Xhavit Beqiri: Jetoj e krijoj sipas mënyrës sime, sipas Credos sime! 

Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari Xhavit Beqiri.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

Shpesh kam bërë përpjekje t’i trokas kujtesës sime për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje. Dhe, përherë, si nëpër mjegull, ndërmend më sillen disa libra për fëmijë, me pak tekst, por me shumë ilustrime të bukura. Ndërsa, titulli që e kujtoj qartë mbetet romani për fëmijë Vitet e rinisë i autorit Arçibald Kronin (botuar nga “Rilindja”). Ishte tjetërfare nga të gjithë librat me “partizanë e gjermanë” që duhej t’i lexonim si fëmijë. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që më ka pëlqyer aq fort atëherë, sepse në leximet e mëvonshme më është dukur një libër i mirë, por i zakonshëm.

Kur ratë në “grackën” e saj?

Nga pikëshikimi i tanishëm, nuk mund ta përcaktoj saktësisht kur rashë brenda kësaj “gracke”. Nuk jam nga ata që “krijimtarinë letrare e nisën që në bankat e shkollës fillore”. Ndonëse kam lexuar shumë dhe rregullisht, tundimin e krijimit e kam njohur vetëm aty nga fundi i shkollës së mesme, kur po afrohej matura. Atë kohë, pata shkruar një roman për të rinj dhe një monodramë. Natyrisht, as që më ka shkuar ndonjëherë mendja t’i botoja, sado që asokohe më dukej se edhe mund të kishte ndonjë shkëndijëz estetike në to. Prandaj, besoj se e kam pasur durimin për mos me u ngutë, sepse nuk kam botuar asnjëherë asgjë, asnjë varg, derisa u botua libri i parë (Lutje për njeriun, 1994) kur unë tashmë isha në vitin e fundit të studimeve në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Prishtinë.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

Thjesht, nuk e di! As sot nuk e ndiej vetveten shkrimtar. Më shumë parapëlqej të më njohin vetëm si poet ose, të paktën, si një njeri që e dashuron poezinë dhe herë pas here shkruan dhe boton poezi. Besoj se nuk është aspak e vështirë që fryma e poezisë të vërehet në secilin shkrim timin, madje edhe në diskursin kritik. Është forma e saj e veçantë, është figuracioni, është ndjeshmëria…, është tërë ai det i pafund i mundësive të përdorimit dytësor të gjuhës që nuk më lejon të shkëputem asnjëherë prej saj.

Mund të jetë një bindje krejtësisht e gabueshme, mirëpo unë jetoj çdo ditë me ndjenjën dhe besimin se poezia është kulmi i artit letrar, ndaj ndihem shumë mirë përbrenda saj dhe nuk shoh shumë arsye “të shpërngulem” kah gjinitë e tjera të letërsisë. Bile, edhe kur e kam provuar, me librin Shtëpia në breg (2022), nuk ia kam dalë, sepse vetë e “kam klasifikuar” si libër me proza të shkurtra poetike.

A ia keni shtruar ende vetes atë pyetjen shumëdimensionale “Pse shkruaj”?

Jo që ia kam shtruar, por edhe jam përpjekur t’i jap një përgjigje për të qenë, e cila do t’ua shuante kureshtjen edhe atyre që më kanë pyetur, edhe mua që nuk rri dot pa shkruar. Sigurisht, nuk është aspak e vështirë ta paramendoni se nga ciladoqoftë përpjekje e tillë, më i pakënaquri çdoherë kam mbetur unë.

Kur tashmë e kisha përfunduar librin Shtëpia në breg, ndjeva njëfarë dëshire “të tregoja” pse shkruaj. Po e risjell këtu, sepse as sot nuk di të japë një përgjigje tjetër: “Nganjëherë, të shumtën e kohës, nuk e di pse shkruaj. Që të flas me dorën në zemër, nuk e di saktësisht pse shkruaj. Shpesh më bie te kapem me vetveten si për jetë a vdekje duke u përpjekur kot ta sqaroj këtë (vetë)dilemë.

Deri më sot – sado që sfilitja për ta gjetur këtë të vërtetë për mua ka qenë si litari i shpëtimit – asnjë përgjigjje bindëse nuk e sajdisa dot.

E di, dhe për këtë jam i bindur si për vdekjen që do të më marrë, se ky libërth imi, ashtu si edhe të tjerët para tij, nuk ka asnjë qëllim, asnjë mision. Është shkruar, sepse nuk mund të rrija pa e shkruar. Madje, derisa e shkruaja, herë pas here, jo gjithherë sigurisht, ndieja njëfarë kënaqësie të errët, nga e cila sot më vjen të skuqem”.

Çka ju bën të veçantë si shkrimtar?

Aq sa kam mundësi, mundohem t’i përmbahem parimit që krijuesi nuk bën të flas për veprën e vet. Aq më pak për vetveten apo për veçantinë e tij si shkrimtar. Këtë veçanti – nëse ka diçka të tillë – e zbulon lexuesi, e zbulon kritika letrare.

Mund të them se që nga botimi i librit të parë (Lutje për njeriun, poezi, Fjala, 1994), e deri te i fundit (Shtëpia në breg, proza poetike, Buzuku, 2022), krijimet e mia me gjasë e kanë gjetur lexuesin. Ndërkaq, gjatë kësaj ndërmjetëze gati tridekadëshe, për librat e mi kanë shkruar autorë të ndryshëm, të cilët po mundohem t’i përmend me njëfarë renditjeje kronologjike, duke pasur parasysh kohën e shkrimit: Abdullah Konushevci, Arif Demolli, Milazim Krasniqi, Rrahman Paçarizi, Gani Xhafolli, Vezir Ukaj, Ragip Sylaj, Zejnullah Rrahmani, Kujtim M. Shala, Muhamet Reçica, Flamur Maloku, Skender Zogaj, Ahmet Jashari, Valon Krasniqi, Abdullah Zeneli, Vehbi Miftari, Ndue Ukaj, Prend Buzhala, Nysret Krasniqi, Visar Berisha, Agron Gashi, Fatjonë Spahija…

Për mua secili lexim ka qenë i rëndësishëm; autorit i pëlqen që vepra e tij të shihet në sa më shumë pamje. Unë u jam mirënjohës të gjithë atyre që e kanë lexuar veprën time dhe në mënyrë të veçantë atyre që kanë shkruar për të!

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

Jam shumë i bindur se nuk kam thënë asgjë që nuk është thënë më parë në oqeanin e pafund të letërsisë. Sidoqoftë, kam njëfarë kënaqësie që nuk dua ta fsheh, kur shoh se letërsia ime komunikon me lexuesin, sidomos me atë që cilësohet si lexues model, lexues krijues etj. Botën time shpirtërore e intelektuale – për aq sa kam ditur –  jam munduar ta transformoj në tekst letrar, gjithmonë me synimin që kjo ta ketë vulën time vetjake qoftë si formë e përmbajtje, qoftë si gjuhë e stil.

Ndoshta, si autor i saj, mua më lejohet të flas vetëm për konceptin fillestar e të përhershëm të veprës sime, që është fillim e mbarim dashuria për njeriun e për njerëzoren, për vlerat supreme e sublime të filozofisë e të urtësisë biblike, për dashurinë totale dhe të pakusht për secilën krijesë të rruzullimit e për secilën ditë tonën mbi dhé, që ne e marrim si dhuratë hyjnore.

Çfarë u ka mbetur pa thënë?

Ndonjëherë mendoj se edhe kaq sa kam thënë është shumë, se lexuesi i kujdesshëm tashmë nuk e ka aspak vështirë ta dallojë shkrimin tim, por shumë herë të tjera më duket se ka ende mjaft hapësirë për ta plotësuar “mozaikun” e titujve të mi letrarë.

Megjithatë, më duhet ta spikas fort se kur e shkruaj një tekst letrar, nuk e vras aspak mendjen t’i them ndokujt diçka, çkadoqoftë. Kur shkruaj, në rend të parë, shkruaj, sepse thjesht kam dëshirë me shkrue dhe nuk kam kohë fare për stereotipet e perceptimeve ideologjike, sociologjike, misionare…

Në këtë kontekst, jetoj në harmoni e në paqe të plotë me vetveten e me botën, sepse as që kam dashur t’i them, as që dua t’i them askujt asgjë nëpërmjet vargut. Krijoj, meqë nuk mund të jetoj pa krijue, ashtu siç lexoj përherë, meqë nuk mund të jetoj pa lexue.  

I besoni muzës apo përvujtnisë së punës së pareshtur?

Besoj se secili autor ka një Besim (Credo) të vetin, personal. Unë nuk kam menduar kurrë as për muzën time, as për përvujtninë time. E di (ose të paktën jetoj me bindjen se e di) që shkrimi është dhunti, është pasion dhe flijim i përditshëm. Për mua, shkrimi është forma më e lartë dhe më ideale e të shprehurit të dashurisë për njeriun dhe për Hyjin. Kur kjo formë e shprehjes tumiret nga lexuesi i vërtetë, unë ndihem edhe më mirë, ndihem në fronin e dashurisë dhe nuk kam as vullnet, as kohë me pâ anash. 

Nderim edhe për ata që frymëzohen nga muzat, nderim edhe për ata që poezinë e shkruajnë me orar (me sahat), mirëpo unë nuk i përkas asnjërit grup! Jetoj e krijoj sipas mënyrës sime, sipas Credos sime

Sa jeni sistematik në të shkruar?

Në fillim ishte Fjala… /… Prej saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. Unë besoj se e para ishte Fjala dhe se prej saj u bë gjithçka. Prandaj, i besoj edhe sistemit, sado që kur shkruaj dhe derisa e përfundoj një vepër vetvetja më duket mjaft kaotik. Por, në fund të fundit, edhe rruzullimi si vepër e përkryer është krijuar nga kaosi, nga terri…, kështu që duket se ky është vetë misteri i krijimit. Mbase, bota, vepra është gjithmonë aty, por nevojitet drita për ta vënë në pah?! Jo të gjithë e shohin, pa dyshim! Shumë më pak e jetojnë…

 
Sikur të fillonit nga e para, do të bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

Sikur të filloja sërish nga e para, do të isha prapë e përgjithmonë i tillë siç jam e siç më njohin. Ndoshta, njerëzit si unë e kanë të shkruar të mos i përshtaten asnjërës kohë, përveç kohës personale.

Nëse do të ndryshoja çkadoqoftë, do të shndërrohesha në diçka tjetër. Nuk e paramendoj vetveten ndryshe.

Sidoqoftë, po të ishte në dorën time, do ta riktheja kohën pas për të qëndruar edhe më shumë, edhe më gjatë, me tërë dashnínë e me përuljen që e meritojnë, pranë familjes sime, pranë njerëzve që i dua e më duan, të cilët, në fakt, janë muza e jetës dhe e emrit tim. 

ObserverKult


Lexo edhe:

JUSUF BUXHOVI: ME SHKRUE DO TË THOTË ME IU DHANË IMAGJINATËS, ME E NDRYSHUE REALITETIN…