“Shqetësime sentimentale”
(fragment)
Nga Teresa Wilms Montt
Duke ia ofruar lexuesit këto faqe, nuk mëtoj të bëj letërsi. Qëllimi im i vetëm ka qenë për ta lënë të lirë shpirtin tim, si ai që i heq pritën një përroi dhe e lë ujin të lëshohet teposhtë, duke rrjedhur lirshëm, dhe përmbytur fushën, që e pret me aq gëzim.
Unë shkruaj, sikur të qeshja apo të qaja, dhe këto rreshta përmbajnë gjithçka të vetvetishme dhe të sinqertë, të shpirtit tim.
Ja si rrjedhin mendimet, pa kërkuar dashamirësi dhe as komente: dalin e shkojnë me të njëjtën natyrshmëri që fluturon zogu, ashtu si vjen rrëkeja, apo si mbin bima.
I
Drita e llambës, me një ngjyrë vjollcë të zbehtë, po dridhet e luhatet, atje mbi tavolinë.
Objektet, të mbytura nga një nuancë e përhënur, po koten; thua se një dorë e sëmurë është duke përkëdhelur mjedisin, duke e lënë në të plogështinë e saj aristokratike.
Një tingëllimë e pamëshirshme përsërit orën që më bën të kuptoj se jam gjallë dhe, njëherazi, më kujton se po vuaj.
Vuaj nga një sëmundje e çuditshme, dhimbja e së cilës më vë në gjumë; sëmundje dashurie, e pakuptueshme dhe e pamatshme nga madhësia, pafundësisht e përsosur.
E keqja më bën të jetoj me tjetër zemër… Oh, pas një detyre të ashpër, dua të çlodhem dhe ta ndjej veten duke jetuar brenda vetes sime.
Në shqip: Bajram Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:
PAUL VERLAINE: BISEDË SENTIMENTALE
Te parku i vjetër i ngrirë, i qetë
Posi dy hije kaluan dy vetë
Me sy të shuar me buzët vrarë
Mezi dëgjohen si me të qarë
Te parku i vjetër i ngrirë, i qetë
Dy hije kujtojnë të shkuarën jetë
– Të kujtohet malli që na pushtoi?
– Përse don’, vallë, që ta kujtoj?
– Për emrin tim zemra të rreh, sikur më do?
Tim shpirt në ëndërr gjithmon’ e sheh? – Jo.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult