Visar Zhiti: Duke treguar veten, ke thënë për të tjerët dhe kohën

Visar ZHITI


Nga Visar Zhiti

(Fragment nga parathënia e librit “Dhimbje mërgimi” të Bajram Karabollit)

Se cili është në të vërtetë autori, mjafton ta lexosh, ndoshta më mirë se kudo tregohet me librin e tij më të fundit “Dhimbje mërgimi”, me mbresa, përsiatje dhe ese, që i ngjajnë një bisedë mes miqsh, e sinqertë, me shqetësimet e kohës, edhe pse informacioni është i kursyer.

Ashtu siç ke atdheun me vete kudo që shkon, brenda vetes, mund të jesh i mërguar dhe në vendin tënd, kur ai të trajton si një të huaj, që të spraps. Na kap dhe kjo ndjesi duke lexuar këtë libër të veçantë, ku përzihen rrëfimi me kritikën letrare, përshkrimin e udhëtimit me tronditjet, ndërrimi i kohëve me zbulimin, etj.

Thjeshtësisht ky libër shpalos copëza të pakta ndodhish vetjake, por që kanë një shtrirje rrafshi ndërkontinental, ndërkaq një udhëtim i gjatë kësisoj, deri prapa botës, përmblidhet në një dridhmë, në një peng intim.

Duket si një ditar, ku ditët dhe ngjarjet e tyre janë më vete, vogëlane, që duke vazhduar te njëra-tjetra sikur madhohen dhe i japin përmbledhjes një unitet edhe atje ku gjinitë letrare janë të ndryshme. I bashkon filli rrëfyes, morali me atë këmbënguljen për të mbetur ai që je, vetvetja gjithkund, mendimet për fatin tënd dhe për të tjerët, që mund të jenë dhe libër, por dhe punë, zeja e përkthimit, e lashtë sa vetë gjuhët, e zbuluar rishtazi dhe që e zbuloi, duke u bërë një e përbashkët.

Gjithsesi kemi të bëjmë me një përmbledhje të rrudhur në non fiction, ku fantazia i është lënë realitetit, le t’i krijojë ngjarjet siç i krijon, që në këtë rast është me të vërtetë një vlerë, por me gjakimin që të shkruhen hapur dhe qartë, thjeshtë dhe ngrohtë, shkurt në nderim të lexuesit të tyre.

Si për të na bindur për të vërtetat e tij, shpesh ndeshim me emra të njohur, realë dhe me konsideratat për ta, teksa përsiatjet, ndjesitë janë gjithsesi realitet i tij, atij të brendshmit, po aq i rëndësishëm, në mos më shumë se ai i jashtmi, sidomos për shkrimtarin.

Siç dhe e thamë, autori zgjedh të fillojë me 1997:
“…Vit i ububushëm. Rrugët, pyjet, lumenjtë, ajri, tërë vendi, u mbyt në urrejtje, mllef, tërbim. Mllef pushtet-humbësish, tërbim fanatikësh të indoktrinuar. Nuk ishte parë më që, nga tribunat e politikanëve dhe faqet e gazetave, të hidhej aq shumë baltë dhe urrejtje mbi vëllain…”

Vërtet ngjante me një apokalips, që ndryshoi ndryshimet e porsa nisura. Shqipëria kishte marrë rrugën e vështirë të demokracisë, kishte hapur burgjet politike, po krijonte shtetin e së drejtës, prona po kërkohej t’u kthehej pronarëve, ndërkaq po bëheshin pronarët e rinj, shumë nga ata që kishin qenë kundër pronës, po ndërtohej kapitalizmi, edhe pse me ata që ishin rritur si armiq të kapitalizmit, me mashtrime, që kulmuan me piramidat financiare, që u bënë befas dhe shkaku i një rebelimi masiv, të pa parë, ku tani u hapën dhe depot e armëve të ushtrisë, duke u armatosur gjithë shqiptarët, edhe fëmijët, dhe u çarmatos Shqipëria.

DHIMBJE MËRGIMI, Bajram Karabolli

ObserverKult

Lexo edhe:

VISAR ZHITI: MË REVOLTON KUR NUK REVOLTOHEMI, MË TMERRON KUR NUK TMERROHEMI…