Nga Halil Matoshi
1.
Wisława Szymborska, poetesha Nobel, e njohtun botnisht, përmes poezisë së saj, si “Mozart i poezisë”, e ka kriju manifestin e saj letrar e estetik në poezinë “Do e duen poezinë”.
Kritikë e studjues nuk reshtin tue e shkru për poezinë e grues që bân pyetje naive, fëmijnore, por të qensishme e thelbësore.
Poezi me tre strofa, vargje t’lira, që me fjalën magjike të fillimit të secilës strofë (si çelës muzikor) krijohet vet titulli i poezisë (që në përkthimet e deritashme shqip, nuk âsht ruejt);
Szymborska-n kanë quejt “frymë kujdestare” të vendit të saj, që ka dhânë këshilla briliante për me e bâ ni botë ma t’’kuptueshme, mirëpo, Wisława Szymborska, simas THE CULTURE.PL NEWSLETTER, përfaqëson ni fenomen shqetësues, veprat e saj, sado modeste si vëllim, elektrizojnë lexuesit.
Humaniste e ndjeshmënisë së naltë dhe dyshuese karshi të vërtetave të paprovueme, e hapun ndaj ideve të reja dhe evoluuese, ajo shkruen vargje tue ndrru botkuptim e tue u bâ kritike e arsyeshme.
2.
Vargje që karakterizohen nga një stil që âsht introvert, i matun dhe univers në vetvete.
Thjeshtësia e poezisë së saj i kundërvihet teorizimit të studiuesve dhe pa dyshim ua shishmon poezinë lexuesve, në tâna gjuhët e kulturat.
Ajo e mânë ni largësi t’habitshme nga ngjarjet e mëdha historike, kushtëzimi biologjik i ekzistencës njerëzore, roli shoqnor i poetit, dhe gjithashtu nga sistemet filozofike, ideologjitë, të vërtetat dhe dogmat mí besimin, zakonet, stereotipet dhe frenimet.
Gjuha e saj âsht paradoksi, krejt e thjeshtë por në fund të fundit, e rafinume dhe idiosinkratike.
Szymborska godet me pjekuni, sepse ndejti manash ideologjive të mdhaja të shekullit 20, tue shkru poezi intelektuale, të ndërtume mbi humanen e qensishme, përmes lojës me kuptimet logjike, të cilat operojnë me saktësi maksimale dhe thjeshtësi të formës poetike.
3.
Megjithatë, simas Helen Vendler nga The New York Review of Books, poezia “Do e duen poezinë” zgjânon kuptimin e “rrethanës shoqnore” dhe evokon me shkëlqim fuqitë e ndershme prej poeteshe.
Përgjigjet poetike të saj janë sa objektive e subjektive, sa dokumentare, ashtu edhe empatike.
4.
Poezia “Do e duen poezinë” âsht e pastër dhe me formë perfekte, (mjeshtre e poezive të shkurtra deri skaj aforizmave) ndërkaq shikimi lucid e ndoniherë ironik âdht i drejtuem kah njerëzimi, kah dashunia dhe vdekja…
5.
Poezia për poezinë, âsht pyetje filozofike të cilës i jep përgjigje jo vetëm estetike por edhe karteziane: poezia âsht e padobishme, por na vjen si ni parfem erëmirë, a ni dishirim që na e ndreq ditën, na bân ndijor.
Kjo poezi na e shti n’huj, me e dashtë poezinë, e kush e do atë, forcohet përballë sprovës me jetue, nâshta edhe del fitues.
Jodomosdoshmënisht!
Poezia, askush s’e di çka âsht kjo far çude, e kur e lexon, ndihesh i dashunumë!
P.S.
Secili varg dhe secila poezi e saj âsht realitet i ri, botë e veçantë, një galaktikë në vete, e posa zbulume.
Ajo nuk e percepton botën si shkenctarët, ajo e ndjen – nuk e përshkruen botën – por i hulumton honet ma t’errëta të saj, fijet ma t’padukshme për mendjen dhe synin e njeriut, prej aty ku nuk arrin shkenca e dijet humane e, deri në pafundësi.
—————————
Disa e duen poezinë
Do
p’ej tyne
jo të gjithë, pra
jo shumica e të gjithëve, por pakica.
pa i njehë shkollat ku jepet detyrë
As vetë poetët,
Nâshta dy në nimi.
Kanë me qenë ata që e duen
E duen,
supën e pulës me petë,
dikush i pëlqen komplimentet dhe ngjyrën blu,
dikush bâhet merak në ni shall të vjetër, me e qitë krahëve
me e lmue ni qen, pëlqehet
Poezinë –
po çka na qenka ajo, poezia.
Hala asni përgjigje tamam
Nuk i âsht dhânë kësaj pyetje
Ndērsa unë nuk e di dhe nuk e di dhe mbahem për të si për ni kangjelë shpëtimi.
(Shqipnue e kthjellue nga H. Matoshi)
ObserverKult