– Rrugëve të Torinos dikur –
Nga Visar Zhiti
Kur më ndodhte të shkoja në veri të Italisë, në Torino, gjithmonë më ndërmendej Migjeni, ai kishte shkuar atje për t’u kuruar nga tuberkulozi në sanatoriumin Torre Pellice… atëhere sëmundje e pashërueshme dhe… nuk u kthye i gjallë…
Duhet të ketë ecur këtyre rrugëve, – mendoja duke u endur nëpër Torino, – njëra nga këto rrugë edhe mund të merrte emrin e tij apo një pllakë mermeri mund të vihej në muret e hotelit ku ndejti a në sanatorium… Po kjo është punë ambasade, – thosha, – unë thjesht mund të shkruaj një poezi. Dhe më vinte si në shkodrançe… pikat e shiut të Torinos më bëheshin retiçenca pas fjalëve…
Po e sjell sonte, e nxora nga libri im “Thesaret e frikës”:
FANTAZMË SHIU NË TORINO
… bie shi i huej, të lag njëlloj ……… eci
nën portikët e përsëritshëm… si ditët. Niçeja pati të drejtë ……… që vendosi
me u çmendë këtu…
Po unë i çmendun erdha… kërkoj…
një sanatoriumin …….. atë t’Migjenit,
s’di a asht larg,
… këndej shkohet? ………. Po, andej nga dhimba… M’kamb’?… Me tren… autobuz?…… apo taksi? I vetmi mjet
që të çon…… asht loti. …… Varri
i Migjenit bosh…… për t’na kujtue ndoshta se poetët s’kanë vdekje?
Na thoshin
nëpër shkolla kështu… E thonë prapë? … Se ata aq shumë vdesin… ndoshta sa për t’gjithë …………………
Me një arkëmort mbi supe……… eci… fantazmë shiu… i Torinos… si refugjat
i mallkuem…
ObserverKult
Lexo edhe:
VISAR ZHITI: TË DUASH, JO VETËM NJË DITË DHE NË FESTËN E DASHURISË, POR GJITHË JETËN…