Më lejoni të imagjinoj, me që është kaq vështirë të gjesh fakte, se ç’do të kishte ndodhur sikur Shekspiri të kish patur një motër, tejet të talentuar, që e quanin…le të themi, Xhudit.
Me qenë se nëna e tij ishte trashëgimtare e pasur, Shekspiri ka shumë të ngjarë, të ketë ndjekur shkollën linguistike, ku duhet të ketë mësuar latinisht, ka lexuar Ovidin, Virgjilin dhe Horasin, ka mësuar elementet e gramatikës e të logjikës. Dihet fare mirë që ai ka qenë një djalë që nuk linte dy gurë bashkë: gjuante harabelë, ndoshta edhe ndonjë drenushë, dhe shumë më herët seç pritej, u martua me një vajzë fqinjë, e cila lindi një fëmijë, edhe atë shumë më herët nga sa parashikohet normalisht. Kjo “e pabërë”, e detyroi të largohej për të kërkuar fatin në Londër.
Me sa duket, ai kishte prirje për teatër e sa për të futur këmbët, fillon të punojë atje si stallier.
Shumë shpejtë bëhet një aktor i suksesshëm, bëhet qendra e universit, takon e njeh gjithkënd, praktikon artin e tij në skenë, ushtron talentin e tij në rrugë, madje i hapen dyert edhe në pallatin mbretëror.
Ndërkohë, motra e tij me një talent të jashtëzakonshëm, ashtu siç mund ta marrim lehtë me mend, rri në shtëpi. Ajo ka të njëjtin shpirt aventure, të njëjtën imagjinatë, të njëjtën etje për të shëtitur e njohur botën, sa dhe ai. Po atë nuk e çojnë në shkollë. Ajo nuk ka rast të mësojë gramatikë e logjikë, të mos flasim pastaj, për njohje të Horasit e Virgjilit. Herëpashere, ajo rastis në ndonjë libër, ndoshta ndonjë nga librat e të vëllait dhe lexon disa faqe. Por, vijnë prindërit e i thonë që të arnojë çorapet, ose të kujdeset për gjellën, e të mos harxhojë kohën kot me libra e letra. I flasin butë, por me ton të prerë, sepse ata janë njerëz të arsyeshëm dhe e dinë se si duhet të jetë, jeta e një gruaje. Po sigurisht, ata e duan vajzën e tyre, madje ka shumë të ngjarë, që i ati ta ketë dashur të bijën, si dritën e syrit. Ndoshta, fshehurazi, ajo ka hedhur për ndonjë skicë-ide, diku, nën hijen e ndonjë molle, por do të jetë treguar e kujdesshme dhe e ka fshehur, sepse ato që bëjnë një gjë të tillë, nuk shkojnë në parajsë. Gratë nuk duhet të shkruajnë për pasionet e tyre.
Sidoqoftë, sapo Xhudit kalon moshën e adoleshencës, e fejojnë me djalin e ndonjë fqinji, që duhet të jetë marrë me tjerrjen e leshit. Ajo do të ketë ngritur zërin e do të ketë thënë se nuk ka aspak dëshirë të martohet e i ati do ta ketë rrahur fort. Pastaj ai e ka lënë të rrahurit e ka filluar t’i lutet që të mos ia prishë zemrën, të mos e turpërojë. Me sy të përlotur, do t’i ketë premtuar një palë rruaza, ose ndonjë jelek të bukur. A është e mundur, që ajo të mos i jetë bindur të atit? A është e mundur që një vajzë t’ia thyejë zemrën babait të saj, pas gjithë këtyre?
Por, forca e talentit të saj e shtyn të bëjë diçka krejt tjetër. Një natë vere, ajo mbledh sendet e veta në një pako të vogël dhe nga ballkoni i shtëpisë, lëshohet poshtë me litar, për të marrë rrugën për Londër. Nuk i ka mbushur ende të shtatëmbëdhjetat. Zemra e saj këndon. Ajo e ndjen veten, po aq të lirë sa edhe zogjtë nëpër gëmusha. Ashtu si i vëllai, edhe ajo e kuptonte melodinë e fjalëve e dinte të luante me to. Edhe ajo kishte prirje për teatër. Shkon e afrohet pranë skenës. “Dua të luaj,” thotë ajo. Burrat i zgërdhihen përpara fytyrës. Drejtuesi i teatrit, një trashaluq buzëvarur, ia plas gazit. Pastaj me zë të lartë thotë diçka për këlyshët e qenve që kërcejnë dhe i krahason ata me gratë që luajnë në skenë.
“Nuk ekziston asnjë grua që të ketë aftësinë për të luajtur në skenë,” shton ai. Dhe pastaj do t’ia ketë hedhur fjalën…ju e merrni vetë me mend se për çfarë. Kështu, ajo nuk ka mundësi ta zhvillojë talentin e saj. A e imagjinoni dot atë duke hyrë në ndonjë tavernë për të darkuar, apo duke shëtitur lirisht rrugëve? E megjithatë, talenti i saj krijues, nuk i reziston dot ngasjes për t’u futur në skutat e jetës së burrave e grave e për të eksploruar sjelljet e tyre.
Më në fund, nga ajo që është shumë e re e çuditërisht, ka sy gri dhe vetulla të rrumbullakta, ashtu si Shekspiri, ideali i saj poetik, Nik Grinit, menaxherit të aktorëve, i vjen keq për të. Prej tij ajo bëhet me fëmijë, sepse kush është ai që mund ta përmbajë pasionin dhe forcën e zemrës së një artisti, kur futet e përleshet në trupin e një gruaje?
Kështu, në një natë dimri, ajo vret veten e ka kohë që prehet në një varrezë, diku në një udhëkryq, aty ku tani ndalojnë autobuzët, pranë “Kështjellës dhe Elefantit”./Përgatiti: ObserverKult
*Marrë nga libri “Zëra femërorë-antologji e prozës së shkrutër, i përkthyer nga Ivana Goga