Visar Zhiti: Duke të dashur ty merr kuptim çdo ngjarje

Pse vij aq shpesh andej nga lagjja jote
plot dritare dhe mollë,
e natyrshme m’u bë siç është e natyrshme
të bëhet mbrëmje.
U shkundën yjet, mjaft, boll,
le të ndrisin këngët ku të përfytyroj me ëndje!

Ledhatoj me sy shtegun ku e sorkadhtë ke ecur,
puth kroin ku ke pirë e mbushe bucelat antike.
Vetë ajri fërgëllon si një e qeshur,
si një dënesë dashurie.

Ja, m’u afrua pranë një kalë dasme i bardhë,
a mund ta ngarkoj me ëndrrat e mia?
Ti asgjë s’dije dhe këtë radhë
se na ndanin vetëm ca pemë
dhe drojtja e kotë apo magjia?

Pse dole, më ndjeve si një fllad,
ku po shkon nën dritaren e hapur si nën hënë?
Duajt e grurit ti po i kap,
jam unë herë pas here në ata duaj të rënë.

Unë e mbolla atë arë, e korra, e lidha
dhe ti po e mbart në krahë tani.
Kallinjtë po mërmërisin fjalë të florinjta,
janë fjalët e mia të rënduara me dashuri.

Duke të dashur ty merr kuptim çdo ngjarje
dhe mbrëmja dhe të punuarit lodhës.
Po të mos ishte dashuria,
s’do t’u bënim fare dritare
(sado të vogla) kullave të kohës.

Kukës, Vilë, 197…

*Titulli i origjinalit: “Kërkim dashurie në veri”

————————————

LEXO EDHE: “JU TREGOJ TË PANJOHURAT E VAÇE ZELËS, ILIA SHYTIT DHE VISAR ZHITIT…”

Lushnja është ndër qytetet që ka pasur një jetë artistike shumë të pasur në sistemin komunist. Prej jetës artistike të këtij qyteti kanë dalë aktorë, shkrimtarë, poetë, piktorë të mëdhenj, si Ilia Shyti, Margarita Xhepa, Pavlina Mani, Faslli Haliti, Visar Zhiti…etj. Në vazhdim mund ta lexoni intervistën e ish-regjisorit të Shtëpisë së Kulturës në Lushnje, Tahsin Demiraj, të cilën e dha kohë më parë.

-Si filloi jeta juaj artistike, cilët ishin pedagogët dhe si u vendosët në Lushnje?

-Mbarova Liceun për artet pamore, figurative dhe shkollën e lartë për dramaturgji, regjisurë, pasi aty pashë veten time. Ishin vitet 1960. Një ndër ta, ai që më ndoqi dhe më ndihmoi më shumë…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU