Vuante nga një sëmundje e rëndë, ndahet nga jeta poeti, Bardhyl Maliqi

Është ndarë nga jeta studiuesi e poeti, Bardhyl Maliqi, në moshën 69-vjeçare pas vuajtjes së gjatë nga një sëmundje e rëndë.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë me dije familjarë e miq në rrjetet sociale.

Bardhyl Maliqi u lind më 19 korrik 1955 në Konispol dhe punoi ndër vite si mësues i gjuhës dhe letërsisë. Ai po ashtu punoi edhe si psikolog shkollor, dhe drejtues i Njësisë Psiko-sociale dhe pedagog i Filialit Universitar të Sarandës prej disa vjetësh.

Ka shkruar 19 libra, prej të cilave janë botuar: “Shije të rrezikuara” (ese), “Qortimi i hartimeve (studim), “Etika rrjedhave të komunikimit” (studim), “Pasqyrat” (poezi), “Morfologjia” (tekst për studentë), “Ankthi i statujave” (libër me poema shqip – anglisht), “Perandoria e zogjve” (pema) në anglisht, italisht, kroatisht, rumanisht, greqisht etj.

“Detyrat e shtëpisë” (ese), “Mësimdhenia dhe vlerësimi etik”, (studim), “Tej portave të jetës” (novelë) etj. veprat e tij të fundit janë 2 libra me letërsi kritike për shkrimtarin Mexhid Mehmeti, “Shprehësi imagjinar”-kushtuar letërsisë së tij për fëmijë, “Vrasja e heshtjes”, kushtuar letërsisë së tij për të rritur si prozator dhe dramaturg, poema “Presheva – nuse përdëllimi” dhe botimi poetik me një bashkë autore rumune “Mangalli i yjeve”.

Bardhyli ka fituar mbi 20 çmime rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare për veprat letrare dhe konkurse artistike.

Përmes një postimi në Facebook gazetari nga Saranda Thoma Nika ka shkruar një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Maliqit.

Saranda do të jetë e varfëruar në vlera pa profesorin Bardhyl Maliqi ka shkruar përmes një postimi të gjatë, gazetari Nika.

Postimi i plotë i Thoma Nika:

Pa prof. Bardhin , Saranda do të na jetë e varfëruar në vlera

Sot është dita e parë pa Prof. Bardhyl Maliqin. Pasi i shpëtoi kurthit të vdekjes rreth një dekadë më parë, vullnetplotë ia doli të rehabilitohet dhe të jetë aktiv me kohë të plotë. Por ja ku vdekja i ngriti pritën e dytë dhe dita e sotme zbardhi me lajmin e humbjes së tij përgjithmonë.

Një ikje sa e hershme aq edhe e beftë. Për mua, edhe aq e pabesueshme, që kafja me të e me miq të përbashkët, si shkrimtari i të dy anëve të kufirit, Dino Kubatis dhe zonjën e tij  Lili, do të kishte qenë e fundit, atje në kolltuqet e Hotel “Lindi”.

E pash të ndjehej mirë e i vlerësuar, pasi u ulëm së bashku, me shkas që pak minuta më parë atë fund dhjetori, poetit, studjuesit, kritikut të letërsisë Bardhyl Maliqi i ishte dorëzuar Medalja “Aleksandri i Madh”. Akorduar nga “Kafeneja e Ideve”, një klub krijuesish e artistësh, që Kubatis e ka kthyer në Tempull Vlerash atje në Salamina të Greqisë. E urova Kubatin për kujdesjen sqimatare në selektimin e vlerave në fushë të krijimit.

Urova edhe Prof. Bardhin për sebepin e ri. Urimet i shoqërova edhe me “qortimin”, se kjo nuk ishte një gjë që nuk bën lajm, për t’u mbajtur larg syrit të medias.

U thash se mediatizimi i eventit ishte një nevojë për komunitetin e krijuesve e më gjerë, me interes për publikun lokal e në rrafsh kombëtar.

E dija se “pakujdesia”, për t’i kaluar shpesh titujt e vlerësimet e akorduara pa zhurmë e bujë, ishte një gjë karakteriale e Bardhit. Modestisht e butësisht do ta kalonte edhe “qortimin” për të njëjtën sjellje në eventin e “Aleksandrit të Madh”. Ky ishte Bardhyl Maliqi. Sa punëtor në fushën e krijimit, aq edhe “i pakujdesshëm” në atë të promovimit të vlerave të tij.

E kënaqte krijimi si proces dhe sidomos kur ato që linte pas pena a kompjuteri i tij, ktheheshin në botime librash të plota, apo ciklesh, essesh e analizash, që dallonin për gjetje origjinale, për argumenta dhe kompetencë profesionale.

Projekti më i fundit i Prof. Bardhit, që me siguri ikja e beftë nuk e la ta shihte të realizuar, ishte ai që kishte në bashkëpunim me shtëpinë botuese 2M.  Pata kënaqësinë të bëhesha faktor ndikues, që libri i tij “Kambanat e Zgjimit”, të shikojë dritën e botimit falë suportit të Bashkisë së Sarandës.

Bardhi u kujdes që në këtë libër, në më shumë se 400 faqe, të promovohen vlerat e autorëve saranditë kudo që ata jetojnë, brenda Shqipërisë apo në Greqi dhe vende të tjera evropiane.

Pjesë e këtij formati promovues janë edhe autorë të tjerë, miq të sarandiotëve, me libra të prezantuar në Sarandë. Mbase ky do të mbetet i vetmi libër i Bardhyl Maliqit, i suportuar jo nga financat personale, pasi ai nuk shpenzonte energji për të kërkuar, por për të krijuar.

Duke menduar sot të gjitha ato që ia doli të japë Bardhyl Maliqi, nuk ka dyshim se Saranda, pa Bardhyl Maliqin, do të na duket e varfëruar në vlera.

Përveçse humbje për familjen, e tillë është ikja e tij edhe për këdo që e kishte mik të çmuar. Auditoreve tona do t’u mungojë studjuesi pedagogu skrupuloz, poeti i frymëzuar dhe frymëzues.

ObserverKult


taras shevçenko ukrainë ukrainas

Lexo edhe:

AMANETI I POETIT UKRAINAS: KUR TË VDES, MË MBULONI TE NJË KODRINË…

Për herë të parë, poetin e madh ukrainas Taras Shevçenko, për lexuesin shqiptar e solli Mitrush Kuteli. Ai rrëfen si e pat prekur jehonën dhe praninë e poezisë dhe shpirtit liridashës të Shevçenkos në popullin e vendit të vet, në Ukrainë.

Asokohe Kuteli nuk e pati ditur se edhe fati jetësor i tij do t’i përngjante fatit të poetit të madh ukrainas, i cili qe dënuar për kohë të gjatë nga Cari: “Do të ndalohet të shkruajë dhe të pikturojë’… Dhe në kuadrin e Ukrainës të sotme, që po lufton me kurajo të pashoqe kundër një superfuqie, Kuteli na zbulon nëpërmjet një analize plot lirizëm, sesi vargjet e Shevçenkos rrëfejnë sa fort është e rrënjosur ndjenja e luftës për liri në shpirtin e popullit ukrainas.

Ju ftojmë ta lexoni njërën prej poezive më të njohura ukrainas të Shevçenkos “Amaneti”:

Amaneti

Kur të vdes, të më mbuloni
Te ndonjë kodrinë,
Që ta shoh gjithnjë, vëllezër,
Mëmën Ukrainë;
Të vështroj me gaz në zemër,
Fushën pa kufi.
Të vështroj si derdhet Dnjepri,
Si buçet ai,

Si vrapon mes Ukrainës,
Drejt e për në det,
Do t’i lë më nj’anë aherë,
Fushat dhe rrëketë;
Do të ngjitem lart në qiell
Perëndinë të shoh,
T’i flas hapur e t’i lutem,
Se tani s’e njoh.

Kur të më mbuloni mua,
Prangat flakini,
Derdheni në shesh të luftës
Gjakun për liri!
Dhe në familjen e madhe,
Të re dhe të lirë,
Ma kujtoni fjalën time
T’urtë dhe të mirë!…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


havzi nela:

POEZIA PREKËSE E HAVZI NELËS: KUR TË MËSONI SE KAM VDEKË…

Poezi nga Havzi Nela

Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë poeti zemërzjarrtë.

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë,
Thoni: “Ai urrej miz orin”
Thoni: “Dheu s’ka me tretë!”

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuejtje e dërmoi
Thoni se ka mbrojtë të drejtën
Grusht tir anësh nuk duroi.

Thoni, desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim.
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim.

Thoni, dritën ai kërkoi
E vet’ dritë nuk pa me sy,
Thoni: për njerëzinë këndoi
E për vete mbajti zi!

POezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult


ObserverKult