Virion Graçi: Premtimi

Vajza e Mufitit u shtyp nga shoqëruesi i deputetes së qytetit tonë, para piceri Fiore, në orën 16, të martën. Ishte shoqërues vullnetar, njeri që kish pasur probleme me ligjin. Gjatë udhëheqjes së krahut tjetër politik ishte arrestuar për disa orë pasi e kishin kapur me refugjatë kurdë, duke i trafikuar për në portin e Vlorës. Kish pagur dikë në policinë kriminale dhe kish dal pa u lagur. Ishte betuar: po më ranë në dorë ata që më futën brenda do t’i var.  Me zbrazëtinë e krijuar në ndërrimin e pushtetit qëndror, kish shoqëruar kandidaten për deputete gjatë gjithë fushatës. I kish pëlqyer ajo grua: pinte duhan të dredhur, me raki 19 gradëshe dehte dhe vetë komandantin e qarkut – i pathyeshëm deri atëherë. Rrinte gjatë ditës në qytetin tonë të varfër, por, për të kaluar mbrëmjen dhe për të fjetur shkonte në qytetin fqinj, qytet bregdetar me disko dhe me shërbime nate për klientët me pretendime. Bregdetin e kish mësuar kur ishte në ekipet e kërkimeve pedagogjiko – shkencore në periudhën komuniste: ajo, Kumria nuk përfshihej në asnjë projekt por ishte në ç’do ekspeditë; duhet ta dini se aso kohe hotelet tona nuk kishin as ngrohje, as shërbime speciale për klientët me pretendime prandaj, bujtësit, për tu çlodhur mirë i sillnin vetë një pjesë të materialeve, për të kaluar pushime të këndshme. Kumria, deputetja jonë, ishte pjesë e përhershme e kësaj baze materiale. Djalin që e shoqëronte gjatë fushatës, Kadriun e punësoi në polici, atje ku deshi vetë Kadriu. Dhe Kadriu bëhej copë për deputete Kumrien. E  ndiqte ngado, i kryente shërbime personale. Thonë se i dërgonte pjesë nga fitimet që nxirrte si shef i antidrogës  .

  Të  martën, kur ecte në zonë të banuar  me shpejtësi 120 km në orë, Kadriu donte të kapte kreun e autokolonave që ecnin pas deputete Kumries, të shkëputur prej tij. Vajza e Mufitit po kalonte te vijat e bardha, me një kushërirë të vogël për dore. Në dorën tjetër mbante një picë të porsa blerë te Fiore . Dëshmitarët e ngjarjes thonë se ajo deshi të pengonte me trup vrapin e vajzës së vogël që po turrej e para në xhade, por s’pati kohë  të shmangej për vete. Pica  fluturoi në pemët dekorative të trotuarit, ajo vetë u shkel e gjitha nga tërë pesha e benzit dhe mbeti në vend, e vdekur. Kushërira e vogël vuri duart në kokë dhe rrinte e shtangur. Zërat e kalimtarëve dhe buritë e disa autoveturave pas tij e detyruan Kadriun të ndalonte, të shikonte se çfarë kish ngjarë.

  Vajzën e Mufitit  e çuan  në spital, për të plotësuar dokumentacionin e varrimit dhe për të bërë, ata të policisë kriminale, disa ekspertiza. Atje, një përfaqësues i prefekturës më ngarkoi mua pjesën më të vështirë të kësaj historie: të jepja te Mufiti lajmin e vdekjes së vajzës.

  Mufiti është i ardhur në qytetin tonë të vogël. Unë, si jurist në sigurimet shoqërore e kam takuar dhe disa herë, por  në rrethana normale. Mufiti nuk shikon dhe, në bazë të ligjit të ri për të verëbërit, i takonte të merrte pension për njeriun që e shoqëron. Ia bëra vet dokumentat dhe, kur u aprovua nga qendra, shkuam në shtëpinë e tij me shefin. Nuk qe nevoja të shkonim fare por shefi e bëri fakt të kryer. Ia dorëzoi pensionin e parë për shoqëruesin dhe i tha  – shoku Mufit, këtë pension e ke falë ndërhyrjes dhe kujdesit të drejtpërdrejtë të deputete Kumrisë.

  Unë u habita nga gënjeshtra dhe pafytyrësia e shefit, kurse Mufiti, i mësuar tërë jetën të falenderojë të mëdhenjtë edhe për ajrin, edhe për rrezet e diellit, edhe për vesën e mëngjesit, u ngrit në këmbë dhe deshi të përqafonte shefin. Gabimisht përqafoi mua –vinte erë e rëndë djerse dhe  ilaçesh, dukej se nuk e kish të gjatë, jeta po fikej te ai me shpejtësi. E bija, Blerina, na bëri kafe dhe na qerasi me llokume. Unë nuk doja të rrinim gjatë, por shefi pati një këmbëngulje të çuditshme. Zakonisht shefi im, kur dikujt i nxjerr pensionin që i takon në bazë të ligjeve në fuqi, pranon më mirë të marrë dhurata simbolike nga përfituesi i pensionit sesa të hajë e të pijë me të. Atë ditë veproi ndryshe dhe ma shpegoi përjashta arsyen: të papunët dhe invalidët rrinë shumë të organizuar në shoqëri dhe duhet bërë ca politikë me ta, ca reklamë në të mirë të deputetes tonë. Të tillë tipa, fatkeqë e llafazanë bëjnë propagandë më mirë se ç’do gazetë. Janë të besueshëm dhe të kudondodhur.

  Nuk e kundërshtova shefin, megjithëse ma shpifi me mashtrimin e tij  të poshtër në llogari të figurës së deputete Kumries, aq më keq kur talleshim dhe gënjenim një të verbër.

  E mora përsipër detyrën e vështirë, kisha qënë dhe herë të tjera te Mufiti. Herën e fundit që më thirri, nuk ishte fjala të më pyeste për të drejtat e tij si invalid, si i verbër, por kish një problem me vajzën. E gjeta të mërzitur, kish ulur kokën dhe po godiste ballin e rrudhur te doreza e bastunit. Blerina i sillej rrotull. Ndenja ca minuta te dera e hapur, trokita por s’më ndien. Skena qe delikate: Blerina i kish treguar babait të verbër se do fejohej. Martesën do ta bënte shumë shpejt, meqë të dyja familjet ishin të skamura. Mufiti që ngelej vetëm në shtëpi, pa askënd tjetër, gati pësoi goditje kardiake, kurse e bija, duke qarë me ngashërim i sillej rrotull dhe i premtonte: do ta gjej një mënyrë të kujdesem për ty, do jetojmë bashkë, nuk të gënjejmë, nuk të braktisim, do jetosh me mua dhe Agimin, nuk do të lë vetëm, jo, baba, nuk do të lë vetëm.

  Edhe në praninë time Blerina u përlot disa herë dhe e përsëriti betimin: nuk të lë vetëm, jo, do jetojmë bashkë. Me sa mora vesh, Mufiti kish dashur të konsultohej me mua pikërisht për mundësitë  për t’u përfshirë në ndonjë program shtesë për  njerzit në varfëri të plotë, pas ikjes së vajzës, por premtimet e sinqerta dhe të përsëritura të saj e bënë të mos ma shtronte më si urgjente këtë çështje. Biseduam atëherë për gjëra të tjera, larg problemeve dhe nevojave jetike të përditëshme. Uruam dhe Blerinën: jetë të lumtur, me fat e trashëgime.

 Me barrën e rëndë të lajmit të kobshëm që do jepja për plakun e verbër hyra në shtëpinë e tij të mjerë. Ai qëndronte në këmbë, gati për të dalë.

-kush je? –pyeti.

-jam juristi, – i thashë, ai i sigurimeve shoqërore.

-prisja Blerinën tani, – tha dhe më ftoi të ulesha. U ula, plaku shtoi:

-dëgjova se ka ardhur deputete Kumria, dua të dal ta takoj. Dua ta falenderoj për pensionin e shoqëruesit tim. Është e ndershme të mos t’i harrosh nderet që të bëhen, apo jo?

-ashtu është, pranova unë nëpër dhëmbë, ashtu është.

    Detyra mu bë më e vështirë. Ai kërkonte ta çoja te Kumria, kish dëgjuar sirenat e makinave të shoqërimit  të deputetes, pasuar nga sirenat e policisë në vendngjarje, atje ku Blerina dha shpirt nën gomat e makinës së shoqëruesit vullnetar, kryeinspektor Kadriut.

   Nuk e mbaj mend si e përligja vajtjen time atje, dola pa ia dhënë dot lajmin fatal. Ai deshi të vinte me mua, ta ndihmoja unë të takonte deputeten, por as këtë detyrë nuk e mora përsipër. U gjet dikush tjetër. Ai i dha lajmin për vdekjen aksidentale të Blerinës, ai i kërkoi që, për hatrin e deputetes dhe për hir të fëmijëve të Kadriut, të firmoste një deklaratë  e cila do ta nxirrte shpejt aksidentuesin e vajzës nga dhomat e izolimit të policisë, pa kaluar  fare në prokurori.

– Do ta ndihmoj, – tha Mufiti dhe e mbajti fjalën. Pas tetëmbëdhjetë orësh Kadriu doli nga qelitë e izolimit, Blerina ishte varrosur vetëm katër orë më parë.

   Shkova përsëri te plaku i verbër. I çova ndihmën financiare për funeralin. Vajta pa shefin, nuk desha që dhe atë  shumë qesharake ta paraqiste si ndihmë personale nën kujdesin e drejtpërdejt të deputete Kumries.

-Blerina më premtoi se do jetonim bashkë, – tha plaku, – ke qenë dhe ti kur më tha: nuk do ndahemi kurrë! Apo jo?!

-po, kam qenë, ashtu tha, – i thashë pa ditur si të veproja. Piva vetëm një cigare dhe dola. Pas disa javësh, një mëngjes,  mësova se premtimi i Blerinës ishte bërë realitet. Në tabelën ku lajmërohen vdekjet pashë fotografinë dhe emrin e atij që do varrosej mbasdite: Mufit Shahini…Nuk kish kush të priste ngushëllime për të. Edhe unë, si  ata dhjetë –pesëmbëdhjetë  veta, pjesmarrës në varrimin e Mufitit gjeta ngushëllim për fatin e tij te mbajtja e premtimit: meqë vajzën e pengoi makina e shoqëruesit të deputetes ta mbante fjalën e dhënë, ishte babai  ai që korigjoi gjithçka duke shkuar pranë vajzës së tij, për të jetuar të dy, përgjithmonë bashkë.

(2004)

ObserverKult