reklamë

Vlora Konushevci: Me gabu

Ty t’kam dashtë hala pa t’njohtë shpirti jem t’ka ndje prej kur qiejt u krijuen! T’kam lypë nëpër krejt betejat e kreshnikëve


Po du me mujtë me gabu.
Me e marrë nji palltë,
me dalë
e rrugës me e marrë vesh
se po m’rri ngushtë.
Mandej me ia falë dikujt,
se s’du me u plakë tue e mbajtë frymën.
Po du me ta lanë çelësin mbi tavolinë
pa u mbledhë burrat e dy familjeve,
gjoksagjelat,
me ma shpjegu trupin.
Pa më thanë se po marr me vete
diçka që s’qenka e imja.
Kambët, për shembull.
Qysh guxova me i çu deri te dera
pa u marrë vesh me ty?
Edhe gojën. Ajo moti s’të ka pëlqy,
veç netëve kur ma ke lypë
me sy mbyllë,
e nën gjuhën teme
t’u ka këputë fjala
e më ke mbajtë për flokësh
derisa t’u ka ba boll.
Të nesërmen më ke tregu
se nji grue e ndershme
s’i ban këto punë.
Tash jam gati me dalë.
Rri në kambë, me palltë në dorë,
e ata ma mbushin filxhanin prapë.
Sa herë nisem, dikush nis nji fjali
për nanën që e kam smutë,
për ty që s’ke hangër qe tri ditë.
Unë duhet me u ulë
se ty s’po të hahet.
Mue më hahet.
Më flihet.
Më shkohet dikund ku s’të njeh kush.
Mendo pak për të, më thonë.
Kam mendu.
Para pasqyrës së ashensorit
e kam fshi buzëkuqin me gisht.
Deri në katin tonë
më ka mbetë
veç gishti i kuq.
Kam fshi mesazhe krejt të pafajshme,
se s’kam pasë fuqi me ta dëshmu
edhe nji herë pafajësinë.
Këtë fjali e kam shkru e fshi
s’di sa herë.
S’të du ma.
Familja nis me t’ngushëllu,
e unë ende këtu,
me palltë në dorë.
Mezi presin me dalë unë,
qelepirxhinjtë,
që me ia nisë me m’sha.
Bre qeni t’amën!

Edhe me ju sha,
m’duhet me kalu nëpër nji grue
për me mbërri te ju.

ObserverKult


Lexo edhe:

Vlora Konushevci: Formulari