Nga Virginia Woolf
Në çdo kohë që zgjoheshe, hapej një derë. Dhomë më dhomë shkonin, dorë për dore, duke ngritur këtu, duke hapur atje, duke u siguruar – një çift fantazmash.
“Këtu e lamë”, tha ajo. Dhe ai shtoi:”Oh, po edhe këtu!”
“Është lartë”, mërmëriti ajo. “Edhe në kopsht”, pëshpëriti tjetri. “Pa zhurmë”, thanë, “përndryshe mund t’i zgjojmë”.
Por s’është se na zgjuat ju. Oh, jo. “Ata po e kërkojnë, po lëvizin perden”, mund të thotë dikush, që të lexojë një faqe a dy. “Tani gjetën”, mund të bindet dikush, duke e lënë lapsin mbi tryezë. Dh’atëherë, lodhur së lexuari, dikush mund të çohet dhe të shohë vetë, gjithë shtëpinë e zbrazur, dyert e hapura, vetëm zhurmërima pluskuese e pëllumbave të egër dhe zukatja e makinave shirëse tutje në fermë.
“Përse erdha këtu?”. “Çfarë doja të gjeja?” Duart e mia ishin të zbrazëta. “Ndoshta është lart, pra?” Mollët ishin në papfingo. Dhe poshtë sërish, kopshti i njëjtë si përherë, vetëm libri kishte rrëshqitur mbi bar.
Por e gjetën në sallon. Askush s’mund t’i shihte. Xhamat e dritares pasqyronin mollë, pasqyronin trëndafila; gjethet ishin të blerta në qelq. Po të shkonin në sallon, vetëm molla shfaqte anën e verdhë. Rishmi, pas një çasti, po të ishte dera hapur, në dysheme shpërnadrë, mbështetur në mure, lavjerrur nga tavani – çfarë? Duart e mia ishin të zbrazëta. Hija e një gushkuqi tejshkoi qilimin; nga puset më të thella të errësirës, pëllumbi i egër shpërndante tinguj pluskues. “Shpëtova, shpëtova, shpëtova”, rrihte butësisht pulsi i shtëpisë. “Thesari i groposur; dhoma…”, u ndal papritur pulsi. “Oh ai të ishte thesari i groposur?”
Një çast më pas drita u zbeh. Atëherë, jasht në kopsht? Por pemët tirrnin errësinën për një rreze dielli endacuke. Aq e hollë, aq e rrallë, zhytur ftohtë në sipërfaqe, rrezja që unë kërkoja digjej përherë pas qelqi. Vdekja ishte qelqi; vdekja ishte mes nesh; ardhur së pari te gruaja, qindra vjet të shkuara, tek ikte nga shtëpia, tek vuloste të gjitha dritaret, dhomat zhyteshin në murg. Ai e la, la gruan, shkoi në Veri, shkoi në Lindje, pa yjet që dremisnin në qiellin e Jugut; kërkoi shtëpinë, e gjeti të shkapërdarë poshtë Ultësirave. “Shpëtova, shpëtova, shpëtova!”, rrihte guldueshëm pulsi i shtëpisë. Thesari – i yti.”
Era bulurin tutje në rrugë. Pemët që përkulen tutje-tëhu. Rrezet e hënës përplasen dhe qullen egërsisht në shi. Por rrezja e llambës bie thikë nga dritarja. Qiriu digjet shpejtë dhe qetë. Ndërsa sillet rrotull nëpër shtëpi, hap dritaret, përshpërit që të mos na zgjojë, çifti i fantazmave kërkon lumturinë e tij.”
Këtu flinim thotë ajo. Ndërsa ai shton: “Puthje të panumërta”. “Kur zgjoheshim në mëngjes-” “Argjendi përmidis pemësh-” “Lart-” “Në kopsht-” “Kur behte vera-” “Në dimrin me dëborë-” Dyert vazhdonin përplasjen e tyre të largët, duke zhurmuar si rrahje zemre.
Aviten ata; ndalen te pragu i derës. Era fashitet, shiu rrëshqet i argjendë përgjatë xhamit. Sytë tanë zë mugullohen; pas nesh s’dëgjohen më hapa; s’e shohim zonjën që hap pallton e saj fantazmë. Duart e tij bëhen mburojë për llambën. “Shiko”, pëshpërit ai. “Në gjumë të thellë. Dashuria mbi buzët e tyre”.
Të përkulur, me llambën e argjendtë sipër nesh, të gjatë duken ata, e të errët. Të gjatë, ndalen. Era fryn drejt; flaka nanuriset ëmbël. Rreze të egra hëne çajnë dyshemenë e murin dhe, duke takuar, dallojnë fytyrat e përkulura; fytyrat e menduar; fytyrat që kundrojnë të fjeturit dhe kërkojnë harenë e tyre të fshehur.
“Shpëtova, shpëtova, shpëtova!”, rreh egërsisht zemra e shtëpisë. “Vite të gjata” psherëtin ai. “Përsëri më gjete”. “Këtu”, mërmërinë ajo, “duke fjetur; në kopsht duke lexuar; duke qeshur; duke rrotulluar mollët në papafingo. Këtu e lamë thesarin tonë-” Përkundshëm, drita e tyre ngre qepallat e syve të mi. “Shpëtova! shpëtova! shpëtova!”, rreh fort zemra e shtëpisë. Tek zgjohem, thërras “Oh ky qenka thesari juaj i fshehur? Drita në zemër”.
Përktheu: Elvana Zaimi
*Tregimi “Shtëpi e magjepsur” u shkëput nga libri “NJOLLA NË MUR”, Skanderbeg Books, Tiranë 2011
Përgatiti: ObserverKult
——————————–
Lexo edhe:
MARIO VARGAS LLOSHA: I DASHUR MIK, HARRO GJITHÇKA… DHE ULU E SHKRUAJ