Xhabir Tabaku: Nuk e gjej dot Zotin. Jam vetëm…

Nga Xhabir Tabaku

Fragment “Letra pas mesnate”

… ja të shkrova prap, s’më rrihet. Asgjë e re. Asgjë. Doja të hidhesha poshtë trenit. T’ia provoja botës që isha e pamposhtur. Me siguri treni do ndalej. Nuk do me shkliste. Por, edhe nëse do më shtypte, unë nuk do e ndjenja dhimbjen. Jam e vdekur pothuaj edhe kështu si jam. Pa tren a autobus sipër. Netët po më mbysin. Netëve kam beteja mbas betejash me demonë. Janë shtuar… gjithandej. Zhurmat depërtojnë trurin deri në qendër. Tingujt shpues, dritat verbuese. Ngjyrat gjallohen e vibrojnë kercënueshëm. ujë, ujë… Trëmbem. Më thahet qellëza. Gjuha. Rrjedh ujë gjithandej. Nga vagina. Ujë i verdhë.
Tkurrem frike nën çarçafët e lagur. Mbyll sytë. Përqendrimi është luks. I pamundur… Dritaret e mbyllura ma marrin frymën. Dhoma nxehet nga fryma që lëshojnë demonët. Frymë e athtë. Hap dritaret e vdekja më sulmon… Qindra demonë të tjerë futen në odë. Më mbulojnë. Më prekin gjithandej… Tallen.
Mundohem të kapërdij mendimet e liga që më mundojnë trurin. Ankthin. S’ia dal. Çdo qelizë imja mbart një demon… Zhurma më përlan, më frikëson.
… ngadalësoj mendimet. Përqendrohem në një pikë të errët poshtë kolltukut pranë dritares. Diçka ndryshe. Zhurmat pakohen. Tingujt zbuten, ngjyrat zbehen e qetësohen, hemoragjia e ujit ndalë. Më vjen energjia prap. Ngrihem. Prek lëkurën gjithandej. Nuk ka demonë. Tash marr frymë. Ajri nuk eshtë i pezmatuar qelbësirash. Oh! – paska zbardhë dita. Babai ka të drejtë. Më kërkon të flas me Zotin gjithë natën…
Mbrëmë piva shumë… Një shishe corvoisier. Kisha frikë, kisha frikë. Ndaj. Nuk e gjej dot Zotin. Jam vetëm… Krejt vetëm. Vijon…

ObserverKult

Lexo edhe:

XHABIR TABAKU: ÇFARË DO DOJA UNË TË ISHE TI PËR MUA?

“…Çfarë do doja unë të ishe ti për mua?
Ku di! Ti më pyete, por unë nuk dija si të të përgjegjesha, si të ta thoja atë që kaq kohë e kisha mbajtur kyçur brenda meje, atë që e kisha folur me zë të ulët me qindra herë që nga momenti kur folëm bashkë herën e parë.
Të kam thenë që unë jetoj tri kohë? Të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. …Dhe që kërcej herë në njëren, e herë në tjetren dhe në tjetren pastaj. Si mund të ta thoja, kur më pyete nëse kishim folur ndonjeherë më parë, nëse njiheshim… Të t’thoja se po, njihemi që kohë më parë pa të bërë të dyshoje në qartësinë e mendjes time? E egzaltuar në të vërtetë që edhe ti nuk e kishe fshirë nga mendja. Jo, jo nga mendja por nga shpirti, sepse ai mbetet edhe kur mendja ikën. Pra një natë e vetme, nata jonë e vetme e jetuar në një nga jetët tona të shkuara që akoma nuk të ishte fshirë nga kujtesa e shpirtit.

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU