Annie Ernaux, 82-vjeçarja franceze që fitoi çmimin Nobel të Letërsisë, duke lënë pas autorë të njohur, vjen nga një familje e thjeshtë. E divorcuar e me dy fëmijë, mësuese për dekada dhe pjesë e lëvizjes feministe…
Është gruaja e 17-të që fiton çmimin “Nobel” për Letërsinë, që nga viti 1901, si dhe e 16-ta nga laureatët francez, pas Patrick Modianos.
Annie Ernaux, pa asnjë kontestim, u vlerësua me çmimin më prestigjioz të Letërsisë, “Nobel”: “Për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, distancat dhe lidhjet kolektive të kujtimeve personale”.
Annie Ernaux lindi në 1 shtator të vitit 1940 në Lillebonne të Normadisë, në një familje të thjeshtë. Prindërit, çojnë përpara familjen fillimisht si punëtorë e pastaj si tregtarë të vegjël, duke hapur një dyqan ushqimor. Pasi përfundoi universitetin, Annie nis karrierën si mësuese e letërsisë moderne në lice.
U martua në vitin 1964, por martesa e saj, nga erdhën në jetë dy fëmijë, zgjati pak vjet.
Në vitet ’70 ajo bëhet pjesë e lëvizjes feministë në France dhe shkruan në të përditshmen “Le Monde”.
Annie tërhiqet nga mësimdhënia në vitin 2000.
Në vitin 1974, ka shkruar veprën e saj të parë, “Les armoires vides” (“Sirtaret/kabinetet e zbrazura”.
Me romanin “Vendi” (1983) arriti të fitojë çmimin “Renaudot” një vit më pas. Libri “Vitet” i shkruar në 2008-ën konsiderohet si një nga kryeveprat e saj, prej të cilit është frymëzuar edhe një film me të njëjtin titull nga Sara Fgaier.
Në vitin 2011 shkruan librin “Bija tjetër” dedikuar motrës së saj të vdekur. Ndërsa nga veprat më të vona është “Kujtime vajze”, që së bashku me “Pasioni i fshehtë” e “Vendi i babait” janë të përkthyera edhe në shqip nga Botimet Dudaj.
Në librat e shkrimtares franceze, siç shpjegon Komiteti i “Nobel”, Ernaux “në një mënyrë koherente dhe nga këndvështrime të ndryshme, shqyrton një jetë të karakterizuar nga pabarazi të forta gjinore, gjuhësore dhe klasore, transmeton ‘shqiptarja.com’.
Rruga e saj drejt profesionit të shkrimtares ka qenë e gjatë dhe e mundimshme”. Annie Ernaux, mundi të kryesojë në garën e “Nobelit” ndaj shkrimtarëve si Salman Rushdie, Michel Houellebecq e Milan Kundera, të nxjerra nga mediet ndërkombëtare në krye të sondazheve si kandidat fitues të mundshëm.
Një fakt interesant për shkrimtaren franceze, e solli në vëmendje shkrimtari Ylli Demneri dhe lidhet me një vizitë që ajo ka pasur në vendin tonë, gjatë viteve ’70, të dokumentuar edhe përmes filmimeve personale të saj.
Lexo edhe:
VJEN REAGIMI NGA ISMAIL E HELENA KADARE: KUSH ËSHTË KJO SHKRIMTARE QË FITOI NOBELIN?
ObserverKult