Vlora Konushevci: Për kë bie këmbana

Kam lindë në orë policore
në kryeqytetin e demonstratave,
në trandjen e vrasjeve,
urisë, helmimeve.
Djemtë prej ushtrisë na ktheheshin
n’arkivole përditë, të tjerët
iknin n’mërgim përnatë.
Kohë robnie

Jam rritë tehut t’luftës
në kryeqytetin e shurrës dhe gjakut
përjashtimet i veshnim
refuzimet i mbathnim.
Djemtë prej ushtrisë na ktheheshin
n’arkivole përditë, të tjerët
Iknin n’mërgim përnatë.
Kohë lufte

Jam ba nanë në liri
kryeqyteti s’ka ndërru shumë
djali jem shkon në shkollë,
nuk ndigjon lajme, luftën nuk e njeh.
Astriti u kthye në arkivol
të tjerët presin n’stacion.
Kohë lirie

Kam jetu,
veç në paqe jo!