Wisława Szymborska: Shikoni sa sa mirë mbahet në formë në shekullin tonë urrejtja!

Shikoni sa e fortë është,
sa mirë mbahet në formë
në shekullin tonë urrejtja.
Sa lehtësisht i kalon pengesat,
sa lehtë kuturis, të mbërthen.

Nuk është si ndjenjat e tjera,
si të vjetrat dhe ndjenjat më të reja.
Vetë i prodhon shkaqet
që e bëjnë të vijë në jetë.
Në se dremit ajo, në gjumë të përjetshëm nuk është.
Pagjumësia aspak s’e dobëson, por e forcon më tepër.

Për fe ose jo –
mjafton gjunjëzimi dhe fillon.
Për atdhe ose jo-
mjafton dhe fillon.
Madje dhe drejtësia i duhet pak në fillim,
pastaj vazhdon vetë.
Urrejtja. Urrejtja.
Një ngërdheshje dalldisëse dashurie
ja shtrembëron fytyrën.

Oh, ato ndjenjat e tjera-
si të sëmura dhe të flashkëta.
Qysh kur vëllazëria
mund të mbështetet në turmat?
A ja arriti dhembshuria
ndonjëherë qëllimit?
Dyshimi sa vullnetarë tërheq?
Tërheq vetëm ata që e njohin.

E aftë, e zgjuar, shumë punëtore.
Por, pa na thuaj sa këngë ka kompozuar?
Në librat e historisë, sa faqe ka shkruar?
Sa qilima me njerëz ka shtrirë
në sa sheshe, stadiume?

Le të themi të vërtetën:
i vjen doresh për të krijuar.
Verbuese ndriçimet e saj në natën e errët.
Të mrekullueshme retë e shpërthimeve në agimet e skuqura.
I pamohueshëm patos i rrënojave
dhe humorizmi i dhjamosur
i shtyllës që fuqishëm mbizotëron.

Urrejtja: mjeshtre kundërshtish
mes shpërthimit dhe heshtjes,
mes gjakut të kuq dhe borës së bardhë.

Dhe sidomos nuk i del kurrë nga qefi
motivi i xhelatit të pispillosur
mbi viktimën e përdhosur.

Në çdo çast, gati është për detyra të reja.
Nëse duhet pritur, ajo pret.
E quajnë të verbër. Të verbër?!
ajo më mirë se shqiponja shikon
dhe me vendosmëri të ardhmen sheh
– vetëm ajo.

Përktheu: Maks  Rakipaj