Vjen njoftimi nga MKRS-ja: “Manifesta 14” mund të fillojë

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, përfaqësuar nga ministrja në detyrë Vlora Dumoshi dhe drejtoresha dhe kryesuesja e “Manifesta 14” Prishtina, Hedwig Fijen, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit përmes një video konference në “Zoom”, duke e garantuar buxhetin e vënë në dispozicion për zhvillimin e një institucioni të përhershëm ndërkulturor në Prishtinë në vitin 2022 me rastin e “Manifesta 14”.

Në njoftimin për media të MKRS-së, theksohet se partnerët iniciues të Qytetit të Prishtinës dhe Fondacionit “Manifesta 14” Prishtina janë të kënaqur që Ministria është angazhuar për projektin e “Manifesta 14” Prishtina dhe trashëgimisë së saj përtej bienales.

“Qyteti i Prishtinës tashmë i ka përmbushur obligimet e veta ndaj “Manifesta 14” që do të thotë se projekti mund të filloj, pas një vonese prej tre muajsh për shkak të pandemisë me koronavirus”, theksohet në njoftim.

Tutje, theksohet se “Manifesta 14” pret me padurim të filloj të bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës dhe Qytetin e Prishtinës.