PËRKUJTIM PËR DJALIN TONË TË MIRË, LURANIN
Nga Xhabir Ahmeti
O Lurani i babit, sot u mbushën dy muaj që s’të kam babi në shtëpi. Sot u mbushën dy muaj dhembje e pikëllim. Sot dy muaj kanë mbetur librat pa u shfletuar.
Zbrazëtia, heshtja dhe pikëllimi që ke lënë pas për çdo ditë bëhen peshë më e madhe e më e madhe mbi shpatullat tona. Çdo ditë bëhet më e vështirë e më e vështirë nga pikëllimi për ty!
Sa të pamëshirshme janë ditët. Ikin duke e shtyrë me bërryla njëra-tjetrën dhe duke hedhur pluhurin e harresës mbi adhuruesit e tu, që aq shumë të donin. Po, aq mund të pritet prej adhuruesve, sepse emrat e rëndësishëm të kulturës dhe të traditës sonë, shumica syresh zakonisht i shkruan në akull ose në këngën popullore dhe ngutet ta kapërcejë këtë shteg të kësobotshëm në krahët e rehatisë..
Tash ende vjen ndonjë dashamir të na ngushëllojë me pyetjen e zakonshme: a po mërzitesh? Ne i përgjigjemi me lot, kurse ai shton: mos u mërzitni… Bëni sabër… Durimi është e vetmja rrugë që ju ka mbetur, na thonë.
Po ku ta gjejmë ne atë durim, ku ta marrim, kur vazhdimisht e ndjejmë kumbimin e zërit tënd kudo që të jemi, kudo e shohim fytyrën tënde të bukur, kudo na del përpara buzëqeshja jote. Kudo e ndjejmë ngrohtësinë e përqafimit tënd, të ndjejmë ty që s’na leje të shkojmë të flemë pa na përqafuar e pa na puthur. Ku ta marrim ne forcën që do të na qetësonte kur ti vazhdimisht na thoshe: ju jeni më të rëndësishëm, juve ju kam gjithçka. Ku ta marrim atë energji e cila u shua me ditën kur ti u nise shtegut të pakthim të amshimit dhe ne tash në këtë humnerë të vetmisë po e kuptojmë se kemi humbur gjithçka, përveç Arbës, yllit që me xhelozi e ruan emrin tënd, anise ende është e vogël, vetëm gjashtë vjeçe. Arba është ajo që kur dalim me veturë për ndonjë punë na thotë: Kjo rrugë është që ne me babin shkojmë në Prizren dhe në Tiranë… Unë e babi duam të hamë mish që të bëhemi më të fortë… Unë e dua shumë babin tim, sepse s’kam parë baba më të mirë në botë… Çka nuk thotë e çka nuk bën për ty duke e ruajtur me xhelozi kujtimin për ty në zemrën e saj të vogël.
Ku ta mbledhim veten kur jemi të vetëdijshëm se ne kemi humbur gjithçka, që me largimin tënd na është thyer shtylla kryesore që e mbante shtëpinë tonë, çfarë të bëjmë ne tash kur mungesa jote po na lë pa oxhak:!
Ti, biri im e bëre një rrjetë të gjerë shokësh në mbarë rruzullin tokësor dhe ngrite ura miqësie midis njerëzve të mirë duke u bërë shembulli më i mirë i bashkimit të vlerave. Këta njerëz të kujtojnë, këta njerëz kanë vendosur ta ruajnë dhe ta mbrojnë emrin tënd, sepse me të drejtë mendojnë që ti e meriton, sepse ata e dinë që ti e shkrive rininë tënde për ta bërë teatrin tonë me peshën që e ka pasur në antikë.
Edhe ne do të të kujtojmë deri në frymën e fundit, sepse ti je fryma jonë, je djali ynë, je vëllai i Lindës, je bashkëshorti i Edlirës dhe, më e rëndësishmja Ti je Babi i Arbës, e cila thotë: “Unë s’kam parë babi më të mirë në botë se babi im…
Ne të duam dhe do të duam sepse ti je kuptimi i jetës sonë, sepse ti je krenaria jonë, Lurani ynë!
ObserverKult