Nga Flutura Açka
Në një nga orët e para të këtij mëngjesi, pasi e kisha lexuar këto dy ditët e fundit edhe një herë me kujdes të gjithin si tekst, bëra një ndreqje edhe në paragrafin e fundit dhe i ndërrova muajin dhe i vura pikë librin tim më të ri, të fundit, të radhës. Dhe e nisa për t’u faqosur. Zhanrin e tij nuk e kam të qartë, është requiem për tim Bir, autofiksion, vetërrëfim, ose mbase të gjitha këto nga pak. Fundja unë jetë romanesh kam patur, të mbushur me të gjitha lëkundjet, edhe ekstreme, të një jete që s’më del jeta për ta rrëfyer.
Një ditë, duhet të ketë qenë maji i vitit 2016, im Bir nisi të më fliste gjatë për një poezi të njohur të Wislawa Szymborska-s, “Nonreading” dhe përpara kishte këtë letër me shënimet e tij, foli rreth një orë për të, aq sa mbase do të duhej të fliste edhe në klasë, pasi ishte poezia që i ishte ngarkuar atij për ta komentuar. Unë kam qenë një dëgjuese e mirë e tij, dhe atë çast kisha qenë vetëm dëgjuese dhe nuk mbajta dot shënime të asaj çfarë tha, por më ka mbetur kjo dëshmi e asaj dite. Sikur njeriu të dinte të lexonte të ardhmen e tij, mbase do të dinte t’i dreqte më mirë disa gjëra, t’i ruante më mirë disa kujtime dhe të vinte një rregull tjetër në jetën e tij, por kjo mbase do t’ia kishte zhbërë palcën jetës, ajo nuk do të ishte më spontante dhe mund të ishte edhe më e mërzitshme.
Tek e shkruaja librin tim personal që tani do të ishte i botuar, e që për shkak të grackës që e zuri këtë botë të madhe nga Covid-19, u ngatha ta mbaroj në kohë, pasi do ta paraqisja këtë muaj para lexuesit, u mëdysha shumë në duhet t’i përfshija në librin disa tekste të ngjashme me këtë që përmenda më sipër, tregime, poezi, ese për historinë, edhe atë shqiptare, kritika të shkurtëra letrare, të shkruara nga im Bir në vite e që janë siç i ka shkruar. Por ishte shumë tekst dhe nuk e gjeja të drejtë t’i bëja të miat dhe të shtoja faqet e librit tim vetëm për t’i patur të botuara një pjesë të tyre, edhe pse janë në të vërtetë tekste të mrekullueshme. Ato janë shkruar në original në anglisht, ndaj mendova t’i përmblidhja më vete dhe t’i paraqisja në një titull, një batutën tonë të hershme.
Ishim duke u kthyer nga Çamëria ku kishim kaluar disa javë pushime, kur pasi kishim kaluar Qafë Botë, e kishim lënë edhe Sarandën dhe po merrnim nga bregu, mu në një nga kthesat e rreziksme të Lukovës, nja dy shoferë na parakaluar me shpejtësi skëterre. Ulur në ndenjësen e pasme dhe me të gjithë humorin e tij, im Bir më tha këtë shprehje, dhe si të kisha marrë ndonjë qetesues ai nervozizëm i çastit më ra: Welcome to Albania, Mom!
Mirë se vjen në Shqipëri, Mam. Kjo frazë mbeti mes nesh si lojë dhe e përdornim shpesh. Ishte një farë kodi ynë i përbashkët që nënkuptionte se e donim Shqipërinë me gjithçkanë e saj, me spontanitenin, me marrëzitë, bujarinë dhe natyrën e patëdytë.
Në këtë libër modest të tij, në dy gjuhë, anglisht dhe shqip, është përfshirë edhe Eseja e tij e Zgjeruar e diplomimit, një punim shumë serioz me temën e Sigurimit Shqiptar në diktaturë, por tek e shkruante, edhe pse gati e përfundoi, nuk e dorëzoi variantin përfundimtar të saj dhe në të ka ende disa shënime të mentorit te tij. Vendosi ta linte esenë e dimplomimit që do ta çonte në universitet, la edhe ëndrrën e diplomës, edhe ëndrrën e universitetit. Mund edhe t’i merrte, por do të ishte një copë letër që thjesht do ta heroizonte dhe do ta fuste te historitë e “djemve heroikë, të cilët edhe në kushtet si të tijat, ia kishin dalë ta merrnin diplomën”. Ai nuk donte të mbahej mend si një i tillë hero, që kjo botë e kishte për zemër t’i përdorte si shembuj frymëzimi, edhe kur nuk i kishte, i shpikte nga askundi. I tha këto prerë, vuri kufjet për të dëgjuar muzikën e tij dhe u nda me botën tonë. Ishte dita kur u takua me drejtuesit e shkollët për t’ia dhënë këtë kumt vetë.
“Welcome to Albania, Mom” (Mirëse vjen në Shqipëri, Mam) është një libër që ka shumë dashuri për Shqipërinë, por ka edhe tekste interesante letrare. Ngaqë i referohem shpesh në veprën time, mund të ketë lexues që janë të interesuar ta lexojnë. Ky libër modest i tim Biri dhe që po e botoj në 2-vjetorin e lamtumirës me të, nuk do të jetë për shitje, do të jetë dhuratë për miq, të afërm, dashamirës, sigurisht edhe për ata që dëshirojnë ta kenë dhe do të jetë për publikun njëherësh me botimin e veprës sime të radhës, për të cilën po pres një ditë më të qetë dhe më të përshtatshme që të mund t’i bëj bashkë miqtë e mi dhe lexues të mi që po e presin veprën time të re.
Në “Welcome to Albania, Mom” ka përsiatje për disa personazhe që e kanë frymëzuar tim Bir të shkruajë për ta, si Frida Kalo, Sylvia Plath, Wislawa Szymborska, Woodrow Wilson, dhe disa tekte letrare e kritike që kanë të gjithë kufizimet e moshës kur i ka shkruar, por që përvijojnë një djalë me një botë të ndjeshme, por edhe më japin një anë të tij, që edhe pse e kisha djalin tim, nuk ia njihje dhe aq mirë, për shkak të natyrës së tij të tërhequr, mejtuese, të pafjalë, dhe mbi të gjitha, me një talent që kursehej ta shpallte. Rrugofsh Parajsës, Bir!
Tekstet e këtij libri janë përkthyer me shumë dashuri nga përkthyesi dhe bashkëpunëtori i Skanderbeg Books, Artan Qoqi
Fotoja në ballinë nga Mente Wester, është një imazh i tim Biri tek tregon hartën e Shqipërisë, ndërsa janë duke zbritur në Rinas, korrik 2016.
ObserverKult