S’ka shthurje më të madhe se mendimi.
Është një farë e keqe që mbin ngado,
mbi lehet tona bërë për luleshqerrat.
S’ka asgjë të shenjtë për ata që mendojnë.
I emërtojnë guximshëm gjërat me emrin e tyre,
analiza libertine dhe sinteza të kripura,
gjueti egërshane dhe cipëplasur faktesh, faktesh lakuriqe,
gërvëlisje të turpshme subjektesh të brishtë,
pllenimin e opinioneve e kanë gjënë më të këndshme.
Në mes të ditës, a nën mbulesën e natës,
formojnë dyshe, treshe, ose grupe.
Pa dallim moshe dhe seksi partnerësh.
Sytë u ndritin dhe faqet u përflaken.
Njëri mik prish tjetrin.
Vajza të padenja përpiqen të zvetënojnë të atin.
Një vëlla bën rolin e kodoshit me të motrën.
Mbi degët e pemës së dijes,
parapëlqejnë të tjerë fryte të ndaluar,
sesa vithet e trëndafilta të revistave,
tekefundit, krejt pornografinë lojcake.
Librat që i ndjellin nuk janë të ilustruar
dhe për t’u zbavitur ngulitin vetëm fjalitë specifike
të nënvizuara me thua apo me laps.
Është tronditëse se në ç’pozicione
dhe me çfarë thjeshtësie të pahijshme
një tru arrin të mbarsë një tjetër!
Pozicione që as Kamasutra nuk i njeh.
Gjatë këtyre përdhosjeve, e vetmja gjë e nxehtë është çaji.
Ulen në karrige dhe lëvizin buzët.
Çdokush kryqëzon veç dy këmbët e veta.
Një këmbë, kësisoj, mbështetet mbi parket,
teksa tjetra lëkundet lirshëm në ajër.
Vetëm herë pas here dikush
shkon te dritarja
dhe, nga një vrimë e perdes,
përgjon rrugën.
Përktheu: Alket Çani