Shënimet e udhëtimit në Shqipërinë e viteve ‘30-të të historianit të famshëm anglez të antikitetit Nicholas Hammond.
Do të qëndrojmë sërish tek mbresat e pazakonta të Nicholas Hammond. Historiani i famshëm anglez i antikitetit, në ditaret e tij mbi kohën e qëndrimit në Shqipëri, ka fiksuar shumë rite të veçanta në jetesën e shqiptarëve. Nga libri i tij me shënime udhëtimi “Epiri”, “Milosao” ka përzgjedhur pasazhe nga disa prej këtyre riteve e zakoneve që lidhen me marrëdhëniet seksuale, dasmat, besimi te xhindët, lugetërit, ndodhi e rrëfime të personazheve të asaj kohe.
Hammond, rrëfen këtu një dasëm në Poliçan, sjelljet e dhëndërrit dhe nuses, ditët pas martese kur ata nuk mund të flinin së bashku, dhuratat e nuses e të dhëndërrit, veshjet e tyre dhe udhëtimi i shoqëruar nga krushqit.
Diku tjetër Hamond na rrëfen historinë e një burri që u magjeps pas xhindëve. Të quajtura Neraida ata e mbanin të mbyllur këtë burrë në një guvë të errët ku derdhej uji i zi. Aty bënin dashuri me të dhe e këshillonin se si duhej të sillej.
Një rit i veçantë është ai i një magjie që përdornin burrat e Labovës për të shtënë në dorë vajzat… pastaj magji të tjera të femrave, për t’iu bërë ballë. Shënimet që po botojmë janë pasazhe nga mbresat e tij, dhe lidhen pothuajse të gjitha me këto rite.
Nicholas Hammond – Në Skoriadh e Labovë ushtrohet magjia, veçanërisht për çështje seksuale. Në rast se një burrë kërkon të shtjerë në dorë një vajzë, kap një lakuriq nate vrarë nga një musliman, dhe e gropos në një vend prej nga s’arrin të dëgjohet kirikija e këndezit në agim. Kur kanë kaluar dyzet ditë nga groposja, i riu shkon te vendi dhe thërret tri herë rresht “O dreq haje mishin, o dreq lëri kockat”.
Pas disa ritualesh të tjera, ai merr një kockë të kthyer nga lakuriqi i natës, e lidh në një grep prej argjendi, dhe godet pëllëmbën e vajzës me majën e grepit, në mënyrë që ajo t’i shkojë pas deri në vdekje. Por në qoftë se ai don që ta heqë qafe, e godet femrën në shpinë të dorës. Thuhet se magjistaret janë të zonjat që të parandalojnë lidhjet seksuale të njerëzve dhe të kafshëve, në rastin e mësipërm me anë të përdredhjeve misterioze të telit, dhe shpërblimi caktohet sipas llojit të magjisë. Plakat e fshatit Skoriadh parashikojnë të ardhmen, duke përdorur si instrument një shpatull qingji gati të tejdukshme.
Të krishterët e Labovës kanë një copë nga “druri i shenjtë” (i Kryqit). Kjo copë, kalon shtëpi më shtëpi nëpër fshatra dhe mbahet nga të krishterët dhe muslimanët. Përshembull, kur kishte rënë epidemia e skarlatinës që shkaktoi tetëmbëdhjetë të vdekur brenda një fshati të vetëm, dhe kur pllakosi luzma e karkalecave. Relika e shenjtë shëtitet përreth kufijve të fshatit në krye të ritualit.
Një burrë mes xhindeve
Besimi për shpirtrat e “xhindëve” është gjerësisht i përhapur. Xhind është trajta shqitpare e fjalës arabe “xhini”. Fshatarët kanë frikë që të udhëtojnë natën për shkak të tyre. Deri dyzet ditë pas lindjes së gruas asnjë burrë nuk duhet të hyjë në shtëpinë e kësaj lehone pasi bie mbrëmja, për të mos u ndjellë shpirti i djallit, në rast se derdhet ujë apo diçka tjetër që besohet se i sjell keq fëmijës. Thuhet se xhindët banojnë në veri të Pogonit të Vjetër në një shkrep thikë të lartë të quajtur Kezenek, poshtë të cilit ka një guvë nga vërshon uji i zi. Këtu xhindët quhen Nereida, dhe barinjtë që flenë jashtë me bagëtitë, gjatë natës dëgjojnë zërat e tyre.
Një herë e një kohë, një burrë ndjeu në mesnatë zërat e tyre duke kënduar këngë dasme. Ai u çmend, dhe për tre muaj rresht banonte midis ujit të zi të guvës. Natë përnatë flinte me të një femër që nuk ia thosh kurrë emrin sesi quhej. Ajo i rrëfente historinë e familjes së saj. “Ju burrat jeni të verbër”, thoshte ajo.
“Nganjëherë ju na shkelni mbi djepe dhe na i lëndoni foshnjet, pastaj na grabisni kopshtijet. E dimë që s’e bëni me qëllim të keq, prandaj nuk po të lëndojmë; por ju s’keni sy të shihni shtëpitë tona me tufën e deleve dhe mirësitë e tjera. Tashti, ktheu në fshatin tënd në Malishovë dhe thuaju fshatarëve; se të kam trajtuar mirë, se natën s’ke ndjerë kurrë të ftohtë, dhe t’i thuash babait dhe nënës që të mos kenë frikë, pasi kujdesem unë për ty”.
Kur kthehet në shtëpi ai u bë shëndoshë e mirë dhe s’dukej i çmendur si përpara. Por sapo e çoi në vend porosinë, u çmend përsëri dhe iku nga shtëpia te guva me ujin e zi. Për sa kohë që ndjejti atje, Nereidat vazhduan t’i qortonin burrat për zakonet e tyre dhe shpallën se guva me ujin e zi ishte vendi më i mirë, tamam një pallat i vërtetë. Aty ai rrinte në këtë shoqëri të këndshme ku për çdo natë Neraidat këndonin, këndonin dhe bënin dashuri me të.
Kur erdhi dimri, burri iku nga guva dhe jetonte në majë të malit, flinte pa u mbuluar fare dhe as e ndjente të ftohtin dhe as u sëmur. Nereidat e bindën që të rrinte bashkë me to; kështu ai u martua me njërën prej tyre dhe jetoi i lumtur për një muaj. Pastaj Nereidat u zunë ndërmjet tyre. Burri u frikësua, vrapoi në shtëpinë e tij dhe u tregoi fshatarëve për ato që kishte kaluar. Bujtësi i Klarkut ishte takuar me këtë njeri në vitin 1914, dhe asokohe atë e kishte kapur dalldia prapë që të ikte nga shtëpia, por iu kthjellua mendja.
Hesape lugetërish
Ndërsa xhindët mund të ishin të mirë, “lugetër-it” ishin tepër të frikshëm, që greqisht u thonë, “voukolakes”, që ishin bisha si ujqit ose aty afër. Një të premte, bujtësi i Klarkut, kishte parë djegjien e një lugati në Taç. Në Poliçan besohej se lugetërit shfaqeshin vetëm midis muslimanëve (por mund të ishte e kundërta në Kurvelesh). I ashtuquajturi lugat, pasi vdiste dhe varrosej, ringjallej pas shtatë ditësh, vinte natën në shtëpi dhe hante pak miell.
Në rast se ishte grua, merrte ushqim nga sënduku, plaçkiste ç’të gjente, dhe i fuste te varri i saj. Të premten nuk çlirohej nga trupi i saj, por tre-katër netët pasuese vinte dhe trazonte në shtëpinë ku kishte vdekur. Kur njerëzit e shtëpisë bëheshin të vetëdijshëm për fantazmën, e kuptonin se do të kishte qenë “ajo”. Atëhere thoshin: “Të premten shkojmë t’ia zbulojmë varrin; t’i vemë përsipër një turrë me shkarpa, gjysëm oke parafinë nën to, dhe pastaj e djegim”. Ky veprim ndërmerrej vetëm kur i pllakoste ndonjë fatkeqësi e madhe.
Zakonisht i vdekuri trajtohej me respektin më të madh. Si rregull, kufomat ndreqen dhe shoqërohen në varrezë nga gratë e martuara, por jo vajzat. Kur pjesëmarrësit kthehen nga ceremonia mortore në shtëpi, te pragu i derës i pret një grua me peshqir të lagur në dorë, për të larë duart.
Burrat lart nga kushëriri i parë, për një vit të tërë mbajnë kostum të zi, ndërsa farefisi e qan një muaj të vdekurin. Vajtimi shoqërohet me gjeste të rënda për të shprehur hidhërimin. Ndërsa disa fise janë vënë re përpjekje për të vënë disa kufizime. Në vitin 1894, njëzet e katër pleqtë e Kastratit përpiluan këtë ligj; cilido që do të shihet me lot përfaqe dhe vajton të vdekurin në mëngjes, do t’i paguajë Kishës 1000 grosh, ndërsa për krerët do të paguajë 1000 grosh dhe dhjetë deshinj.
Zakone dasmash
Në jug të Zagorisë ndodhet një grup fshatrash greqishtfolësish të krishterë, më i madhi ndër ta është Poliçani. Kjo komunë njihet si Paleo-Pogoni, pra “Pogoni i Vjetër”, përkundër Pogonit të Parë, që shtrihet më tutje në jug, në anën greke të kufirit. Populli i Paleo-Pogonit banon në një grykë edhe më të lartë te masivi shkëmbor i Nemerçkës. Rrugëkalimi i vetëm për në Pogon merr përpjetë Drinit, nëpër një luginë të ngushtë që është formuar nga degëzimet e Drinit.
Megjithë territorin e tyre më të thellë, pogonasit janë më të qytetëruar sesa fqinjët në luginën e Drinit; sepse varfëria e skajshme e rrafshinës shmëbore ku mbarështrojnë dhentë, i ka detyruar shumë prej tyre të mërgojnë drejt Amerikës, Stambollit (Konstantinopolisit) dhe Athinës. Pasi zakoni për t’u martuar ndërvedi në këto fshatra, është i fortë, të ikurit jashtë shtetit, rikthehen në shtëpitë e tyre për të krijuar familjen. Pastaj ikin përsëri jashtë.
Nëse kanë mundësi, ata e marrin nusen me vete; por në të shumtën e rasteve e lenë nusen shtatzënë në shtëpi, dërgojnë para për ta mbajtur, dhe kthehen afërsisht një herë në pesë vjet për të shtuar numrin e familjes. Kjo mënyrë jetese afrohet me zonat malore greke të Maqedonisë, si në rastin e “fshatrave të gështenjave” (Kastanokhoria) dhe, me Zagorinë e Epirit Grek.
Për shkak të këtij zakoni, në këto fshatra ka më shumë gra se burra, dhe puna e krahut e grave të Pogonit është më e rëndë se gjithkund tjetër në Epir. Shtëpitë në Poliçan ndërtohen me gurë dhe me traversa të trasha druri. Çatitë janë prej guri, rrasat mbulojnë njëra tjetrën dhe shërbejnë për t’u qëndruar stuhive. Falë marrëdhënieve me botën e jashtme, shtëpitë janë të pajisura sipas modës. Këta fshatarë përdorin takëme dhe mbulesa tryeze, madje një herë, provova luksin e rrallë që të flija me çarçafë. Kurse në shumicën e fshatrave, kur i zoti i shtëpisë më lutej për t’u larë, do kërrusesha kokëposhtë dhe e shoqja do ma shprazte ujin e ftohtë në zverk.
Por njëherë, në Pogonin e Vjetër, më nxorën një legen me ujë të ngrohtë dhe një copë sapun. Por modernia në përgjithësi krijon një përshtypje të rreme, sepse zakonet dhe traditat primitive kanë krijuar lidhje të thella në këtë bashkësi. S.S. Klarku ka kryer një studim mbi fshatrat e Pogonit të Vjetër. Ky ishte një studiues që vdiq i ri në një aksident me jaht në Gjirin e Korintit. Ai kaloi disa javë në fshatrat e Pogonit të Vjetër nga dhjetori i vitit 1921 në janar të 1922-it dhe vëzhgimet e tij i ka përmbledhur në një ditar të pabotuar.
Një martesë në Poliçan
Ai përcolli një martesë në fshatin e Hlomos, gjë që e përshkruan gjerë e gjatë. Në mëngjes, dhëndërri duhej rruar prej dikujt që i kishte gjallë të dy prindët. Procesioni ishte “shpirti i festës”. Ky duhej të ndiqte gjithmonë krahun djathtas. Në krye, qëndronte një djalë me një flamur në dorë (në këtë rast flamuri ishte shqiptar, por në ndonjë rast ishte edhe grek, sipas shijeve) bashkë me ahengçitë. Fillimisht, këta shtonin në kishë dhe më pas në shtëpinë e dhëndrrit.
Pranë dhëndrit viheshin në radhë krushqit, pastaj ky i mbrojtur nga një çadër hipte në një hamshor të bardhë që mbahej nga i jati, ndërsa në fund rrinin krushkat po nga dhëndrri. Sapo procesioni nisej nga shtëpia e dhëndrrit për te shtëpia e nuses, fillonte muzika. Te shtëpia e nuses, meshkujt e familjes së saj zinin vendin në procesion. Pastaj, hipur në një mushkë të bardhë mashkull, vinte nusja e mbrojtur nga një çadër dielli. Më pas e kishin rradhën krushkat nga nusja. Në fund fare, vinte një mushkë e ngarkuar me sënduk dhe qilima (që duhet të mjaftonin për një vit).
Mushka drejtohej nga një femër nga krushqia e dhëndrit. Dhëndëri hynte në kishë së bashku me mikun e tij më të ngushtë. Në krah të majtë mbante mikun dhe babain djathtas. Brenda, në kishë, dhëndëri dhe nusja shkëmbejnë kurorat tri herë; dhe i vijnë rrotull tri herë altarit; pastaj marrin tri herë kungimin e shenjtë. Pas dasmës, dhëndëri dhe nusja kanë “kullure” (bukë në formë unaze) te shtëpitë e njëri tjetrit, ndërsa kumbara e fut gishtin e ngjyer me mjaltë në gojët e të dyve, dhe lëpin gishtin. Gjatë ritualit, baballarët ngrenë dolli me njëri tjetrin duke kryqëzuar gotat; mamaja e dhëndrit i hedh nuses oriz, ndërsa nusja shpërndan ëmbëlsira, portokalle dhe mollë; ndërsa nuses, i ngjitin në shalën e mushkës tri vogëlushë për ta puthur.
Kur rituali i dasmës bëhet gati të shpërndahet në të dyja shtëpitë, krushqia e dhëndrrit rrethojnë nusen dhe i japin dhuratat, ndërsa ajo i jep dhuratat dhëndrit. Natën e parë, te dhëndëri, shtrohet dreka për krushqinë dhe miqtë e tij, ndërsa natën e dytë shtrohet për krushqinë e nuses, në të dy rastet ngrihet dolli për dhëndërin me urimin “u bashkofshim për gëzime të tjera” (“na prokovoun stereomena”). Kur nusja shkon në shtëpinë e burrit, shoqërohet nga krushqit e saj që duhet të jenë me numër tek.
Në hyrje të shtëpisë kumbari ia jep dhuratat nuses përpara se të zbresë nga mushka. Te dera e shtëpisë ajo i ngjyen katër gishtat në një filxhan me mjaltë tri herë dhe ja jep mjaltin kumbarës, me qëllim që të largojë zënkat. Në prag të derës rreshtohen monedha ari dhe argjendi dhe nusja e kapërcen pragun e ndihmuar nga dhëndëri, i cili e çon hopa. Sapo nusja futet brenda në shtëpinë e dhëndrit, vajzat e shtëpisë nisin këngën. Dy-tri ditët e para nusja është kaq e ndrojtur sa nuk flet me askënd, as me vetë burrin, përveç të afërmve të saj. Çifti i sapomartuar, javën e parë pushon, dhe bashkë me afro tridhjetë krushq nga të dyja familjet, janë të ftuar nëpër shtëpitë e krushqisë.
Ritet e martesës
Martesa në Poliçan në përgjithësi, shfaq disa variacione të së njëjtës temë. Bujtësi, ja kishte shpjeguar Klarkut ceremoninë e vet të dasmës, në vitin 1890. Festimet vazhdonin dhjetë ditë, gjatë kësaj kohe shpenzimet llogariteshin në 95 kokë bagëti, 600 okë verë dhe 600 gjerdanë me fishekë, por atëhere ai kishte për të mbajtur 34 kushërinj të parë, pa futur në hesap ata të nuses. Asokohe mashkulli më i afërt i nuses, flinte me të natën e parë, ndërsa dhëndëri flinte me nusen atë natë që mbaronin festimet. Bujtësi i Klarkut, e kishte konsumuar martesën e vet, vetëm nëntë ditë pas dasmë. Pozita e gruas është e tillë që t’i bindet krejtësisht të shoqit.
Ajo s’mund të flejë pa lejen e të shoqit (këtë zakon e zbatojnë të gjitha gratë e shtëpisë). Nusja duhet të sillet me përunjësi. Kur i shoqi s’është në shtëpi, ajo mund të dalë prej andej vetëm kur shoqërohet nga një grua e martuar. Gruas së martuar i përket një burim në fshat, që s’mundet ta përdorë askush tjetër. Pozita e gruas është e ndryshme nga pozita e vajzave. Vajza gëzon më tepër liri, dhe madje mund të sillet në mënyrë të pahijshme para të jatit. Gjyshja nuk mund të urdhërohet nga i biri, prandaj nipat këshillohen me gjyshen ashtu si me të jëmën.panorama
ObserverKult
—————
Lexo edhe:
CILAT JANË SHTETET ME INTELIGJENCËN MË TË LARTË NË VITIN 2022?
Testi Botëror i IQ-së nga Worldwide Population Review, ka matur inteligjencën e njerëzve në mbi 100 vende të botës.
Testi ndërkombëtar i IQ-së (ose Koeficienti i Inteligjencës) është përdorur prej më shumë se një shekulli nga komuniteti psikologjik, si një matës relativisht i besueshëm i inteligjencës.
Ky test është krijuar për të matur aftësitë konjitive të një personi. Pra, përfshirë aftësitë e tij për të zgjidhur problemet, të menduarit abstrakt dhe njohuritë e përgjithshme.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
“NËSE TI MË HARRON…”, POEZI NGA PABLO NERUDA
Poezi nga Pablo Neruda
Dua të dish
diçka.
Ti e di se si është:
kur shoh
hënën e kristaltë, degën e kuqe
të vjeshtës së ngadaltë në dritaren time,
kur prek
pranë zjarrit
hirin e pakapshëm
apo lëvoren e rrudhur të drurit,
gjithçka tek ti më çon,
sikur çdo gjë që ekziston,
aromat, drita, metalet,
të qenkëshin varka të vogla duke lundruar
drejt ishujve të tu që presin mua.
Por ama,
nëse pak nga pak resht së më dashuri
do të resht së të dashuri pak nga pak.
Nëse papritur
më harron
mos më kërko më,
se atëherë do të të kem harruar.
Nëse të duket e zgjatur dhe e marrë
era e flamujve
që shkon në jetën time
dhe vendos
të më lësh në breg
të zemrës ku rrënjë kam zënë,
mendo
se atë ditë,
atë orë
do të ngre krahët
dhe rrënjët e mia do të dalin
tjetër tokë të kërkojnë.
Por
nëse çdo ditë,
çdo orë
ndien se je caktuar për mua
me ëmbëlsi mizore.
Nëse çdo ditë çel
një lule në buzët e tua për të më kërkuar,
oh e dashura ime, oh e imja,
tek unë gjithë zjarri përsëritet,
tek unë asgjë nuk shuhet e as harrohet,
dashuria ime ushqehet me dashurinë tënde, e dashura ime,
dhe derisa të jetosh, në krahët e tu do të jetë,
Poezinë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult