“Ndiej nevojën e një rrëfimi, si në kishë, i gjunjëzuar para ikonës… së tim biri. Ai nuk do të më përgjigjet, e ka të pamundur tani… ah! Dhe e di, radhën do ta kishin çështje të tjera… që më therin shpirtin, por nuk do të hapja dot gojë, më ka ngrirë. Atëherë ky rrëfim do të jetë arsye për të folur, ndërkaq plotësoj edhe njërën nga porositë. Poeti sipas Atjonit. Mbase këtu duhet të mbetem”.
Atjoni, ajo flakëz gëzimi e fikur para kohe do të mbetet përjetë i ndezur në shpirtin e prindërve, e të atit Visarit, që Zoti i ka dhënë të vetmin ngushëllim, të shkruarit. Janë qindra përse që ia tha dhe nuk ia tha dot të birit e që, në njëfarë mënyre, sot duhet t’i thotë. “Si na erdhi ai, i ndaluari…” është libri i Visar Zhitit, botuar nga shtëpia botuese “OMSCA 1”.
Një libër në formën e një rrëfimi, ku ndërthuren kujtime nga e shkuara, nga ato vite ferri dhe e tashmja. “Shkas dhe protagonistë janë poeti rus Evgeni Jevtushenko bashkë me një student shqiptar me emrin Atjon, biri i autorit.
Nëpërmjet kësaj trinie përmblidhen këtu një sprovë e thukët, shoqëruar me brilante nga krijimtaria e Jevtushenkos, si dhe një përshkrim udhëtimi në vendin e tij me frymëzime nga andej, të përziera si rrallëherë në një libër. Ky takim dritëhijesh, që vazhdojnë dhe në të përtejmen, përbën një përsiatje për të kuptuar më mirë veten si një e vërtetë dramatikisht e bukur”, njofton botuesi për librin e Zhitit.
Në morinë e rrëfimeve dhe mendimeve të Zhitit për sa më sipër, po shkëpusim disa faqe mbi raportin e Enver Hoxhës me artin dhe letërsinë, si e përdorte për qëllimet e veta, vizitën e Jevtushenkos në Tiranë dhe natën në vilën e ish-kryeministrit të vetëvrarë.
Në rrjedhën e rrëfimeve, Zhiti shkëput edhe dy momente që e kanë lidhur me Edi Ramën artist dhe kryeministër; dikur në Lushnjë, kur Visari punonte në një fabrikë tullash dhe në kohën kur diskutohej emërimi i tij si ambasador i Shqipërisë në Vatikan.
VISAR ZHITI
DIKTATORI ENVER HOXHA A KISHTE TË PËRKËDHELURIT E VET?
Thjesht si në një bisedë, jo si në konferencë, do të thosha se ai ishte tejet i vëmendshëm ndaj letërsisë dhe arteve, i ndiqte dhe u printe atyre, i mbështeste dhe i pengonte, zbulonte prirje, arritje dhe armiq, vlerësonte dhe zhvlerësonte vepra dhe autorë, paguante shkrimtarë e artistë profesionistë dhe dënonte të tillë, ndonjëherë të njëjtë, të gjallë e të vdekur, fuste burgjeve, rroposte ç’nuk pëlqente, deri edhe lexues etj.
Bënte pjesëmarrësin, herë si kritik arti dhe herë si autor, shkruante dhe vetë, kujtimet, p.sh., që në çdo ribotim kishin ndryshime, se ndonjë nga personazhet e mëparshme, bashkëluftëtar a bashkëpunëtor, ministër, kryeministër etj., mund të kishte tradhtuar e ishte flakur në burg a ishte pushkatuar dhe fytyra e tij nxihej në fotot në grup që ilustronin librin, emri ose hiqej ose shahej mizorisht.
Diktatori shkonte në teatër, vizitonte ekspozita dhe studio, takonte shkrimtarë e artistë, kishte marrë pjesë në mbledhjet e tyre, kongreset, jepte direktiva, krijonte përçarje dhe mbante anën e një grupi, sipas interesit, herë të më të rinjve, kur dhe vetë ishte më i ri, dhe herë të konservatorëve, fanatikëve, kur po plakej dhe ishte bërë i gjithëpushtetshëm etj., etj., dhe vazhdimisht theksonte që shkrimtarët dhe artistët janë të Partisë, ajo i rriti dhe i edukoi dhe veprat e tyre i shërbejnë çështjes, kauzës, socializmit etj.,
Shkrimtarët e socrealizmit ishin mjeshtër të të pavërtetave, ata përshtatnin veprat e letërsisë sovjetike, legjendarizonin, p.sh., Luftën Nacionalçlirimtare të partizanëve, sidomos udhëheqjen e saj, komandantin, ndërkaq me epopenë e Ballit Kombëtar bënin të kundërtën, e përtallën, kolektivizimet trajtoheshin si në letërsinë sovjetike, po kështu mashtruan me armiqtë e brendshëm; ashtu siç i sajonte ata partia, që i pushkatonte pa faj, edhe letërsia e socrealizmit sabotonte të vërtetën, duke bërë kështu “Kënetën” malarike letrare, lufta jashtë kundër revizionizmit modern nuk ishte dhe aq parimore, por përpjekje e dhunshme për të ruajtur sundimin brenda.
Tabloja e mbledhjes së 81 partive në Moskë, duke karikaturizuar liberalin Hrushov me bashkëpunëtorët dhe duke bërë epikë Enver Hoxhën me shokë, ishte propagandë acaruese dhe, kur Enveri i hiqte dhe i pushkatonte ca nga ata shokët, si p.sh. kryeministrin, ministrin e mbrojtjes etj., edhe autorët i hiqnin nga tabloja artistike, duke derdhur mbi portretet e tyre sërish bojë mashtrimi.
Plagjiaturat vazhdojnë, shkrimtarët me emër besojnë se u takojnë atyre gjetjet dhe vlerat, sidomos kur vijnë nga të dënuarit, sepse sipas mendësisë e praktikave të dikurshme, atyre u merreshin pasuritë, floriri, koha, mënyra e jetesës etj. Në vend që të njiheshin si prurje të tyre e të përuroheshin si të tilla, heshtet skuthshëm. Përgjithësisht shkrimtarët e socrealizmit nuk shquheshin për dashuri ndaj njëri-tjetrit ose që të kenë përkrahur më të rinjtë, kolektivitetin anonim – po, pra askënd.
VILA E KRYEMINISTRIT
Jam i pari shkrimtar rus që vizitoi Shqipërinë pas rënies së Murit të Berlinit, – kështu do të më thoshte Jevtushenkoja, jo pa mburrje, larg, në një vend të huaj e mbase ai ishte dhe shkrimtari i parë i huaj që, ndërsa perandoria komuniste binte, shkelte vendin tonë, por edhe i fundit, thashë me vete, kur diktatura ishte zëvendësuar me një qeveri teknike, mes varfërisë dhe kaosit. Më ngërtheu një si trishtim atëherë, kur lexoja lajmin e asaj vizite dhe s’ndodhesha në atdhe.
Ishte hera e parë që dilja jashtë vendit dhe po vazhdoja i trallisur një specializim gazetarie në Itali.
Në Tiranë ishin shpërthyer portat e ambasadave dhe ishin dyndur njerëz që donin të iknin, ndërsa në portin e Barit kishin zbarkuar mijëra bashkatdhetarë të mi, me ato anijet fantazmë, të rrëmbyera, dhe në të gjitha stacionet kryesore televizive të botës jepeshin imazhe dramatike të këtij eksodi të pabesueshëm.
Nuk doja të kthehesha aq shpejt, por atje isha njohur me Edën dhe s’dija ç’do të bënim, asaj i qe dhënë e drejta të vazhdonte studimet universitare, i kishte me shumë qejf, megjithëse Amerika ishte ëndrra e saj, atje ku kishte të afërmit e arratisur që gjatë luftës dhe i vëllai i kishte ikur me eksodin, kurse unë, po të donte ajo, do të përpiqesha se mos vendoseshim në Itali, në Milano, se… asgjë nuk kishim të sigurt. Por unë s’isha ngopur ende me atdhe, me lirinë e tij dhe timen, të isha dhe unë pjesë e rimëkëmbjes. Është mirë të punosh për vendin tënd, më thoshin miq italianë, ti atje duhesh tani… Eh, duhej të vendosnim me Edën se ç’do të bënim. Po ne s’kishim as shtëpi…
Dhe Jevtushenkoja po na vinte për një vizitë. Jo, jo, i vinte Shqipërisë dhe unë s’do të isha aty. Më dukej si një padrejtësi që ia bëja vetes. Vinte ai, i ndaluari. Mirë dhe kështu, se ky që do të vinte, do të ishte Jevtushenkoja tjetër dhe jo ai imi i qelive të burgut. Gjithsesi duhej ta takoja. S’ka gjë, ja, do ta shihnin të tjerë.
Po unë do t’i thosha që jam dënuar për ty, për poezitë e tua, por mbase ia thotë ndokush, shok imi… …Më shumë u ngazëllye me Pazarin e Ri në Tiranë, qe çlodhur nga bezditë e pritjes zyrtare, zhurmat demokratike, nga tronditja që i kishte shkaktuar varfëria, “më e madhe se në Rusi”, kështu kishte thënë, të cilën e dinte më të varfrën në botë. Por ja që ka më të varfër se më të varfrit. Këtë vend e paskan drejtuar kriminelë, iu kthye me mllef të qetë Londos.
Në Pazarin e Ri kishte vajtur vetëm, herët në mëngjesin e freskët të atij dhjetori aq të butë. Shitësit e paktë kishin hapur mbi tezgat e lagështa prodhimet e stinës: patate, qepë, mollë, bulmet, më tej zogj, pula, mishra të varura. Gjindja e kishte njohur, po e thërrisnin në emër: Jevtushenko, Jevtushenko, çudi!. Ndokush dhe donte t’i jepte ndonjë frutë, mollë a gjelin, ta përqafonte… Lavdia, njohja si kishin arritur deri këtu, me ç’magji? Një natë më parë e kishin parë në televizor, kishte dhënë një intervistë të gjatë dhe kaq mjaftonte për t’u miqësuar me të. Jemi me poetin disident, e nisi bisedën e saj gazetarja. As jam dhe as më duhet, i kishte mërmëritur Jevtushenkoja Londos, që do të përkthente… Ecte me hapa të gjatë përmes Pazarit të Ri dhe përshëndeste me dorë a duke tundur kryet leshradrejtë, që, edhe pse të rralluara, në ngjyrën gri të ditës, ia arrinin ballin. Kështu po e përfytyroja. Diku dhe do të ndalej. Për aq sa donte, merrej vesh.
Dhe do të zbërthente kopsat e xhaketës a do ta hiqte fare. S’është dimër ky këtu. Që e joshnin pazaret, kuptohet dhe nga poezia e tij “Pazari i Samarkandit”, e kisha sjellë në shqip, që kur isha student. I kishin pëlqyer dhe studiot e piktorëve në Tiranë, por sidomos buka thatë me djathë. Ma gjej, e dua patjetër, ndiej pështjellim në stomak.
Më thanë se i kishte pëlqyer Jugu, deti… Jevtushenkoja kishte bujtur në “Bllok”, jo shumë larg vilës së diktatorit Enver Hoxha. Ndoshta do të kishte dashur ta vizitonte, të shihte dhe telefonat, ku Stalini nga ferri e merrte për t’i dhënë porosi, por jo, ajo vilë ende mbahej mbyllur dhe e çuan të flinte në vilën e kryeministrit të (vetë)vrarë, të Mehmet Shehut.
Janë interesante përjetimet e ndryshme në atë vilë misterioze. Zgjime natën, rënkime të përgjakura, ikje për të mos u kthyer më. E dija se atje kishin bujtur dhe të tjerë, me famë, pa famë, që kishin ardhur për vizitë në Tiranë. Nga ata që njihja unë, shkrimtarit nga Prishtina Adem Demaçi, i njohur për burgjet e gjata në ish-Jugosllavi, pas gjumit aty a mosgjumit, sikur iu trondit ca sindroma e mbetur e enverizmit, kështu m’u duk, si me tjetër ankth.
Edhe Mentor Çoku, president i Unionit Islamik për Perëndimin në Romë, sikur donte të fliste për natën që kaloi aty. Në zë kishte një si triumf mbi jezitin. Kurse shkrimtari-shkencëtar, argjentinasi me origjinë arbëreshe nga njëri gjysh, Ernesto Sabato, e refuzoi atë fjetje aty dhe kërkoi ta çonin në një hotel çfarëdo.
Kujtoj piktorin Ibrahim Kodra, e shoqëroja unë si diplomat i Ambasadës sonë në Itali, por edhe si mik.
Ne, pjesëtarët e grupit, u shpërndamë nëpër mjedise të ndryshme të vilës, por Mjeshtrit Kodra nuk i thamë që ndodhej pikërisht në dhomën ku vrau veten kryeministri, se me siguri do të zemërohej keqas si besëtytë që ishte.
Teksa endesha mesoreve aty, mundohesha të gjeja se ku mund të ishte tuneli i nëndheshëm nga duhej të kishte dalë vrasësi i kryeministrit. Po dhoma e djalit të tij të vogël, Bashkim Shehut, ku ishte? E njihja që atëherë, e doja edhe si shkrimtar, edhe si bashkëvuajtës, kishte një mirësi të pandryshueshme.
Qeshja kur më tregonte shkrimtari Ylljet Aliçka ndodhinë me aktoren Annie Girardot, bashkëshorten e aktorit italian Renato Salvatori, e ftuar nga Ministria e Kulturës.
Kur kishin vajtur për ta marrë në vilën kryeministrore, që të vazhdonin programin, vizita a xhirime, nuk e di, ajo, e sapodalë nga dushi, me peshqirin e madh të hedhur mbi trup, kur i thanë për ta habitur nëse e dinte që kishte bërë gjumin e pasdites pikërisht në dhomën ku kishte vrarë veten kryeministri i vendit, qe habitur vërtet, madje tmerruar.
Ashtu me peshqir, lakuriq, doli nga vila, vrapoi rrugëve e s’u kthye më. Dhe darka e përcjelljes së Jevtushenkos aty në atë vilë u bë.
Ishte dhe ambasadori rus. Patjetër dhe Dritëro Agolli, kryetari i shkrimtarëve shqiptarë. Kadareja kishte kërkuar azil politik në Francë. Zëvendëskryeministri i qeverisë teknike, gjysmë i dehur, kishte ngritur një dolli për poetët dhe prostitutat, dy kategoritë njerëzore ku ai kishte miqtë. Gjysma e darkëtarëve ishin gra, ulën kryet.
Jevtushenkoja u bë më ironik. Buzëqeshte ftohtë, përgjysmë. Të nesërmen në aeroport do t’i thoshte Londos se kishte marrë vesh që shqiptarët ishin të sëmurë. Nga se, e pyet Bardhi me shpoti të pakuptimtë. Nga marrëzia e protagonizmit, e madhështisë, ia ktheu Jevtushenkoja, se mbrëmë dëgjova gjithë ata ministra e shkrimtarë që thoshin, secili për veten e vet, se kishte sjellë demokracinë.
TRASHËGIMTARËT E TRASHËGIMTARIT TË STALINIT
Trashëgimtarin e Stalinit e hoqëm nga piedestalet Po si ta heqim nga trashëgimtarët e tij? Enveri, nga ferri me celular, dërgon mesazhe, Në Presidencë, Parlament, në çdo qeveri… Sipas asaj poezisë së hershme të Jevtushenkos, Trashëgimtarët e Stalinit, vetvetiu më erdhën vargjet e para, por ndryshe, dhe më kapi zelli i përshtatjes, i ribërjes së tyre.
Enveri diabolik dhe i shumëformshëm shfaqet në jetën politike të vendit, nëpër parti, në media e debate, edhe në luftën kundër diktaturës, prandaj shpesh kundër Enverit veprohet si Enveri.
Enveri do të jetë i padëmshëm, kur të mos kihet frikë jo vetëm nga ai, por nga çdo aradhe e krerëve të vendit e të kapitalistëve të rinj, bosëve të mediatikës e të ndërtimit, që veprojnë krejtësisht si ai, kur ajo përvojë vuajtjeje dhe tmerri të jenë veçse “pësim e mësim”.
Nga historia, diktatorin nuk e përzë dot, kurse ndërgjegjja kombëtare është tjetër gjë. Aty s’ka vend për vrasës… Enveri ka trashëgimtarët e tij jo të paktë dhe me ndikim në jetën e vendit.
Ata mburren me të, kanë nostalgji për kohën e tij, çoç ishin atëherë, të rinj që përfituan shkolla, ikje nga fshati, detyra e besim, u ideologjizuan etj., dhe tani dinë kur të heshtin dhe kur të bërtasin, dhe kur të veprojnë. Nxjerrin portretin e diktatorit në ceremoni e tubime dhe ëndërrojnë rikthimin e tij, në fakt, ky është mall për rininë e tyre.
* * * Isha me shpirt ndër dhëmbë, po duroja të padurueshmen, doja t’i ikja gjithçkaje, edhe jetës…
DY BËRTITJE TË EDI RAMËS DHE E TRETA, IMJA, E HESHTUR…
Të të tregoj për një bërtitje të Edi Ramës për mua, e kam futur dhe te libri “Ferri i çarë”. Sapo isha liruar nga burgu dhe punoja si skllav në fabrikën e tullave në Lushnjë, ishte ende diktaturë… të paktë ishin ata që guxonin të rrinin me mua e më të paktë ata që më vinin në shtëpi… Edi më vinte… mbrëmjeve vonë… lexoja poezi të miat, nga të fshehtat, dhe Mondi thotë se e ka parë të përlotej…
Në këtë kohë, Edi bënte një afresk në murin e muzeut të qytetit, si Pikaso, thoshin, moderniste.
Ata të partisë, veteranët, kërkonin të shembej muri, ka sjellë liberalizëm, atje në Tiranë, ku është pedagog në arte, le të bëjë si të dojë ai, po jo këtu, apo u bën qejfin të internuarve, nejse, pikërisht në këtë kohë, Sigurimi i Shtetit prapë më ishte qepur keqas dhe donte të më bënte bashkëpunëtor.
Metoda sovjetike, staliniste, tortura psikologjike, kërcënime, s’e di a kishte ndonjë poezi me këtë temë Jevtushenkoja. Unë nuk po pranoja vendosmërisht.
Dhe një paradite, teksa po pinim kafe andej nga “Blerimi”, Bujari, Mondi, Edi, Ladi, më kishin marrë dhe mua, “me biografi të keqe, armikun”, isha ndërresa e dytë, pasdite duhej të shkoja në fabrikë, kur u shfaq operativi i Sigurimit të Shtetit, ai që më përndiqte, u ul diku përballë, që ta shikoja dhe të më shikonte, ngultas si në filmat sovjetikë, sikur donte të më hakërrehej: eeej, e njeh veten ti, i porsadalë nga burgu, me kë rri, ç’do këtu?… dhe u ngrita rrëmbimthi, ika befas nga bari. Ç’pati? – kishte pyetur Edi, më tregon më pas.
Shiko andej, i treguan operativin. Dhe ai, i gjatë sa dukej sikur shmangeshin shandanët e rinj për t’i hapur rrugë, dhe gjithë nerva, i bërtiti operativit: ç’do këtu ti që tremb njerëzit, kush je ti që s’i lë të pinë as një kafe të qetë?…
Vonë, tani afër, do të më jepej rasti të bisedoja me Edi Ramën për Shën-Peterburgun, ku ai kishte qenë për një vizitë me familjen e tij, kërkonin një grua, një lidhje e hershme… dhe kishte mbetur i mahnitur nga “Venecia e Veriut”.
Çfarë qyteti, më tha, sa art, sa shije, sa poezi ka ai vend… Edhe Moska… Isha përzishëm, ndërkaq arrija të ndiqja rrëfimin e tij, po më fliste si mik, si dikur, nuk më shikonte, teksa lëkundej mbi poltronën kryeministrore, vazhdonte të vizatonte, sigurisht mbi ndonjë shkresë, shkëmbente ngjyrat, edhe tonin në të folur, ishte dhe s’ishte aty, skica po përplotësohej, mbase ishte gati tani për të shkuar pas të tjerave në ndonjë ekspozitë në Berlin a Firence, ndërsa në gazetat e huaja dilnin titujt… vizatimet e një Kryeministri… dhe m’u nëpërmend, s’di se si, se pikërisht ai për mua kishte bërtitur prapë.
Bërtitja e dytë është e madhe, sublime dhe historike, do të thosha, e tanishme, e kësaj kohe, e bërë publike dhe në media.
Edi Kryeministër i bërtet Presidentit të Republikës, Nishanit, jo përballë si me operativin, por në telefon dhe përsëri për mua, ngaqë donte të më emëronte ambasador në Vatikan, do të zgjatem pak këtu, se është një çështje që s’ka mbaruar ende, mjaft e përfolur dhe në media, s’ka “Jevtushenko”.
Por burokraci të së keqes së trashëgimtarëve të trashëgimtarit të Stalinit e ai, presidenti enverist, mashtrueshëm nuk donte të shkoja në Vatikan dhe sa herë shpjegonte në media, po aq herë ndryshonte shkakun e po në media ia përplasnin në fytyrë se ishin interesa klanorë, ordinerë, ku ai ishte i kapur.
Dhe Edi po i bërtiste paq: “Po e persekuton prapë, tiiii…, e telefoni sa nuk çahej, i krahut tënd është, pse s’e dekreton”. “Nuk kam krahë unë”, kishte thënë Presidenti dhe pastaj do të ankohej në një nga televizionet e njohura: “Më bërtiti Kryeministri, dukej që ende nuk i kishte ikur tromaksja.” Ngjante me një bolshevik filmash, oficer i mbetur i “Aurorë”-s që ia kishte marrë era kapelën… Dhe shkova se shkova në Vatikan, atje ku Atjoni im kishte dashur me kohë.
Grupi Parlamentar i marrëdhënieve me jashtë e mbështeti njëzëri, e majta dhe e djathta, propozimin që unë të isha ambasador në Vatikan. Dhe shoqatat e ish-të persekutuarve i shkruan letër Presidentit. Dhe intelektualë, edhe kryetari i Parlamentit, edhe poeti Dritëro Agolli etj., më mbështetnin. Pati artikuj dhe në ndonjë gazetë italiane.
Bashkëpunimi im, i ambasadës me Vatikanin, ishte i mrekullueshëm, u shtri dhe në marrëdhënie miqësore e ato shpirtërore, jo vetëm diplomatike. Në ambasadë, e them me keqardhje, gjeta një si personazhi i Kafkës, veçse metamorfoza kishte ndodhur në të kundërt, insekti i stërmadh qe shndërruar në diplomat.
Ja, shkaku i së gjithës, ajo u duhej aty, një djall e di se për ç’interesa, puna e tyre. Për atë bëhej lufta, neurozat e saj shndërroheshin në çmenduri presidenciale. Që të largohej djalli nga ambasada, at Andrea David bëri lutjen e Shën Mikelit dhe i bekoi mjediset.
Ndenjëm ca kohë në paqe. Ndërsa unë doja t’i përgjigjesha Presidentit, sa pa ikur ai nga detyra, gati e kisha një poezi-grotesk…/panorama.com.al
LEXO EDHE: VISAR ZHITI: DUKE TË DASHUR TY MERR KUPTIM ÇDO NGJARJE