Xhabir Tabaku: S’di çfarë jam… nuk di çfarë dua…

Nga Xhabir Tabaku

Ku mund të takohemi, kur mund të shihemi, si mund të njihemi, a mund të flasim në chat a telefon, a ke kamera që të ta shoh fytyrën?.

Mund të shihemi në mes të Tiranës a në mes të Prishtinës, njësoj. Ose mund të shihemi në Durrës a Sarandë. Më shkruaj – të shkruaj.

Di ta grahësh veturën? Le të shihemi në Korfuz! – larg.

Haj’ të shkojmë në Kotor. Të kujtohet ajo nata në kalanë Rozafa? Në Kotor nuk është njisoj. Ka duar ngërthyer gishtërinjsh e djersë. Të pëlqen djersa?

Po… ajo e freskëta, pa pudër, pa parfum. Nuk i dua ngjyrat thotë burri, as pluhurat as kolonjën as parfumin.

Zhvishu! Fluturo nën dush të nxehtë e jakë! Bregdeti, mjegulla e lehtë, këngët e vjetra me lahutë, këngë urrejtjeje… bishash të zeza. Pse erdhëm këtu? Kishte vende tjera… Ne nuk do bëjmë plazh – nuk mundem, nuk u dal burrave të botës lakuriq – as grave.

Nuk u besoj asnjërit nga ata – më dëshirojnë të gjithë – të gjitha.

Jam kotele e egër, jam maçok i butë sy shkruar – s’di çfarë jam. Nuk di çfarë dua. Dua lulet – po. Dua dritën e poezitë e mprehta – teh thike, me frymë të menta të pastra, të nxehta. Dua natën, tinzën, shtrydhjen, zhdjergun, ujë, lëng. Dua vjolat lejla…

Dua një shtrat të ngushtë ku të më dhëmbin kofshët shtrënguar – të ngërthehen këmbë, duar, hundët të plasin gjak, puthje shumë, gjumë pak – shumë pak. Dua dritaren deri në tokë… ta shoh botën deri në skaj. Të bërtas t’madhe, të puth me shpirt; të vdes pastaj. Dua një pemë fiku me gjethe të errët, si mal i zi – të flej nën fik. Vesën dua, brymën… gjumë dua… Gjumë shumë deri në harrim… nuk dua të zgjohem. Në krahë e kraharor të jes si rrëfanë qershish, lule shege, lëng i nxehtë. Të flej tokës pa çarçaf, pa çorapë, pa gjithçka. Po ngrij… kam të ftohtë. Do flë.

Do fle deri të më zgjojë engjëlli im: – demonët kanë vdekur… jemi vetëm ti e unë. Haj të duhemi bashkë! -ta mbajmë sekret. Po ngrij – po ngrij… veç ti engjëll mavi më ngroh, ti engjëll që lind e vdes përnatë ëndrrave të mia.

Të kujtohem?!… – jam gruaja me sytë e bukur mavi – si ngjyra jote o engjëll. Jepma dorën e zgjomë nga gjumi se vajti vonë… nuk dua të vdes. Haj të ikim diku o engjëlli im mavi! Hiqmi demonët trurit! – largomi çarçafët e bardhë – e puthmë në sy. Zgjoma andrrën! Këputmi zinxhirët, zvarrë të fluturoj!

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Nën hije të fikut”


Lexo edhe:

XHABIR TABAKU: VETMIA E TIJ TË PËLQEN TY MË SHUMË SE ATIJ…

Nga Xhabir Tabaku

…ty të pëlqen ideja e një burri të vetmuar, ti thua se ai vetë e zgjedh vetminë, e pëlqen atë. Në të vërtetë vetmia e tij të pëlqen ty më shumë se atij.

Të bën ta shohësh atë si vetmitarin tënd dhe sheh veten si një kishëz fshehur diku në rrugicat e ngushta gati mesjetare të një qyteti të vogël por të zhurmshëm, me plot vetmitarë.

Mes të gjithë të vetmuarve, ti zgjedh vetmitarin tënd. Ai, burri vetmitar pra, vetëm atë kishë di.

Di dhe të tjera, por ajo e fshehta fare, domethënë ti, e tërheq më shumë. Ndjehet më i sigurtë. Ti, e imagjinon burrin e vetmuar të dërmuar nga e shkuara e tij e panjohur për ty, tek rrëfehet tek ti, murge e dedikuar dhe besnike.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult