Wolfgang Borchert: Ora e kuzhinës

Nga Wolfgang Borchert

Ajo ka ndaluar në orën dy e gjysmë. Fiks, në dy e gjysmë!

E panë nga larg tek po iu afrohej, sepse ai binte në sy. Kishte një fytyrë shumë të plakur, por nga mënyra sesi ecte, mund të besoje se ishte vetëm njëzet vjeç. Ai, me fytyrën e tij të plakur, u ul në stolin pranë tyre. Pastaj iu tregoi se çfarë po mbante në duar. Kjo ishte ora jonë e kuzhinës, – u tha, dhe i vështroi të gjithë me radhë aty, të ulur në stol, nën diell. – Po, e gjeta. Kjo kishte tepruar.
Ai mbante para vetes një orë të rrumbullakët kuzhine me fushë të bardhë dhe prekte me gisht numrat e ngjyrosur në blu.

Kjo nuk ka më vlerë, – tha sikur po kërkonte falje, – unë e di këtë. Nuk është as e bukur. Është thjeshtë një pjatë lyer me të bardhë. Por akrepat blu duken shumë bukur, mendoj. Numrat, sigurisht prej letre, duken ende. Tani akrepat nuk punojnë më. Jo. Zemreku është i prishur, është e sigurt. Por, duket si gjithmonë. Edhe pse nuk funksionon më.
Ai bëri me majën e gishtit një rreth të kujdesshëm përgjatë skajit të orës. Pastaj tha me zë të ulët: – Kjo teproi.
Ata që ishin ulur në stol nën diell nuk po e këqyrnin. Burri shikonte këpucët e tij, ndërsa gruaja po shihte karrocën e fëmijës. Atëherë dikush tha:
-Domethënë, ju keni humbur gjithçka tjetër?
-Po, po, – tha ai disi i lehtësuar, – po, gjithçka! Vetëm kjo këtu, kjo ka mbetur. Dhe e ngriti orën lart sërish, sikur të tjerët të mos e kishin parë ende.
-Po ajo nuk punon më, -tha gruaja.

– Jo, jo, s’punon, jo. Është e prishur, e di. Por, përveç kësaj, ende duket njësoj si gjithmonë: e bardhë dhe blu. Dhe sërish ai u tregoi orën. – Por, më të bukurën, – vazhdoi ai i ngazëllyer, – ende nuk jua kam thënë. Më e bukura vjen tani, pa mendoni: ajo ka ndaluar në orën dy e gjysmë. Fiks, në dy e gjysmë; mendojeni.
-Atëherë, shtëpia juaj me siguri është goditur në dy e gjysmë, – tha burri, duke lëvizur buzën e poshtme përpara. – E kam dëgjuar shumë herë. Kur bie bomba, orët ndalojnë. Kjo ndodh nga presioni.

Ai vështroi orën dhe tundi kokën i menduar. – Jo, i nderuar zotëri, jo, e keni gabim. Nuk ka asnjë lidhje me bo mbat. Jo gjithmonë duhet folur për bo mbat. Jo. Në dy e gjysmë ndodhte diçka krejt tjetër, thjesht ju nuk e dini. Sepse kjo është më e bukura: që ajo ndaloi në dy e gjysmë. As në katër e një çerek, as në shtatë. Unë gjithmonë kthehesha në shtëpi në orën dy e gjysmë. Natën e kam fjalën. Pothuajse gjithmonë në dy e gjysmë. Kjo është e bukura.

Ai i pa të tjerët, por ata ia kishin hequr sytë. Ai nuk ua gjeti. Atëherë ia nguli sytë orës së tij: -Në atë orë, sigurisht, isha i uritur, apo jo? Dhe, gjithmonë shkoja drejt e në kuzhinë. Ishte pothuajse gjithmonë dy e gjysmë. Pastaj, pastaj vinte nëna. Sado lehtë ta hapja derën, ajo gjithmonë më dëgjonte. Kur kërkoja të haja diçka në kuzhinën e errët, drita papritmas ndizej. Ajo qëndronte atje me xhaketën e saj të leshtë dhe me një shall të kuq mbështjellë. Dhe zbathur. Gjithmonë zbathur. Kuzhina jonë ishte me pllaka. I puliste sytë, sepse drita ishte shumë e fortë. Sepse kishte qenë në gjumë.

Ishte natë. “Sa vonë, përsëri” – më thoshte.
Kurrë nuk thoshte ndonjë fjalë më shumë. Vetëm: “Sa vonë, përsëri”. Më pas më ngrohte darkën dhe më vështronte kur haja. Gjithmonë fërkonte këmbët njëra me tjetrën, sepse pllakat ishin shumë të ftohta. Kurrë nuk vishte këpucë natën. Rrinte ulur pranë meje derisa të ngopesha. Pastaj e dëgjoja tek hiqte pjatat, kur unë ndërkohë e kisha fikur dritën në dhomën time. Çdo natë ndodhte kështu.

Dhe, kryesisht, gjithmonë në dy e gjysmë. Më dukej gjëja më normale, që ajo më përgatiste ushqimin netëve në kuzhinë në dy e gjysmë. Më dukej krejt normale. Ajo e bënte gjithmonë këtë. Kurrë nuk tha më shumë se: “Sa vonë, përsëri”. Këtë më thoshte çdo herë. Mendoja se e gjitha kjo nuk do të përfundonte kurrë. Ishte shumë e natyrshme për mua. Gjithmonë kishte qenë e tillë.

Për një moment, në stol ra heshtje. Pastaj ai tha me zë të ulët: – Po tani? – Vështroi të tjerët. Por nuk i gjeti. Pastaj i tha me butësi orës në fytyrën e rrumbullakët bardhë e blu: Tani, vetëm tani e kuptova se ajo kohë ishte parajsë. Parajsa e vërtetë.
Në stol ishte tepër qetësi. Atëherë gruaja e pyeti: -Po familja juaj? Ai, i zënë ngushtë, i buzëqeshi: – Oh, do të thuash prindërit e mi? Po, edhe ata janë zhdukur. Gjithçka është zhdukur. Gjithçka, thjesht imagjinoni. Çdo gjë e zhdukur. Ai u buzëqeshi të gjithëve i ndrojtur. Por ata s’po e shihnin.

Pastaj ngriti përsëri orën lart dhe qeshi. Ai qeshi: – Vetëm kjo këtu. Kjo ka mbetur. Dhe gjëja më e bukur është se ajo ka ndalur në orën dy e gjysmë. Fiks në dy e gjysmë.
Pastaj nuk tha asgjë më shumë. Por në fytyrë dukej shumë i plakur. Burri i ulur aty pranë vështroi këpucët. Por ai nuk mund t’i shihte këpucët e tij. Po mendonte sërish për fjalën “Parajsë”.


Përktheu: Bojana Spahija

ObserverKult

Lexo edhe:

ANA KOVE: JAM FRYMA E PERSONAZHEVE QË KAM NGJIZUR