Në “Një dhomë më vete”, Virginia Woolf imagjinon se Shakespeare kishte një motër, një motër e barabartë me Shakespeare në talent dhe në të shkruarit letrar.
Por duke përdorur këtë analogji, Woolf thekson se një grua po të shkruante në atë kohë do të bullizohej dhe vetëm do ndërronte “pronarin”, nga të qenët pronë e babait do të bëhej e burrit, përmes martesës.
ObserverKult ua sjell fragmentin përmbyllës të librit, “Një dhomë më vete” ku Woolf flet pikërisht për këtë çështje:
Gjatë kësaj kumtese ju thash se Shekspiri kish një motër; por mos e kërkoni atë te libri mbi jetën e Shekspirit, shkruar nga Sir Sidney Lee.
Ajo vdiq e re, e për fat të keq nuk shkroi as edhe një fjalë. U varros aty ku sot ndalojnë omnibusët, përmballë Elefantit dhe Kështjellës. Unë sot besoj se kjo poete, që nuk shkroi kurrë një fjalë dhe që u varros në një udhëkryq, është ende gjallë.
Ajo jeton tek ju dhe te unë, si dhe te shumë gra tjera që nuk janë këtu sonte, sepse po lajnë pjatat dhe po vënë fëmijët në gjumë.
Gjithsesi ajo jeton; sepse poetët e mëdhenj nuk vdesin; ata janë përherë të pranishëm; u mungon vetëm rasti që të ecin midis nesh fizikisht.
Këtë rast më duket se e keni ju në dorë për t’ia dhënë asaj. Unë besoj se po të jetojmë edhe ndonjë shekull tjetër- e kam fjalën për jetën tonë të përbashkët dhe jo për jetën tonë si individë të veçantë – dhe të kemi secila nga pesëqind stërlina ne vit si dhe një dhomë më vete; po të kemi lirinë dhe kurajon të shkruajmë saktësisht ashtu siç mendojmë; po të largohemi në njëfarë kohe nga ajo dhoma e përbashkët e ndenjës dhe të dalim e të shohim qeniet njerëzore jo gjithnjë në raport me njëri – tjetrin por në raport me realitetin, por edhe me qiellin, edhe me pemët apo me çdo gjë tjetër që mund të ketë brenda tyre, po të shohim përtej gogolit të Miltonit, sepse asnjë qenie njerëzore nuk duhet të pengohet të shohë çka përpara, po t’i shohim faktet drejt e në sy, sepse dihet mirë që nuk ka ndonjë krah ku të mbështetemi, por duhet të ecim vetë, dhe raporti ynë është me botën reale dhe jo vetëm me botën e burrave dhe të grave, atëherë do të vijë edhe rasti që poetesha e vdekur, motra e Shekspirit, të marrë përsëri shtatin që deri sot e ka dergjur e tretur aq shpesh nën dhe.
Duke marrë jetë nga jetët e të panjohurve që kanë qenë pasardhësit e saj, siç bëri edhe i vëllai përpara saj, ajo do të lindë përsëri.
Që ajo të vijë pa përgatitjen dhe përpjekjet e nevojshme që duhet të bëjmë ne , pa vendosmërinë tonë, që kur ajo të rilindë, të ketë mundësi të shkruajë poezi, këtë nuk mund ta presim, sepse do të ishte e pamundur.
Por, unë kam besim të patundur se ajo do të vijë po qe se ne punojmë për të, dhe që të punojmë kështu, qoftë dhe në varfëri dhe në errësirë, them se ia vlenë barra qiranë.
*Fragmenti është shkëputur nga Virginia Woolf, “Një dhomë më vete”, përkthyer nga Engjëllushe Shqarri, Botimet Çabej, Tiranë, 2000
ObserverKult
———————————–
Lexo edhe:
VIRGINIA WOOLF: MOTRA E SHEKSPIRIT
Më lejoni të imagjinoj, me që është kaq vështirë të gjesh fakte, se ç’do të kishte ndodhur sikur Shekspiri të kish patur një motër, tejet të talentuar, që e quanin…le të themi, Xhudit.
Me qenë se nëna e tij ishte trashëgimtare e pasur, Shekspiri ka shumë të ngjarë, të ketë ndjekur shkollën linguistike, ku duhet të ketë mësuar latinisht, ka lexuar Ovidin, Virgjilin dhe Horasin, ka mësuar elementet e gramatikës e të logjikës. Dihet fare mirë që ai ka qenë një djalë që nuk linte dy gurë bashkë: gjuante harabelë, ndoshta edhe ndonjë drenushë, dhe shumë më herët seç pritej, u martua me një vajzë fqinjë, e cila lindi një fëmijë, edhe atë shumë më herët nga sa parashikohet normalisht. Kjo “e pabërë”, e detyroi të largohej për të kërkuar fatin në Londër.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult