Wind of Change – a qëndron CIA pas këngës hit të grupit Scorpions?

CIA e ka përdorur shpesh muzikën si instrument propagandistik gjatë Luftës së Ftohtë. A është dhe “Wind of Change”, që shoqëroi shembjen e regjimeve komuniste në Evropë, prodhim i CIA-s?

Kënga “Wind of Change” nuk është vetëm hiti më i madh në historinë e muzikës gjermane, por është edhe një nga ato këngë që lidhen në mënyrë të pandashme me rënien e komunizmit në Evropë. Një këngë që flet për lirinë, protestat dhe demokracinë. Një këngë që do të thotë shumë për miliona njerëz në mbarë botën.

Por prej vitesh qarkullon një teori e çuditshme se këtë këngë nuk e ka krijuar këngëtari i grupit Scorpions Klaus Meine, por CIA si armë e luftës psikologjike për të nxitur rininë e Evropës Lindore për të ngritur krye kundër regjimeve komuniste.Scorpions Musical Wind of Change (AP)

Buzë lumit Moskva apo në zyrat e CIA-s?

Klaus Meine thotë se ideja për këngën himn që shoqëroi kthesën në Evropën Lindore i kishte lindur tek ecte përgjatë lumit Moskva në Moskë drejt Parkut Gorki, kur papritmas një fllad erë të ftohtë i kishte fishkëllyer veshëve dhe i kishte krijuar idenë e melodisë.

Megjithatë gazetari Patrick Radden Keefe, që punon për revistën e njohur dhe serioze amerikane “New Yorker”, hulumtoi rreth dhjetë vjet për të nxjerr në dritë nëse ka ndonjë të vërtetë në historinë që kishte dëgjuar nga një ish-punonjës i CIA-s se kënga “Wind of Change” është krijuar në zyrat shërbimit sekret amerikan.

Edhe pse në vështrim të parë kjo histori tingëllon absurde, ajo që e shtyu Radden Keefe të hulumtojë është fakti se CIA ka përdorur shpesh këngë dhe muzikantë si instrumente propagandistike gjatë Luftës së Ftohtë, si p.sh. Nina Simone apo Dizzy Gillespie.

Histori interesante për një film

Radden Keefe ka përgatitur një podcast të gjatë për hulumtimet, investigimet dhe intervistat që ka zhvilluar për autorësinë e “Wind of Change”, por në fund nuk arriti të gjejë prova se kjo këngë është krijuar në zyrat shërbimit sekret amerikan.

Ndër të tjera ai mendon se thashethemet për këngën e grupit Scorpions mund të jenë përhapur nga rusët për të diskredituar “Erën e Ndryshimit”. “Gënjeshtra është një metodë që e përdorin shumë regjime për të kontrolluar popullsinë,” thotë Radden Keefe. “Ato krijojnë cinizëm dhe cinizmi krijon apati”.

Pas publikimit të podcastit nga gazetari Radden Keefe këngëtari i grupit Scropions Klaus Meine tha se kjo histori është e çuditshme se as në ëndrrat e veta më të fuqishme nuk mund ta kishte imagjinuar që kjo këngë mund të vendosej në ndonjë lidhje me CIA-n. Megjithatë sipas tij “edhe pse kemi të bëjmë me një thashethem të shpikur, historia është padyshim interesante dhe një ide e mirë për një film.”/DW