Visar Mulliqi- në kërkim të energjisë së ngjyrës

Visar Mulliqi

Nga Luan Rama

Është e njohur lidhja e pazgjidhshme dhe e përkushtimit midis një artisti dhe artit të tij, mes një piktori dhe pikturës së tij, kavaletit, paletës, telajos, ngjyrave dhe atelierit. Është arti që i jep kuptim ekzistencës dhe shpirtit të tij. Ajo është jetike për të dhe kjo ndjesi është universale tek të gjithë artistët që në kohërat antike. Letrarët apo muzikantët e shohin botën ndryshe dhe po ndryshe e shohin atë piktorët. Është bota në imazhe, përfytyrime figurative e abstrakte, janë ngasjet nga realiteti apo irealja në koshiencën dhe subkoshiencën e tyre. Alfabeti i tyre janë format dhe ngjyrat ku duket se poeti i famshëm Arthur Rimbaud e ka parandjerë këtë duke dashur tu japë ngjyra « zanoreve » të tij.

E tillë është jeta e përditshme e Visar Mulliqit: udhëtime, meditime, ikje-ardhjet në atelierin e tij ku imazhe të tjera krijohen në telajo në mënyrë energjike; është heshtja, nata, ëndrra apo pagjumësia me imazhet që nisin të lëvizin në botën e tij imagjinare. Ndryshe nga piktorë të tjerë ai është rrethuar nga piktura që në lindjen e tij, kur ka ndjerë erën e terepentinës, aromën e ngjyrave, ka parë më pas atelierin dhe figurën e atit që pikturon mbi telajo mbështetur në atë që ai mëspi se quhej kavalet. Dalëngadalë me vitet që shkonin, edhe ai do të futej në botën pikturale. Në një nga fotografitë e hershme, mund ta shohësh në atelier në moshën 3-vjeçare me penel në dorë. Më pas, në murin e atelierit të vjetër, u vendos krijimi i parë i tij në ngjyra bojë vaji e moshës 7-vjeçare: një shtëpi në një peizazh fshati, dy dritare, një portë e verdhë, çatia e kuqe, mali me njolla okre, qielli në blu dhe një diell në cep. Vepra e parë… Thjesht një zbavitje? Vallë po niste kjo udhë pikturale? Asgjë nuk ishte e sigurtë pasi adoleshenca për të ishte zbulimi i botës, rrugët, sheshet e Prishtinës, miqtë. Atelieri i atit ishte gjithnjë aty, ai po ashtu para tablove të tij. I mjaftonte kjo gjendje, pikturat e tij, bisedat, pa tentuar që ai vetë të bënte pikturë, pasi adoleshenca ka vrulle të tjera. Madje dhe i ati nuk do ta nxiste për këtë. E kishte lënë në lirinë e tij dhe gëzimin e jetës, të natyrës, njohjen me botën. Mbase kjo dëshirë mund të vijë një ditë, – mendonte ai. Mbase!… Dhe ngasja e parë për Visarin do të ishin ngjyrat, ajo lëndë materiale që do ta nxiste më vonë në rininë e tij, çka do ti japë mundësinë të shprehej artistikisht. Një paletë me ngjyra të ndezura dhe kontraste të forta. Vetëm ngjyra… Dhe jo më kot ai thotë sot se më pëlqejnë shumë ngjyrat në filmat e Almadovarit. Sikur gjen një alter ego në botën e atyre ngjyrave.

Në historinë e artit ka jo pak shembuj ku biri i një artisti ka ndjekur udhën e artit, si i ati. Jo vetëm kur flasim për emra mjeshtrash të mëdhenj të pikturës botërore si Cranach l’Ancien (i Vjetri) dhe Cranach Le Jeune (i Ri) apo Brueghel Ancien e Brueghel i Ri, e shumë të tjerë më vonë apo qoftë dhe në Kosovë ku një gjeneratë artistësh kanë ndjekur etërit e tyre sigurisht në  një frymë të re, si pasardhësit e artistëve Ferri, Valla, Çadërbasha, Xhafa etj. Kështu mund të flasim dhe për Mulliqi i Vjetër dhe Mulliqi i Ri.

Para se të hysh në atelierin e Visarit është një paradhomë ku dikur punonte ati i tij. Kavaleti i vjetër i vitit 1973 është ende aty. Atelieri është plot piktura por dhe librat e pikturës në gjuhë të ndryshme, vetë biblioteka që la pas Muslimi, të cilën Visari e ruan me perkujdesje. Janë aty albumet e “National Gallery Washington”, “Piktorët flamandë” “Epoque contemporaine”, botimet akademike shqiptare e të huaja e shumë të tjera, katalogje blerë në muzeume të ndryshme të Europës dhe Amerikës. Libri i formatit të madh “Epoque contemporaine” duket se është shfletuar shumë. Një vend të veçantë zë dhe rryma e shkollës artistike « Cobra » dhe e ekspresionizmit të themeluar në fundin e viteve ’50 dhe fillimin e viteve ’60, ku mund të shohësh veprat e emrave të njohura të kësaj shkolle si Wilhelm de Koonig, Wolls, Sideny Nolan, Asger Jorn, Carel Henning Pedersen. Po ashtu dhe kontributi i ekspresionizmit të “Cobra”-s në pikturën italiane Luciano Fontana, në Spanjë me Antonio Saura, etj. Ishte pikëtakimi i parë i Visarit me ekspresionizmin.

Ndërkohë një derë të çon në atelierin e ri, atë të Visarit, një atelier i madh dhe i lartë ky janë renditur dhe shumë prej tablove të tij të dimensioneve të mëdha mbi dy metra, të denja për hapësirat e galerive dhe institucioneve. Secila prej tyre ka të fiksuar shpirtin e artistit, kohën e krijimit, përfytyrimet e tij dhe tensionin gjatë proçesit të punës, ku tubat e ngjyrave duket se janë ngjeshur drejtpërdrejtë mbi telajon e bardhë duke ndjekur disi konturet e bëra më parë mjaft lehtë si për të drejtuar apo formatuar kompozimin e ardhshëm.

Mistikë që na vjen nga lënda kromatike

Një ditë në Paris, duke e pyetur për tablotë e tij të fundit, Visari më tha : «Tani dua të bëj lule, lule në peizazhet e Kosovës. Kur kaloj me makinë buzë fushave, maleve, në natyrë, larg qytezave urbane, syri im pikas lulet dhe ato kanë në vetvete diçka shumë poetike. Ato të ndjellin tu afrohesh, të ndalosh makinën dhe të qëndrosh pranë tyre një kohë të gjatë duke vëzhguar mrekullinë e ngjyrave çka është mahnitëse.”

Edhe pse ai punon në atelier, duket se peizazhet kanë përparësi në krijimet e tij. Pëlqen peizazhet e Dukagjinit, Klinës, Pejës e Gjakovës. Natyra duket se ia përforcon konceptin e perspektivës brenda pikturës së tij ku ai gjen një liri të madhe për të zbuluar elementë të rinj. Mëshimi i penelit krijon asocimin e erës, furtunës, qiejve që gjëmojnë në prag rrebeshi. Me hapjen e qiejve, aty i rivijnë zogjtë dhe i rishfaqen në telajo. Diku nis një lule që shpalos petalet apo një lule që i shfaqet si zog, të cilën e fshin dhe e konturon si një zog të mirëfilltë. Eshtë një lojë e këndshme dhe kureshtare në kërkim të së bukurës, përsosmërisë. Nganjëherë janë dy zogj të cilët i duket se kërkon ti vendosë ballë njëri-tjetrit me një simbolikë tjetër, e mira dhe e keqja, në tone të ndryshme. Dhe ata qëndrojnë bukur në një tablo me dimensione të mëdha. Po kështu qeparizët pranë të cilëve nuk mund të ecësh pa ndalur një çast, pa kthyer kokën nga ngjyra dhe eleganca e tyre në një peizash të natyrës. Dy tablotë, “Qeparizët”  të vitit 2017, edhe pse në tone të errët, janë pikturuar në mënyrë magjistrale. Nuk është një kopje e natyrës. Është thjesht një frymëzim i çastit, imazhe ku prehet vetë koha. Kështu nisën të ngjizen në pikturën e tij lule, zogj, peizazhe…

Mësimet e Atit…

Visarit i kujtohet ajo ditë kur siç shprehet ai, babai më tha : «Tabloja duhet të ketë dramacitet. Duhet që piktura të ketë thyerrje siç kanë thyerje dita dhe nata, errësira dhe drita, jeta dhe vdekja.” Dhe Visari vazhdon: “Sot e ndjej shumë që im atë më mungon për të ditur më shumë mbi dilemat e tij. Do duhej ta kisha pranë e ta pyesja: “Kur të ka dalë ky apo ai problem gjatë pikturimit, çfarë ke bërë? Si e ke zgjidhur, në ç’mënyrë?… Po, ai më mungon.”

Padyshim, një mjeshtër si ai kishte krijuar botën e tij përmes talentit dhe pasionit, intuitës dhe studimit, eksperiencës dhe përftimit të një kulture artistike. Një investim i madh nga i cili Visari pak kishte përfituar. Atëherë ishte arkitektura që e rrëmbente.

Në vitet ’90 – ’92 të dy pikturonin në kavaletin dhe këndin e tyre, në profilin dhe origjinalitetin e secilit. Një ditë, Visari e kishte ngacmuar duke e pyetur: “Babë, ke nis me më kopju meqë tablotë po i bën më me shumë dritë. Muslimi kishte qeshur dhe i ishte përgjigjur: “Po, por mos harro se kur të shohin tablonë tënde të tjerët do thonë: Shih, e ka bëre si Muslimi!”

E ati tashmë prej vitesh nuk është më… Padyshim, ajo që të bije në sy në tablotë e Visarit është ballafaqimi i ngjyrave, shkrirja, përplasja, krijimi i raporteve mes tyre ku okra vendoset përballë blusë, jeshilja kërkon praninë e saj, e zeza ndërhyn diku për të plotësuar diçka që mungon dhe e kuqja kërkon të dëshmojë hiret e saj. Një lojë e mrekullueshme ngjyrash që të rrëmben e të fut në botën mistike dhe enigmatike kromatike, e cila në vetvete, duke u afruar gjithnjë e më shumë tek ajo, të është gjithnjë marramendëse. Ai krijon një simfoni ngjyrash, një poetikë të natyrës si në tablonë e tij “Simfonia” e vitit 2019 me dimensione shumë të mëdha, një apoteozë e vërtetë kromatike që të mbërthen dhe me kompozicionin e saj.

Piktori franko-kinez Zao Wou-ki i parapëlqente tablotë me dimensione të mëdha. Në abstraktionet e tij ngjizej gjithnjë peizazhi. “Piktura, – thoshte ai, – është e ngjashme me ndjenjat. Nëse duam një vajzë, mendojmë që një ditë ti dërgojmë lule dhe një tjetër ditë një dhuratë. Pastaj ju dëshironi ta puthni. Janë vetëm projekte. Ndoshta në kontaktin e parë ajo do të refuzojë, ndoshta do tu japë një shpullë nëse i prekni dorën. Ndodh njëlloj dhe kur ju pikturoni dhe prekni telajon e bardhë, mendimet dhe dëshirat përballen me të dhe gjithçka ndryshon…” Nëse përmend këtë piktor që e la Kinën në rininë e tij pas Luftës së Dytë Botërore dhe erdhi në Francë për të krijuar pikturën e tij origjinale, kjo sepse ai punonte tablo me dimensione të mëdha dhe parapëlqente peizazhet në frymën e abstraksionit dhe ekspresionizmit dhe njëkohësisht me një elegancë të tradicionit të pikturës kineze. Dhe fjalët e tij, “vetëm projekte”, Visari i përjetoi më së miri. Ngjitja në art është e vështirë, me thyerje, të papritura e zigzage, por kjo nuk e dëshpëronte Mulliqin e Ri.

Më kujtohet ekspozita e tij në Paris, në « Maison de l’Albanie » para disa viteve ku ai prezantoi disa tablo të reja, krijime më të fundit të asaj periudhe, shprehje e një krijimtarie të vazhdueshme, këmbëngulëse, gjithnjë në kërkim të ngjyrave të ndezura dhe të asaj atmosfere që na çon tek ekspresionizmi, ku ngjyrat janë të forta dhe ku imazhet e fshatrave të Kosovës, disi të përhumbura, fshehur nën një tis mjegulle të zgjohen papritur përmes siluetave njerëzore, kontureve pastorale të shtëpive, të luleve ku mbizotëron e kuqja, lule që shpërthejnë nga toka e errët me një vitalitet të hatashëm çka gjendet në thelb në vetë tokën e Kosovës : e kuqe, okër, blu, e zezë… Lirika, drama dhe tragjedia brenda tyre.

Visarit nuk i pëlqen ti përzjejë ngjyrat. Ai i do të gjitha ngjyrat, ka një lidhje të veçantë me secilen prej tyre. Ngjyrat i do të pastra, të përshndritura, ku jo rrallë e ngjesh tubin e bojës drejt e mbi telajo. Si okrën ashtu dhe të gjelbërtën p.sh. ai i hedh në telajo në tone të tjera, asnjëherë në të njëjtin ton, thua se kjo do ta bënte monotone pikturën e tij. Ajo që është e rëndësishme për të është harmonia e tyre, ashtu siç është në tërësinë e tyre dhe harmonia e linjave brenda një kompozicioni të caktuar. Dhe kjo quhet mjeshtëri. Ka tablo që të gozhdojnë, që të bëjnë të mendosh gjatë, të meditosh dhe atëherë të depërtosh në një tjetër botë.

Ngjyrat si energji…

Kjo botë ngjyrash më ngjan shpesh me një det të trazuar. Është piktori që merr udhën e detit me penelin e tij. Imazhet e detit jo rrallë e grishin, e thërrasin me tallazet dhe stuhinë detare. Hap pas hapi ai kërkon të gjejë ngjyrën e këtij deti lëvizës të krijuar nga vetë ai, nga thellësitë e vetvetes. Ai shkon drejt tij, ndalet, heziton, ndjen erën të fryjë, ndoshta stuhinë, dhe nis të ngjeshë ngjyrën mbi telajo: blu, okër, një jeshile diku… I parapëlqen ti ketë ngjyrat ashtu kompakte, kërkon ballafaqimin mes tyre, kontrastet. Gjithçka në telajo krijohet në një gjendje jo të paqtë pasi është gjithnjë mistika që drejton, është ajo që e shtyn dorën e tij dhe i jep forcë. Energjia…

Visar Mulliqi e parapëlqen stuhinë, atë qiellore dhe detare. Aty gjen energjinë e natyrës dhe të vetvetes, një energji në botën e pikturës që vjen brenda atelierit të tij, depërton në shpirtin e tij dhe e shtyn me forcë drejt aventurës pikturale. Është një jetë bohemi ku ai harrohet ashtu si kërkuesit e arit duke kërkuar “pepitën” e mrekullisë. Me siguri, kur ai i ka pikturuar këto tablo të shumta në kompozicione dhe ngjyra të ndryshme ai e ka përjetuar këtë energji mistike, ka qenë në vetë gjendjen e stuhisë, pra nuk ka qenë piktori i paqtë, i ngeshëm, meditues. E kotë të bënte peizazhe të paqta sepse paqja e vendit, natyrës dhe e shpirtit nuk ekzistonte në jetën e popullit të tij. Kjo ndjesi për Visarin të vjen kur shikon tablotë “Yellow storm” të vitit 2014, të vitit 2017 dhe 2019 apo dhe “Stuhia në fshat” më 2017, ku i rikthehet stuhisë.

Rishoh tablotë e Visarit dhe për një çast e imagjinoj para telajos së bardhë tek hedh penelatat e para. Ka një lloj meditimi të gjatë jo vetëm në qëndrimin para kavaletit por dhe kur do të hedh penelatat e para, në ngjeshjen e penelit tek kërkon ngjyrën dhe e hedh mbi të bardhën e kanavacës. Gjithë kjo ka brenda një lloj tensioni por dhe diçka poetike, është vetë matrica e sensibilitetit të artistit çka është frymëzuese për një poet.

Në këtë mënyrë Van Gogh mbështetej në këtë lloj energjie të ngjyrës jo vetëm si formë por dhe nga ana gjestuale për të shprehur gjendjet e shpirtit duke i mëshuar kështu vlerave kromatike, ngjyrave të forta e vibruese ku çdo kush ndjen forcën e penelit përmes pështjelljeve tronditëse, siç e shohim në tablonë e tij me arën me grurë dhe korbat, pikturuar në Auvers-sur-Oise, pak ditë para se të vriste veten. Padyshim që edhe tek Visari si dhe shumë piktorë të tjerë, ngjyra është instrumenti parësor përmes të cilit arrin efektin e duhur, atë çka do të thotë. Dhe brenda ngjyrës është vetë diversiteti i efekteve të perspektivës, përcaktimi i atmosferës. Ç’ndodh vallë me këtë piktor kur përzjen ngjyrat mbi telajo, kur i mëshon lëndës, kur e tërheq atë lehtas në kontrast me ngjyrën tjetër përballë? Vallë dëgjon në thellësi të vetvetes një lloj muzike? A ka lidhje ngjyra me muzikën siç ndodhte me Kandinsky-n kur pikturonte dhe kur e kuqja i kujtonte fanfarat e qytetit dhe kur e kuqja “alizarine” i sillte jehonën e tingujve “aigu” të violinës? Me siguri që një shoqërim i bukur për të është xhazi, një muzikë që e nanuris dhe ai e lë në sfond pasi është lëvizja e penelit ajo që e çon në një botë tjetër ku ai është rob i saj.

Ngjyra e Visarit nuk është lineare. Ngjyra për të bëhet një mjet thelbësor e ekspresiv. Madje shpesh bëhet protogonisti i vetëm i tablosë dhe kjo, gjatë një serie apo cikli tablosh që janë ne unitet me njëra-tjetrën. Është ngjyra që ka brenda vetes energjinë dhe dinamikën, lëvizjen brenda tablosë, ajo që të tërheq dhe të bën për vete, një mistikë që na vjen nga lënda, materja pikturale. Kur flasim për ngjyrat, Visari shpesh përdor fjalën “vibron” dhe jo pa ëllim, pasi gjithnjë ka një lloj vibracioni në përdorimin e ngjyrës. Në një letër që nga Tahiti Paul Gaguin i dërgonte një miku të tij në vitin 1899, ai ndalet në përsëritjet e toneve në sensin muzikor të ngjyrës: “Këto përsëritje mendoj se Betoveni i ka përdorur shumë në sonetën e tij poetike. Delacroix p.sh. në këto akorde të përsëritura të ngjyrave kafe dhe vjollcë sugjeron dramën. Ti që shkon shpesh në Louvre mendo pak për këtë që të them dhe vështroje me vëmendje Cimabue-n. Mendo gjithashtu për partiturën muzikore që merr ngjyra e cila vibron ashtu si muzika për të shprehur forcën e brendëshme…”

Abstraksioni dhe liria

Që në fillim të krijimit të veprave abstrakte, veçanërisht në fillimet e viteve ’90 apo më ngulmas në vitet 1995-1997, ndihet fuqishëm kërkimi i lirisë në shprehinë pikturale të Visarit. Kandinsky, Alechinsky, Pollock, Klein etj., iu larguan artit figurativ në kërkim të mjeteve të tjera shprehëse, në kërkim të së bukurës, përmes formave novatore dhe forcës së ngjyrës. Ishte kërkimi i lirisë. Që në veprën e tij madhore “Du spirituel dans l’art” (“Mbi spiritualen në art » 1909) Kandinsky shkruante për “nevojën e brendëshme të artistit” ku vepra nuk duhet të varet nga kushtet e jashtme siç është modeli natyral apo njerëzor. Ajo që ishte e rëndësishme për krijimin e një vepre arti për të ishte “zëri i brendshëm” i artistit. Ai shtonte se ngjyra në vetvete ka “forca misterioze”, forca të cilat artisti i manifeston në tablo, ku ai është një lloj profeti që në sajë të forcës misterioze brenda tij e “tërheq përpara dhe në lartësi karron e rëndë dhe inerte të njerëzimit, e cila pengohet nga gurët”.

Duke vështruar tablotë e Visarit e ndjen menjëherë këtë element themeltar të pikturës së tij: spiritualen, atë që buron nga shpirti i tij, këtë forcë misterioze që e shtyn drejt telajos. Në tablotë “Vorbulla e kuqe”, “Fluturim në mëngjes” apo “Vela në përjetësi”, ndjen forcën e atyre ngjyrave misterioze. Dhe ai guxonte në kërkimin e kompozimeve të reja dhe gjithnjë në kërkim e sipër, pasi siç thoshte Picasso, “Unë kërkoj dhe unë gjej”. Dhe Visari gjen, pasi piktura kërkon gjithashtu durim, guxim dhe kurajo për të arritur atë që thoshte dhe Delacroix në ditarin e tij, për një “realizëm mistik”, në atë për të transmetuar diçka substanciale të tablosë e cila “qëndron përtej asaj që shihet, në sensibilitetin piktural në gjendjen primare”. Madje, në një bisedë me të, një ditë në Paris, Visari më thoshte: “Unë eci dhe gjej…”, thua se shpirti i tij është i ndërvarur çdo çast nga imazhet, përfytyrimet. Kjo gjë madje më kujton Da Vinçin i cili kur shkruante për retë në qiell thoshte se në to pikaste imazhe të çuditshme, vetë fytyrat njerëzore…

Muzeu imagjinar

Çdo kush në këtë botë, veçanërisht letrarët e artistët, kanë muzeun e tyre imagjinar, të përhershëm. Është ajo që ka lënë mbresë në mënyrë të fuqishme në jetën e tyre, imazhet, ngjarjet, njerëzit, gjithçka që ka lënë gjurmë në kujtesën dhe shpirtin e tyre. Janë emocione që rishfaqen sapo kujtesa i prek dhe i zbulon ato rastësisht apo kur artisti ka nevojë për ato, për referencën e tyre. Ky muze imagjinar për Visarin është tepër i pasur për faktin se fëmijëria dhe rinia e tij u ngjiz njëkohësisht me pikturën, me atelierin e atit të tij piktor, që kur ai punonte në atelier nën tymin e duhanit, fëmija e ndiqte me kureshtje atë çka ndodhte në telajo, ndiqte gjurmët që linte peneli mbi telajo duke vështruar kështu tablotë në punë e sipër me kënaqësinë dhe kureshtjen për të kapur mesazhet e tyre. Dhe atëherë kur ato ishin të pakuptueshme për të mbetej thjesht emocioni ndaj kompozicionit dhe ngjyrës, aroma e bojës, ajo botë pikturale që shumë shpejt do ta bënte për vete. Dhe kështu, vit pa viti dhe ai nisi udhën drejt pikturës, me ndrojen e një adoleshenti, vizatime në kërkim të një imazhi, ndjekur nga zëri i të atit që i jepte kurajo e qeshte me të duke e lënë të lirë, pa vënë dorë në vizatimet e tij. “Kushedi një ditë dhe ai do ta gjejë vetë udhën”, – mendonte Muslim Mulliqi.

Ndër fotografitë e shumta në atelierin e tij është dhe një fotografi e atit me biçikletën e tij ku ka hipur Visarin, djalin e vetëm të tij. Kjo biçikletë me siluetën e saj do të hynte në dy-tre tablo dhe shumë vizatime të Muslimit. Ndoshta adoleshenti e kuptoi se arti modern nuk mund të ishte thjesht realizëm apo natyralizëm, por një gjendje, një atmosferë, një gjetje pikturale, ku dhe objekti më i zakonshëm të sugjeron një ndjesi artistike. Ky vëzhgim i përditshëm, një ditë të rinisë së tij bëri që më së fundi, ai të vendosë në kavalet një telajo të bardhë për të krijuar tablonë e tij të parë. Më së fundi e kishte zgjedhur ardhmërinë e tij.

Visari i ka të ngjizura në sy tablotë e atit të tij. Cikli i kullave, ka qenë ndër më të bukurat dhe që do të mbeteshin në historinë e pikturës kosovare të shekullit XX: “Kulla e verdhë”, “Kulla e kuqe”, “Kulla e bardhë” një tablo mbi të cilën është e zeza që mbizotëron apo “Bisedë para kullës”. “I kujtoj gjithnjë ato tablo, – thotë Visari me nostalgjinë e asaj kohe. – Janë impresionante dhe me një frymë të fortë ekspresionizmi. Kulla është tipar i identitetit, kulturës dhe historisë sonë. Një element thelbësor që ai e ngriti në art”. Po, gjurmët e identitetit ishin ashtu siç ishin për Francesco Goja-n, “pintura nera” në “Quinta del Sordo”.

Herë pas here, miq të Muslimit, piktorë, kritikë arti, artistë të Kosovës, kroatë, sllovenë, malazezë, boshnjakë vinin në atelierin e tij dhe Visari dëgjonte në heshtje bisedat e tyre rreth kompozimeve, simboleve, gjestit piktural, çka e shoqëruan atë gjatë viteve në “paradhomën” e artit deri atë ditë që në atelierin e tij dhe ai të fillonte të krijonte individualitetin e tij artistik. “Unë duhet të bëj pikturën time dhe jo ashtu siç e bën ati im” – i thoshte ai vetvetes dhe pikërisht ai zgjodhi këtë rrugë, të ishte origjinal, i ndryshëm, të ishte vetë ai siç do ta shprehet më vonë dhe në ekspozitën personale më pas të titulluar “Origjinal – 100%”. Në fakt, aventura e tij pikturale nisi me nxitjen e dajës së tij, aktorit të njohur Estref Begolli, ku fillimisht punoi për dekoret e dramave “Kufiri me atdheun” apo “Tregim zoologjik” vënë në skenë në teatrin “Dodona” të Prishtinës. Por më pas fryma e ekspresionizmit e tërhiqte pa masë, duke iu larguar figuratives me shqetësimin për të mos krijuar në të njëjtën mënyrë si i ati, i cili ishte akademik dhe një nga piktorët më të shquar të gjeneratës së tij, por të krijonte botën e tij pikturale ashtu siç e ndjente, duke larguar çdo përafërsi me të. Temën e mërgimit, ngujimit, trazirat e kohës në Kosovë edhe ai i shikonte si tema të fuqishme, e megjithatë frymëzimi i brendshëm në fillimet e tij ishte drejt peizazheve, natyrës, abstraksionit. Në muzeun e tij imagjinar të fillimeve të tij ishin gjithashtu Alechinsky e më pas Pollock e të tjerë.

Tashmë at dhe bir, Mulliqi i Vjetër dhe Mulliqi i Ri punonin krah njëri-tjetrit ku i ati pëlqente të punonte në dritën natyrale dhe dritën e diellit, ndërsa biri veçse natën. Me kërkimet e tij ikonografike mbi popullin e tij, me furtunat ndër peizazhe dhe ankthet ekzistenciale në fytyrat e personazheve, Ati do ta nxiste dhe Visarin për të futur në pikturën e tij elementë figurativë. Edhe pse e kundërshtonte në princip ndikimin, kjo Visarit i erdhi në mënyrë intuitive, normale, si një kërkesë reale e mjedisit gjatë proçesit krijues. Kjo gjë ndihet gjithashtu dhe në jetën urbane që Visari ka krijuar dhe krijon, siç dëshmohet kjo në një seri tablosh të prezantuara në ekspozitën e tij të dytë në Paris në “Galerie Nicolas Deman”.

Në Parisin e munguar

Për herë të parë Parisi i ishte shfaqur në vitin 1987 kur hipur në një makinë bashkë me atin dhe nënën e tij nga jugu i Francës i drejtoheshin Parisit. Një udhëtim i lodhshëm por mjaft i bukur çka i mbeti në kujtesë. Muslimi kishte një dashuri të veçantë për Francën po mungesa e një kontakti me galeristë parisianë nuk e bënë të mundur në atë kohë që dhe tablotë e tij të prezantoheshin para publikut francez. Por këtë e realizoi i biri në kohë të tjera, kur Kosova e flaku barrën e zgjedhës dhe kur pas Vjenës ai do të lidhej me galeristin parisian Nicolas Deman. Një ditë, kur e pyeta Visari se ç’përfaqësonte Parisi për të, ai mu përgjigj se Parisi përfaqësonte shumçka, se padyshim ishte atmosfera e artit të metropolit europian që e rrethonte ngado. Çdo vit ai vjen në Paris dhe nuk është e mundur te ndodhë e kundërta: galeritë e ndryshme, individualitetet artistike që prezantohen nga e gjithë bota, moderniteti, sprovat e shumta në kërkim të së bukurës, të vlerave artistike, shkollave dhe rrymave të ndryshme. Në çdo rrugë të Parisit janë gjurmët e artistëve të mëdhenj jo vetëm të Francës por dhe të atyre që zbarkuan drejt aventurës së artit në këtë vend në fillimet e shekullit XX për të krijuar atë lëvizje që do të quhej më pas “L’Ecole de Paris” apo “Shkolla e Parisit”.

Në fakt, ishte miku i tij, stilisti Izet Curri i cili do të kuronte ekspozitën e tij të parë në Paris në mars të vitit 2015. Një galeri në qëndër të Parisit, në botën e galerive parisiane pranë Rue de Seine të lagjes së Saint-Germain-dès-Près dhe pikërisht në galerinë që ndodhet pranë të famshmes kafe-restorantit “La Palette” (“Paleta”) në të cilën në vitet ’30 të shekullit XX vinin studentët e Akademisë së Arteve të Bukura aty pranë në Rue des Beaux Arts, ndër të cilët dhe studenti Sadik Kaceli. Në vitet ’60-‘80 kjo kafene ishte e parapëlqyera për piktorin turk Abedin Dino me origjinë shqiptare, piktori që punoi një kohë në të njëjtin atelier me Picasso dhe Chagall në Saint-Paul-de-Vence. Është një kafene mitike ku piktorët e rinj që s’kishin para për të paguar dhe i linin patronit një tablo apo paletën e tyre, çka bëri që këto paleta të bojës të shtoheshin dhe që sot i sheh në muret dhe deri në tavanet e kafenesë ku mund të pikasësh paletat me ngjyrat e ngrira sipër tyre si të jetë një “muze paletash”.

Nicolas Deman, i cili prej dekadash ka promovuar në këtë galeri piktorë nga vende të ndryshme të botës, kur pa tablotë e Visarit pranoi menjëherë hapjen e ekspozitës së tij në dy sallonet e galerisë në mars të vitit 2015. Në rreth 30 tablo të mëdha shquheshin kompozime mjaft interesante, me ngjyra të ndezura dhe shumë ekspresive që të tërhiqnin menjëherë në botën e tyre. Secila sillte një mesazh të caktuar. Në një nga tablotë e titulluar “Gjuetia”, e ndjen menjëherë furinë ndjekjes së prehës çka ndodh gjatë gjuetisë, ku e kuqja poshtë tablosë na evokon gjakun, vrasjen e kafshës. Vetëm katër ngjyra zotërojnë në këtë tablo: e zeza, e kuqja, jeshilja dhe e bardha. Në fakt duket se është e zeza që konturon gjithçka. Në katalogun e kësaj ekspozite piktori dhe kritiku kroat Brane Koviç, duke shkruar për diskursin piktural të Visarit në parathënien “Visar Mulliqi: fragmente të një diskursi piktural”, nënvizon se “ Arti i tij bën pjesë në risinë e pikturës gjestuale me aksente të forta kromatike. Si një piktor i Kosovës ai është shumë i pranishëm në jetën kulturore të mjedisit të tij dhe i frymëzuar nga një lloj tradite ekspresioniste (një nga përfaqësuesit e veçantë ishte mes të tjerash ati i tij, Muslim Mulliqi) ku bashkon në veprat e tij dëshirën primare për të artikuluar një diskurs personal mbi aktualitetin vizual dhe energjinë krijuese të nevojshme për ta formalizuar atë…”

ObserverKult


Lexo edhe:

LUAN RAMA: MË MERR FRYMËN KY MALL…