Xhelaludin Rumi: Duke kërkuar fytyrën tënde

rumi poezi per observerkult


Qyshse jam gjallë, fytyrën tënde kërkoja pa pushim,
sot të gjeta, pashë magjinë dhe njoha bukurinë,
atë hir që kam kërkuar dhe sot fare pa mend më le.

Sot të gjeta, por ata që talleshin me mua gjer dje
tërbohen nga inati, pse dhe ata si unë s’kërkuan,
tërbohem dhe vetë sepse s’ngopem duke të shikuar.

Zemër e përvëluar e mori shpërblimin më në fund,
më vjen turp ta quaj bukuri njerëzore, nuk mund,
ta quaj hyjnore, frikë kam nga Zoti. Fryma jote
se ç’më përtëriu, si fllad’i mëngjezit ndër kopshte.

Shpirti m’u dalldis, diell do të jem, për ty edhe hije,
fërgëlloj për ty i tëri, se ti në zemrën time
aq zjarr të madh ke ndezur, sa ndrit dhè e qiell.

Shigjeta ime e dashurisë goditi në shenjë,
shtëpinë kam si vakëf, zemrën ku lutem të shenjtë.

Shqipëroi: Maksim Rakipaj