-What is Past is Prologue-
Gjeta një udhëzues në Uashington
si bëhet testamenti. E kish seriozisht.
Pra s’mjafton bindja e vdekjes
U dashka dhe të dish si ta ndash
kujtimin tënd.
Kujt do ja lesh shtëpinë? Po lumturinë
e saj monotone? Stinët e harlisura me imazhet
e kuajve
pasqyruar në xhamat okulte?
Këpucët kujt do ja lësh, po pjesën e rrugës
që të çon në kafenenë tënde
me piktura gjumi?
Bastunin dhe inatin ndaj botës?
Kongreset që s’ishin të tuat dhe gazetat,
Dashuritë, ah harrova dashuritë,
do t’i ndash si të ardhurat e mbyllura në bankë?
Po dashuria s’është gjithmonë jotja? Dhe
testamenti yt ky duhet të jetë:
vërni një pllakë të rëndë përsipër,
të mos dalin dashuritë
prej varrit tuaj të gjallë,
do keqkuptohen
si idetë e reja, si jetimët!
Uashington, 12.8.1994
*Shkëputur nga përmbledhja me poezi “Kohë e vrarë në sy”, botuar nga N.B. “Rilindja”, Prishtinë 1997
ObserverKult
——————–
Lexo edhe: