,
Pranë – e më pranë – e gji – për – gji.

Dhe me një vend një bukuri,
Dhe me një çast një shenjtëri,
Na zu një mall, një dashuri.

S’ish dashuri, po fshehtësi
S’ish fshehtësi, po llaftari
S’ish llaftari po çmenduri.

*Titulli i origjinalit: “U patmë nisur”

ObserverKult

Lexo edhe:

NGA DITARI I LASGUSH PORADECIT: MUA S’MË KA BLERË KURRË NJERI AS ME PARA…

Tiranë, e Mërkurë 24 Tetor 1945

Ora 11 isha te Ministri i Kulturës Sejfulla Malëshova, i shpura materialin e vëzhgimeve të mija mi Naim Frashërin për botim kritik të lirikës së Naimit. “Botim kritik” i thashë “s’mund të bëhet, dyke mos patur dorëshkrime të mjaftuarshme. Do të bëj vetëm një botim kriteri” i thashë, siç e kisha parashtruar dhe në raportin t’im përpara se të vete në Poradec.

Pastaj në lidhje me vjershën që kish botuar jashtë më 1928 dhe e botoj dhe tashi mora fjalën dhe i thashë: “Do të ishte një çnderim për mua sikur t’ju nderonja se jeni ministër, po unë ju nderoj dhe ju pyes në cilësinë t’uaj si vjershëtor. Juve kini bërë një gabim në poezinë t’uaj që rishtyptë tashi kundër meje, sepse gjërat që thoni atje kundër meje nuk i përgjigjen të vërtetës po përkundër. Kur është jashtë njeriu, mund të gabohet dhe ju ishit atëhere jashtë. Po tashi që gjindeni në Shqipëri dhe që jeni në gjëndje të kontrolloni jetën t’ime me shumë lehtësi, të afirmohet një mos-e vërtetë për mua, s’është liri po robëri.

Sejfullaj: “aty (në poezi) unë nuk them si ishit, si jini, po si do bëheshit”, Unë: “Po juve në atë poezi thoni: “të blenë me para”, “të futnë në kuvli”, dhe në shënimin që i kini bërë vjershës simvjet më 1945 thoni: “hyri në pellgun oportunist”, dhe “u bë poet dallkauk”, dhe shënoni vetë që vjersha është shkruar më 1928”.

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU