Poetët tanë të “palexuar”, nga Xhabir Tabaku
Poeti Arb Elo asht padyshim ndër ma cilësorët e ma prodhimtarët e letërsisë sonë bashkëkohore. Ndonëse i njoftun në rrethe elitare poetësh e artistësh, ai çuditënisht nuk asht aq i pranishëm në nivelet e tjera të lexuesëve.
Autori i disa vëllimeve me poezi dhe i dy përmbledhjeve me të zgjedhuna të mahnit me fjalorin e gjuhën e tij të kultivuar e figuracionin e pasun. Poezitë e tij janë vetëm të tiat – nuk i përngjet kuj e nuk përngjahet nga kush.
Origjinaliteti e thellësia e mendimit shoqëruar me ndjenja të imta e sqime, e bajnë poetin pothuaj të pakrahasueshëm jo veç me bashkëkohorët e tij, por edhe me paraardhësit po ashtu. Po t’i ofrohet lexuesit në masë, pa dyshim që ai do i bënte një nder të madh artit të të shkruarit poezi dhe do edukonte të rinjtë me leximin e shkrimin e diçkaje jo të zakonshme shqiptare, por të një naltësie tjetër, ndoshta të paprekun ma parë. Shumë poezi të tij fillojnë ngadalë e me qetësinë e faqes së një liqeni në gjumë, si diçka e përditshme, e prekshme, mandej diçka tjetër vjen para teje, diçka e veçantë për t’u shndërrue në vullkan.
Ndonëse poezia e tij prek terrene të njoftuna, të populluara e të pluhnosuna, ajo papritmas kalon në zona elitare të mendimit e ndjenjës… Qetë – qetë ai e merr fjalën e bën varg, vargut i jep ritëm e kështu një lumë vargjesh të larmishme të fusin në rrjedhën e botës së tij poetike. Dhe çfarë bote!…
Çdo komb do e kishte zili një poet të tillë, që çuditnisht asht mbulue nga heshtja ndër ne. Po lexoj i mrekulluar vellimin e tij ma te vonë me proza. Proza e tij asht e cilesisë ma të naltë e rrjedh si poezi. Ma poshtë do rreshta nga vëllimi “Katër në Një”.
Mëdysh…
Ndanë pellgut tim ku shihet, nepër pasqyrë,
rritet veç me atë ujë kur shi nuk bie, tjetri gri,
çastet ia brejnë atij lëkurët njëra pas tjetrës,
rritet me atë ujë agjërimi kujtesë ku shihet
e i buzëqesh vetes zgavërt si hapi shputës.
Ky qenkam pra, frymë përmbi ujë para ditës së parë,
kjo më mpak, dhimbja kur shihemi e s’mundemi,
shihemi si anët e një udhe e dot nuk puqemi,
mes nesh rrjedh largësia e rrënjët i kemi të thella,
të humbura e të shurdhëta diku nën dhe.
Lagësht atje poshtë, ku ushqehet vdekja me kohë,
si rryma me bulëzat që më s’janë, lagësht atje poshtë
po kërkoj një vend të fortë ku të mund të pleksemi,
të kapemi e të mbahemi tek tjetri o vëlla, por ndanë
dy brigjesh kemi mbirë, si larva të lidhura me shtjellë,
si larva të lidhura me vorbull, rrjellën e pijmë q’andej
si dert e sillemi, sillemi rretherrotull një force të verbër,
brenda mbirë të pirë, jashtë bardhezia e çka shkon
na verbon, na err sytë e dot s’na shterr…
ObserverKult
____________________
Lexo edhe: