“Violinistja shëtitëse duke fjetur”, piktura që na rrëqeth

Violinistja

Nga Albert Vataj

“Violinistja shëtitëse duke fjetur”, një bukuri delikate që ngjeth. Kjo është një punë shumë e bukur dhe shprehëse e piktorit rus, Franz Alekseyevich Roubaud, i cili është arsimuar, ka jetuar dhe krijuar në Gjermani.

Roubaud u lind më 15 qershor 1856 në Odessa dhe vdiq në Munich, më 13 mars 1928. Ai vdiq në moshën 71-vjeçare. Franz Alekseyevich Roubaud, ishte një piktor rus. Ai shquhej për pikturën panoramike. Punët e tij ishin në përmasa shumë të mëdha, aq sa shumë panaire dhe studio arti janë detyruar të përshtatin ambientet enkas për të ekspozuar pikturat e tij.

“Violinistja shëtitëse duke fjetur” është një punë shumë joshëse dhe me peshë emocionale. Ajo përcjell fatin e artistit të rrugës, një fat i trishtë që rreket të ngrihet mbi forcën e vullnetit dhe pasionit për të sfiduar varfërinë.

Kjo bohemiane, e cila luan me violinën e saj nëpër cepa rrugësh për të fituar bukën e gojës, vjen përmes kësaj penelate shumë shprehëse, si nëpërmjet mjeteve estetike, teknika, koloriti dhe dritëhija, ashtu dhe elementët përbërës: fletët e muzikës që kanë rrëshqitur nga duart e vajzës, violina e vendosur shkujdesur në anë të saj, gjithashtu veshja, e cila me sa duket është veshje karakteristike e vajzave të vendlindjes së tij.

Sytë e mbyllur dhe duart e shkrehura, pozicioni i qëndrimit, këmbët e zbathura, e përcjellin këtë çast prehje, sa njerëzore aq impresionuese. Mes dëshirës së admirimit të kësaj pune, pikëllimit të këtij çasti, shikuesi e ka të pamundur të zgjedhë cilën anë të mbajë. Atë e godet tematika, ashtu siç e josh realizimi artistik, atë e pikëllon gjendja e vajzës, ashti siç e ngërthen makthi i jetës së artistit të rrugës. Gjithsesi, kjo është një punë që të përfshin, të emocionon, të magjeps, të bën të ndihesh tokësor në këtë qiellore shprehëse artistike të Franz Alekseyevich Roubaud.

ObserverKult

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

MISTERET E FSHEHURA NË PIKTURAT E FAMSHME