Visar Zhiti: Poezi në mure

Visar ZHITI

Nga Visar Zhiti

Në Itali ndodh të shohësh në muret e shtëpive në rrugë a ndanë shesheve vargje poezish. Të jetë ndonjë nismë kështu? E bashkive të qyteteve turistike? Apo i shkrepet ndokujt që në murin e tij të vërë një poezi? Rëndësi ka që ajo është…
Në Salernon e bukur një ditë në një mur u dukën dhe vargje të miat, në fakt aq ishte e gjithë ajo poezi, një varg. Gjendet dhe në njërin prej librave të mi, të botuar në Itali kohë më parë, “Confessione senza altari”. (“Rrëfim pa altarë”), përkthyer mjeshtërisht nga Prof. Elio Miracco, botim dygjuhêsh nga “Diana Edizioni”.
Risjell pamjen e atij muri të zakonshëm, të verdhëllemtë, ku është lyer me të bardhë pjesa ku janë vargjet, të shkruar me shkronja dore e me ndonjë zbukurim, lule e gjethe e arabeskë. Dhe emri im më poshtë me kapitale. Kujtoj muret tona, me slloganet politike, sa më në rrethinë, aq më shumë sharje dhe errësirë, tani ka dhe reklama, fushata zgjedhore, etj, etj. Po poezia? A ka librari lagjeve?
Kur ngjit shkallët e asaj shtëpie në Salerno me vargjet e mia në mur, përballë kangjelave të hekurta ke për të lexuar, sigurisht në italisht:

E daccapo
è giunta l’epoca di pensare,
o cuore!


Ja, si janë në libër në shqip:

Ty prapë
të erdhi koha të mendosh,
o zemër!


Edhe vargjet ashtu si shkallët sikur duan të të çojnë më lart.
– Po zemra s’mendon, veç ndjen, – më tha një zë brenda vetes.
– Prandaj, – u përgjigja po unë. – Të mendojë…
– Çfarë?
– Zemrat e tjera, të dijë t’i dojë se dhe veten do ta dojë më mirë. Edhe mendimi ka gjak.
Poezia muret i bën të ndjejnë, ndërsa muret e zemrave t’i mbushë me mendim.

ObserverKult

Lexo edhe:

VISAR ZHITI: NJË KËMBË E VOCKËL GODET BRENDA BARKUT