Xhamia e Et’hem Beut, simbol i Tiranës- po rimerr pamjen e mëparshme

Pas restaurimit të çatisë së xhamisë të Et’hem Beut në Tiranë ka nisur puna për çmontimin e strukturës mbuluese.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti ku theksoi se ky monument-simbol i kryeqytetit po rimerr pamjen e mëparshme.

“Specialistët po i japin dorën e fundit restaurimit të pikturave murale. Pas përfundimit të ambienteve të brendshme dhe hajatit, po punohet në fasadën e jashtme. Pas një pune 2-vjeçare kanë ridalë në pah vlerat e vërteta të këtij monumenti”, shprehet Margariti.

Xhamia e Et’hem Beut, është një xhami e ndërtuar në Shqipëri nga Mulla Beu, nga Petrela, rreth fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Mbi derën e parë të xhamisë edhe sot e kësaj dite gjendet një rrasë, në të cilën vërtetohet që kjo xhami u ndërtua nga Mulla Beu, një tiranas i pasur, i cili me qëllim bamirësie hodhi themelet e para të kësaj xhamie më 1791./ATSH