Në leximin e dytë, romani “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës” i shkrimtarit Rudolf Marku, do të thosha menjëherë se më pëlqeu edhe më shumë, duke më emocionuar sërish me rrëfimin tërheqës, tekstin kumtues, personazhet e gjallë, përsiatjet, nëntekstet tronditëse, e gjitha si një dëshmi artistike ngërthyese e kohëve, vendeve dhe fateve, e vërtetë në raport me të vërtetën, sipas një fiction romanesk, që rikrijon gjendje dhe të vërteta të saj, duke u bërë një afresk i së bukurës. Edhe kur kemi të bëjmë me bëma jo të bukura, madje të rëndomta e të shëmtuara, neveritëse, shpesh të dënueshme të një të shkuare vrastare, me absurd deri në grotesk e humor trishtues, na përhitet estetika e së bukurës si ndjenjë e mendim, si fjalë dhe imazh që shpërthen prej saj.
Dhe mbase kjo ka sekretin nga që kemi të bëjmë, jo vetëm me një roman dashurie, por të shkruar nga dashuria, me pasion, për njerëz pasionantë, – susta e brendshme e gjithsecilit në këtë vepër, që i hedh në jetë për të dashur deri në vetëshkatërrim. Ishte një kohë kur me dashurinë nuk ndërtohej dot, por ndihësh i rrethuar si një Trojë që e pret rrënimi.
Kush njeh shkrimtarin Rudolf Marku, lexuesi që e ka ndjekur, sigurisht duhet të ketë vënë re se ai dhe në një poezi ka trusni e tensione që do të donin shtrirjen e prozës, kurse në prozë ka begati poezie. Kjo dukuri, sipas meje, i jep poetit sublimitet, të sintetizuar nga përditshmëria, e rëndomtë ose jo, e madhe apo e madhërishme, ndërsa romancierit i jep atë metaforë që nxori sentencën e kritikëve të letërsisë se prozën më të mirë e bëjnë poetët.
Kujtoj se qysh në kapërcyell të viteve ’70 të shekullit që kaloi, Rudolfi student botoi poezi marramendëse, nga që ishin disi ndryshe nga ato të socrealizmit. Poezia “I vonuari”, duke i shpëtuar censurës, fati i saj, mund të ishte, sipas meje, himni i heshtur i brezit tonë, credo-ja e thyer dhe ngushëllimi kolektiv i atyre të pafatëve të ndëshkuar të jenë brezi pas fitimtarëve, aq më keq në diktatura.
E kotë britma për ty,
mbyte dhembjen pa mëshirë,
se unë e di ç’do të thotë
të jesh i vonë dhe i mirë.
Megjithatë
shoqëroje veten
me hapat e tua.
Ashtu u bë, hapat zvarriteshin pas një ëndrre-tantal. Por të fundit ndonjëherë bëhen të parët, e thotë dhe Bibla. I vonuari pa emër në poezinë më të parë të Rudolf Markut është në fakt i parakohshmi, pararendësi, prekursori në romanin e tij më të fundit, “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës”, mësuesi i letërsisë Nik Gruda në qytetin e vogël verior, ku fryjnë erëra qerthullore dhe marrëzira pafund dhe pikërisht kjo e dyta është shkaku i vërvitjes së njerëzve mbi çati e i fantaksjeve nëpër hënë e i asaj urrejtje të kotë, nga që dashuria ka lënë boshin e saj, sepse sulmohet, fyhet, është me plagë, ilegale, ndërkohë e gjithëpranishme si obsesion dhe zhgjëndërr dhe vetvete.
Qyteti i këtij romani nuk është sfond, por përmbajtje, kompleksi i vendlindjes, nuk është rrugë e banesa, por copëz atdheu i dhembjes, më shumë se sa qytetas, aty gëlojnë qenie që kanë vegimin më të fortë se realiteti, që ç’nuk bëjnë për t’u ndjerë, për të mos mbetur të paqenë shpikin e shpifin, denoncojnë, që, për çudi, ngjan më shumë si aktivitet se sa si ligësi. Ligësia është më lart dhe vjen si rrebesh, që e përhap përmbytjen me barazi socialiste gjithandej. Realiteti i këtij qyteti të vogël ka përmasat e së tepërtës, një kalendar mitik si i Kronosit me kosë në dorë, tepria gëlltitëse.
Të mjerët janë ata që s’kanë dashuri, thoshte Nënë Tereza. Në këtë kuptim ky roman është i mjerimit dhe i kundërmjerimit njëherësh, që sjell dritë, jo atë të llambave të shtëpive tona të varfra, por dritë vetëtimash me shkreptima. Ne jemi ajo që kujtojmë, thoshte një poet i njohur evropian. Ky është romani i kujtimit të dashurisë, pra roman dashurie dhe si i tillë s’është më kujtim, por dashuri aktive gjithkund, frymë e njënjëshme edhe kur ndërrohen skenat, nga qyteti i vogël në Veri të Shqipërisë në Londër, Moskë, San Francisko, duke mbetur vazhdimisht frymëzues. Ky roman pohon duke mohuar dhe mohon duke pohuar, shkel kufijtë për të cilët edhe dënoheshe.
Diktatura nuk janë vetëm ato të mungesës së lirive dhe të varfërisë, se në kushte të atilla edhe mund të çmendesh dhe siguron iluzionin e lirisë dhe përtyp bukë të thatë idealesh, por diktatura e përçudnimeve që na shpaloset në këtë roman, ajo që sjell zvetënimet dhe bën shëmtinë normalitet, nën një luftë klasash kundër bukurisë, e cila me mundësinë e parë ikën, kërkon të dalë dhe nga kujtimet. Sikur krijohet një gjendje e palumtur, por pikërisht ajo luftë e gjithë jetës për të qenë një çast i lumtur, është vete lumturia.
Shembja e diktaturave të përçudnimit është punë poetësh, e gjithë artistëve luftëtarë, e “të vonuarve-pararojë”. Në fushën e betejës s’ka gjë që shqytarët kundërshtarë, aq shumë shamatorë, në dorezat e shpatave të tyre, në përkrenaret e mburojat kanë gdhendjet ornamentale të armiqve të tyre, të artistëve, që e mbajnë frymën me pagën e atyre që duan të përmbysin.
Ndërrimi i kohëve ndërron mendësitë, interesat, marrëdhëniet dhe sjelljet, por në romanin e Rudolf Markut, që është përtej politizimeve, si epilog shpërthen nauzea, pështjellimet, një lloj zbrazje edhe fizike nga e kaluara, një çlirim, që, nëse më lejohet të them, “një 29 nëntor të vjellash”.
Si lexues më në fund të kap kërshëria hakmarrëse se kush fshihej pas këtij apo atij emri e asaj ndodhie e atij qyteti, meqenëse kemi të bëjmë me një roman sa jetësor, aq dhe të besueshëm, ku çdo mosngjashmëri do ta nervozonte gëzueshëm autorin tonë sarkastik? Dhe arrin në përfundimin se je ti vetë, jemi ne, qyteti ynë, është dashuria jote. Emrat si Eva biblike, Kësulëkuqja e përrallave tashmë janë universalë.
Letërsia kështu arrin tani që ne të lexojmë vetveten. Ajo nuk është më pronë e shtetit dhe nuk përdoret më për qëllimet e saj sunduese, për mashtrime e propagandë e maskime djallëzore. Është e njeriut dhe për atë.
Dhe do të na pëlqente, shtoj, që të kishim më shpesh botime nga shkrimtari Rudolf Marku, ai duket se i vjen rrallë lexuesit të tij. Por vepra e tij na bën ta tejkalojmë këtë dëshirë me rileximin. Ai, si të paktët, është i rilexueshëm në letrat tona.
ObserverKult