Viti 2022, viti i Ali Podrimjes

Ministria e Kulturës e Shqipërisë, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpallën vitin 2022 “Viti i Ali Podrimjes”, me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit të njohur nga Kosova.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti. Ajo theksoi se “nuk mund të ketë një ndarje mes poetëve të Shqipërisë dhe poetëve të Kosovës. Sipas saj, ata i përkasin gjithë shqiptarisë, ndaj vitin 2022 e kemi shpallur “Viti i Ali Podrimjes”.

“Ky është një homazh në 80-vjetorin e lindjes së njërit prej poetëve tanë të shquar. Që na bëri ta donim edhe më shumë Kosovën”, tha Margariti.

Ministrja Margariti bëri të ditur se “Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të organizojnë një seri aktivitetesh. Jo thjesht rreth këtij autori, por rreth poezisë, duke konkretizuar kalendarin e përbashkët Shqipëri-Kosovë”.

“Viti i Ali Podrimjes”

Ky vit do të jetë një vit kushtuar aktiviteteve në kujtim të figurës dhe kontributit të Ali Podrimjes, si dhe poezisë shqipe. Aktivitete të cilat do të shtrihen përgjatë 2022 në kuadër të projekteve të përbashkëta kulturore të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Ali Podrimja u lind më 28 gusht, 1942 në Gjakovë. Për shkak të rrethanave aspak të volitshme, pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe nga kritika, ai sot mbahet si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si poet me emër edhe në shkallë ndërkombëtare.

Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961, “Dhimbë e bukur” 1967, “Sampo” 1969. “Torzo” 1971, “Folja” 1973, “Credo” 1976, “Sampo 2” 1980, “Drejtpeshimi” 1981. “Lum Lumi” 1982, ”Fundi i Gëzuar” 1988, “Zari” 1990, “Në bisht të sorrës” 1994. “Buzëqeshje në kafaz” 1995, “Ishulli Albania”, “Pikë e zezë në blu” 2005.

Poeti u gjet pa shenja jete në qytetit Lodve të Francës, më 21 korrik të vitit 2012. Ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë./ATSH

—————————-

Lexo edhe:

ALI PODRIMJA: NËSE NUK TË SHKRUAJ, MIKU IM…

ObserverKult