Xhabir Tabaku: Vetmia e tij të pëlqen ty më shumë se atij…


Nga Xhabir Tabaku

…ty të pëlqen ideja e një burri të vetmuar, ti thua se ai vetë e zgjedh vetminë, e pëlqen atë. Në të vërtetë vetmia e tij të pëlqen ty më shumë se atij. Të bën ta shohësh atë si vetmitarin tënd dhe sheh veten si një kishëz fshehur diku në rrugicat e ngushta gati mesjetare të një qyteti të vogël por të zhurmshëm, me plot vetmitarë.

Mes të gjithë të vetmuarve, ti zgjedh vetmitarin tënd. Ai, burri vetmitar pra, vetëm atë kishë di. Di dhe të tjera, por ajo e fshehta fare, domethënë ti, e tërheq më shumë. Ndjehet më i sigurtë. Ti, e imagjinon burrin e vetmuar të dërmuar nga e shkuara e tij e panjohur për ty, tek rrëfehet tek ti, murge e dedikuar dhe besnike.

Ideja e stolit të rrëfimit në atë dhomën e errët ndarë me rrjetë të hollë, të zezë, nga njëra anë e së cilës burri vetmitar ven kryet mbi gjoksin tënd, i vetmi vend që e paqëton, avull e ngrohtësi. Nga ana tjeter ti, gruaja e rrallë që ndjell trurin e tij të shfrenuar. Ideja e rrëfimit të burrit vetmitar tek ti duke pëshpëritur si përçart fjalë të çuditshme; fjalë të ngrohta, të ledhaton.

E mendon atë si fëmijë të uritur, të çorientuar, të cilin do ta pajtosh, ndoshta t’i japësh gji. Më shumë për të zhgufuar gjijtë e tu se sa të ngopësh rrebelin e vetmuar. Që në kohë të moçme pak a shumë kështu duhet të ketë qenë. Një burrë i vetmuar ndesh diku pranë kroit të fshatit një grua të bukur. Ai i etur, buzëçarë, ajo zemër e brishtë, shpirt i ëmbël.

Gruaja nuk e di as vetë pse, i ngjitet udhëtarit të panjohur nga pas mbi kalë dhe zhduket rrugëve të shkreta për diku larg. As burri as gruaja nuk e njohin njëri-tjetrin. Por nuk shkëmbejnë fjalë. Ia mbajnë të kaluarën në terr sho-shoqit. Ashtu mund të spekulojnë me té, me imagjinatën e pafrê dhe fantazinë lozonjare. Por në kohët tona, në kohët moderne domethënë, gjërat s’ngjasin më ashtu si dikur me fisniken e kroit dhe kalorësin e natës që merr maj’ kalit gruan e tjetrit diku larg, në një vënd të huaj.

Sot nuk ka kishëza të vogla as gra inteligjente që japin gji që nga pas rrjetës së padepërtueshme pranë stolit të rrëfimit në dhomën e errët. Krijesa të çuditshme postmoderne depërtojnë trurin e tjetrit dhe bëjnë fole.

Anipse të përkohshme, foletë mbesin aty përjetë e përtej përjetës. presin të vdesin krejt të qetë. Mendje të zhdërvjellta e dinë se dikur, një mbramje vonë, do të shihen diku bri një liqeni të madh. Shumë i madh liqeni, bregut të të cilit ri-inkarnohen mendjet e pista në trajta të çrregullta. Bregut të liqenit ka zbrazëti njerëzore, bëhet fjalë për një botë jo lëndore pra langu i vetëm është flirti i ndërsjelltë me pamjen e liqenit, vetëm dy lila të zhveshur lundrojnë langut me ngê… një lil i bardhë, një lil i verdhë.

Konturet e çrregullta që bartin, janë forma më e përkryer e mendjes njerëzore të shndërruar tashmë në imagjinatë absurde – lila me aromë njelmi djerse…

Nata ngadalë djeg terrin e vet dhe gjithçka nderet në boshllëk, erëra të hatashme fshijnë gjithçka, as kryet e burrit në paqe mbi gjoksin e gruas përtej perdes së padepërtueshme në odën e errët të rrëfimit, as dëshira jerm e gruas murge nuk mbijetojnë. Kohët tona nuk e njohin aromën e lëkurës, shkulmat, njelmin…

Luhen ândrra rrëmujshëm në botë të panjohura dixhitale. Sekrete si peta të holla fosilesh moderne stampohen në memoriet e ftohta elektronike. Histori të llahtarshme do lexojnë njerëzit mbas dhjetë shekujsh a ndoshta edhe një viti më shumë.
Do i kuptojnë si të duan vetë. Edhe heshtjet do i deshifrojnë me kode të veta. Do të argëtohen me mëkatet tona dhe do gajasen me turpet tona të pabëra. Ndoshta edhe ne do jemi mes tyre; rijetësuar herë si njerëz të paorientuar intimë e herë si kërminj prilli, të nxehtë e të ftohtë njëherësh. Ne do jemi të akuzuar, akuzues dhe gjykatës. Do jetojmë edhe njëmijë e një vite të ndarë, por bashkë – quaji vitet e kërmillit!ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Njëmijë e një vite më vonë”

——————————

Lexo edhe:

XHABIR TABAKU: UN’ NUK IKA PREJ TEJE!


XHABIR TABAKU: DUA TA FLAS SHPIRTIN E MENDJEN DERI NË THELLËSI!

XHABIR TABAKU: FILLOVA TA DOJA AQ SHUMË ROZËN…