Vjen reagimi nga Ministria: Varreza është mesjetare- jo viktima të diktaturës komuniste

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti bën të ditur se gjatë monitorimit të punimeve për zbatimin e projektit task 5, “Për zhvillimin e integruar urban dhe turistik Berat- Përmet”, dolën në dritë disa varre.

Sipas Margaritit, punimet u pezulluan dhe specialistët realizuan inspektimin dhe vlerësimin e gjetjeve arkeologjike në terren.

“Nga rezultatet paraprake mendohet se kemi të bëjmë me një varrezë të periudhës mesjetare. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale u diskutua dhe u përcaktua kryerja e gërmimit arkeologjik të shpëtimit nga ana e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë, për varrezën e identifikuar”, informoi ministrja.

Rezultatet e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, thekson Margariti, do të paraqiten për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar.

Më herët Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta kërkoi nga institucionet përgjegjëse shtetërore zbardhjen me transparencë të ngjarjes.

“U njoha për zbulimin në Përmet, sipas të dhënave paraprake, të një varri masiv, ku dyshohet se prehen viktima të represionit dhe terrorit të diktaturës. I nxis institucionet përgjegjëse shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës. Të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror”, deklaroi Meta.

“Theksoj me forcë domosdoshmërinë, jo vetëm të dënimit të krimeve monstruoze të diktaturës, por edhe gjeten e të gjitha viktimave të atij regjimi mizor, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe duke u dhënë njëherë e mirë qetësi dhe ngushëllim familjarëve e pasardhësve të tyre, por edhe të gjithë shoqërisë”, tha Meta./ATSH

LEXO EDHE: Zbulohet varr masiv i viktimave të diktaturës komuniste në Përmet- shteti s’lodhet për këtë gjë