Voskopoja: Qytetërimi shekullor zbukurohet nga bora, dyndje turistësh në ndërrimin e viteve (foto)

Voskopoja është një vendbanim mesjetar i hershëm që daton prej vitit 1330. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë.

Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, bibliotekë, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi. Voskopoja sot është njësi administrative që ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korçës mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit.

Voskopoja ishte qendër e zhvilluar kulturore e themeluar e përbërë nga shqiptarë, por dhe emigrant arumunë e grekë. Në Voskopojë u vendos shtypshkronja e dytë në Perandorinë Osmane 1720 (pas asaj në Konstandinopojë), u themelua Akademia e Re, një jetimore (e para në botën post-Bizantine), një spital si dhe 24-30 kisha unikale.

Anastas Kavaljoti ishte ai që mendohet se përgatiti alfabetin e parë shqip, madje shkroi dhe disa traktate por që janë zhdukur. Voskopoja u shkatërrua nga disa djegie të njëpasnjëshme. Në 1769 osmanët e dogjën dhe e plaçkitën. Kulmi arriti në 1788 kur trupat e Ali Pashës e rrafshuan përfundimisht.

Një pjesë e tregtarëve voskopojarë u vendosën në Korçë e Berat ndërsa shumica u largua për në Thesali, Austri, Mbretërinë e Hungarisë si dhe në Transilvani. Ndonëse Daniel Voskopojari rindërtoi një shkollë në 1802 qyteti nuk e mori më veten kurrë. Sikur të mos mjaftonte kjo Voskopoja u plaçkit edhe një herë nga banda e Sali Butkës në 1916.

Voskopoja aktualisht vetëm si fshat ka 1 mijë banorë kurse si njësi aAdministrative me 3 fshatra ka 2 500 banorë. Shumica e banorëve janë në emigrim në shumë vende të Europës por 4 vitet e fundit po shihet një kthim I madh në vendlindjen e tyre.

Objektet kryesore të historisë së Voskopojës janë kryesisht kishat, ku dikur kanë qene mbi 30 kisha unikale ndërsa sot janë 5 në gjendje të mirë të vizitueshme ku mund të shikohen afresket dhe stili i ndërtimit, ambientet e ndërtimit, zbukurimet e veçanta dhe ndërtimi i veçantë prej guri. Kemi një Manastir shumë interesant Manastiri i Shën Prodhomit i cili në tërë kohën e tij ka qenë jo vetëm vendi ku mblidheshin dhe takoheshin besimtarët të krishterë por aty takoheshin dhe miqtë e të gjitha besimeve fetare, pra ishte si një pikë takimi pavarësisht besimeve fetare.

Ky Manastir ishte dhe si qendër humanitare, ndihme ku shumë njerëz aty kalonin natën për arsye të ndryshme. Ky Manastir nuk i ka shërbyer vetëm Korçës por të gjitha krahinave përreth. Manastiri edhe sot është funksional dhe administrohet nga kisha ortodokse e Korçës. Por nuk ka atë funksion si më parë. Kohët e fundit qeveria dhe Bashkia e Korçës ka bërë një investim prej 100 milionë lekësh (të vjetra) për restaurimin e këtyre konakëve, Manastirit kishave me qëllim që të vihen në funksion të plotë të turistëve por edhe të banorëve, transmeton ObserverKult.

Dëbora ‘zbardh’ Voskopojën

Tashmë keni një arsye më shumë për të shkuar në Korçë. Voskopoja, Dardha dhe disa zona të tjera të Korçës janë mbuluar nga dëbora.

Trashësia e dëborës ka arritur 5 cm në Voskopojë dhe 10 cm në Bigëll në Dardhë ndërsa më pak reshje ka në zonat e tjera si Vithkuqi dhe Qafa e Qarrit.

Reshjet e dëborës dhe klima e ftohtë e bën fshatin turistik të juglindjes një nga destinacionet e preferuar për qytetarët.

Por krahas klimës, vizitorët shprehen të mahnitur dhe nga vlerat e trashëgimisë kulturore që paraqet kjo zonë.

Për banorët vendas, një nga elementët për rritjen e numrit të vizitorëve krahas bukurive të zonës mbetet dhe mikpritja.

Një nga destinacionet më të kërkuara për festat e fundvitit

Fshati turistik i njohur për kishat, manastiret, rrugicat e kalldrëmta dhe peizazhin e veçantë natyror bëhet edhe më i bukur nën petkun e bardhë të dëborës ndërkohë që për të gjithë ata që kanë zgjedhur të kalojnë mbrëmjen e ndërrimit të viteve në Voskopojë duket se ky fshat do të ofrojë shumë.

Rezervimet kanë nisur herët dhe të gjitha strukturat akomoduese janë plot ndërsa kanë nisur përgatitjet edhe sa i takon gatimeve tradicionale por edhe organizimit të kësaj mbrëmje ku nuk do të mungojë muzika, serenatat e njohura por edhe argëtime të tjera të cilat do ta bëjnë tepër të veçantë momentin e ndërrimit të viteve.

Voskopoja mbetet një prej destinacioneve më të rëndësishme dimërore në vend ndërsa janë të shumtë ata që kanë zgjedhur të kalojnë këtu jo vetëm natën e ndërrimit të viteve por edhe ditët e para të 2020.

Peizazhi dimëror është një ndër atraksionet kryesore të Voskopojës ndërkohë që edhe në stinët e tjera interesi mbetet i lartë.

Të paktën 50 000 persona vizituan gjatë 2019 fshatin turistik të njohur për kulturën traditat por edhe elementët e tjerë të shumtë natyrorë. / përgatiti: ObserverKult