Xhabir Tabaku: Fillova ta doja aq shumë Rozën…

Nga Xhabir Tabaku

që nga mbrëmja e asaj nate bri liqenit, që të tregova, m’u ngulit në mendje se njeriu në çantën e shpinës nuk ishte imagjinar, por ishte i vërtetë. kjo më shumë më frikonte se më ngrohte. por me duhet të pranoj se kureshtja me e njoftë atë ishte tejet joshëse. pra po përjetoja frikë joshëse. si të jetë i vërtetë një njeri që në përmasa imagjinare hyn në një çantë dhe lë vend edhe për libra? si edhe ta kam thënë më herët nuk isha e sigurtë në e doja djalë a vajzë. sikur nënat, që s’e dinë nëse e duan barrën djalë a vajzë. zëri i djalit në liqen s’më shqitej veshësh. nganjëherë më zgjonte mbas mesnate e më pëshpëriste në vesh: Tina! – dhe s’e shihja, por e ndjeja. disi më ndizte.

***

kur isha e vogël kam qenë e ndrojtur. prap jam. një ditë, herët në mëngjes i thashë nënës se do ikja te daja. ajo u gëzua. nuk mbaj mend a pat qenë hera e parë që shkoja vetëm. autobusi po vononte të vinte. ndaloi një veture ngjyrë qumështi mu para këmbëve te mia. – ku do shkosh! më pyeti. ishte një burrë rreth te tridhjetave. buzëqeshja e tij ma ngriu gjakun. ndjeva në gjos thellë brenda zemrën të rrihete me shpejtësi. pata frikë. pata shumë frikë.

– që atë mëngjes fillova të ëndërroja për njeriun e çantës të ishte vajzë. ndryshe nga djali i liqenit, i cili me siguri do më fliste disi, vajza do druhej njëherësh me mua. ndoshta dhe do më bëhej motër.

Pse s’reagoi njeriu në çantë kur ai më ftoi në veturë? ajo buzëqeshje me frikon akoma sot.

***

ne jemi me fat kur në jetën tonë hyn një i ri. një i panjohur më parë pra. me “ne” e kam fjalën për njerëzit e brishtë, si puna ime. jo për të gjithë. sa s’fluturova kur rasti ma solli në jetë Rozën. Roza ishte sikur emri që mbarte. lule e vërtetë. tash bëhet fjalë për kur u rrita. kur shkova në shkollë. kanë kaluar vite dhe tash s’jemi si më parë, jemi larguar. Roza sikur edhe është ftohur pak. ndoshta largësia. apo ndoshta ka një mike tjetër!

***

fillova ta doja aq shumë Rozën. ia doja gjithçka. shumë e bukur, e zgjuar, dhe çapkëne. ia doja aromën e shtatit. kur ndaheshim e përqafoja dhe merrja frymë thellë. aroma mbetej me mua derisa shiheshim herës tjetër dhe ashtu prap e prap.

– po Roza? ta ndjente aromën ty?

– “nuk e di. nuk e kam pyetur kurrë. nuk po provokon apo jo!”.

– jo – jo. po të ndjek.

-“ unë të pëlqej ty. shumë. nuk besoj se po të bezdis”.

– aspak. në të vërtetë kam filluar të të pëlqej edhe unë ty.

-“ po flirtojmë më duket. hapur – apo jo! unë jo.

***

Roza ishte shumë aktive. ishte disi vajza që ëndërroja të isha. ose – ose mund të ishte njeriu në çantën time. vetëm dëshirë që herë ndizej e herë ftohej. atbotë i doja të dy. edhe Rozen edhe njeriun që më ndiqte si hije pas. me kalimin e ditëve gjërat u bënë interesante. Roza, njeriu misterioz, shkolla etj po më thithnin. ndjehesha e ngazëllyer. s’e gjeja dot çfarë më krijonte ketë gjendje. gjendja më ndryshonte herëpas’here. krijohej konfuzion në mendjen time. aroma e Rozës mbulonte si tis dekolte pjesëza ngacmuese në jetën time. isha si në avull.

-“ti do jesh përzgjedhës në çfarë po të tregoj. më premto!”.

– jo. s’të premtoj. nuk e di nëse do ta shkruaj jetën tënde si fillim. pastaj edhe nëse po, prap s’të premtoj se do të përdor kriteret e tua.

– “a po kërkon të më bësh të hapem menjeherë? – shih! ajo pyetja: po Roza a e mbante aromen tënde?… po kërkon të më profilizosh!”.

[vijon]

*Titulli i origjinalit: “Tristina (4)”


Lexo edhe:

XHABIR TABAKU: ÇFARË DO DOJA UNË TË ISHE TI PËR MUA?

ObserverKult