Visar Zhiti: Nuk je vetëm…

Visar ZHITI
Visar Zhiti


Drita e agimit të sotshëm derdhet mbi dritaren tënde, të duket se do të thirresh pas pak për një shëtitje në rrugë, mund të ndjehesh për një çast larg dhe i harruar, por në çdo hap të vijnë zëra dhe shenja dhe kumte dhe e kupton se je me të gjithë, ja, flamujt që i fryn era e mëngjezit dhe një lule e kuqe në urën e vogël që i gëzohet ujit të ri, po ky zog që të vjen te këmbët ç’kërkon të të thotë nga qielli dhe lulet blu mbi bar vezullojnë më tej si gurë të çmuar bizhush, një stol ku mund të shplodhesh pak, po ai është dhe një kujtim në nderim të një emri, që s’e ke dëgjuar kurrë, por të rrëfehet në heshtje, ti vazhdon shëtitjen tënde, shtëpitë anash rrugëve këtu s’kanë gardhe, as mur, të hapura, ndodh të ndeshësh tabela të ndryshme mbi bar, të tërheq vëmëndjen njëra, urrejtja s’ka vend këtu, ja, dhe tjetra, shpresa është gjallë, shkruhet, para një pallati është një raft librash, pa çelës, pa kapak, mund tē marresh një libër dhe e sjell në shëtitjen tjetër a lë një libër për këdoqoftë, muzeu i lagjes pak më tej, statujat e rosave, pra, jo vetëm të heronjve, vazhdon shëtitjen, arrin te shinat e trenit, gjithmonë të kanë pëlqyer, zgjaten bashkë me mendimet e tua për në pafundësinë e bukur, kështu të duket, kujton për një çast Ana Kareninën e romanit të Tolstoit, por aty afër është një starbucks, më mirë një kafe amerikane, e porosit dhe me të në dorë merr rrugën e kthimit, te shkallēt e një shtëpie shikon një engjëll të zbathur prej guri, ndoshta po pret të zotërit e shtëpisë a ty dhe ti ke vërtet një pyetje dhe i afrohesh me kujdes, se mos e tremb nga ëndërrimi…

ObserverKult

Lexo edhe:

VISAR ZHITI: “BIR, NDIHMOJE POPULLIN TIM…”