Xhemazije Rizvani: Po jetoj gjëra që ia vlen të shkruhen…

xhemazije rizvani

Xhemazije Rizvani është e njohur për lexuesit e ObserverKult-it për intervistat e saja provokuese, “Flasim përhanshëm” me personalitete të njohura të kulturës.

Por, kësaj radhe kemi zgjedhur që të bëjmë pak “hile”. E kemi provokuar ne vet Xhemazijen me një intervistë të tillë të ‘përhanshme”.

xhemazije rizvani

Përhanshëm me Xhemazije Rizvanin

Nga: Valon Krasniqi

A e provojmë një intervistë t’përhanshme’?

Provojmë. Intervistat e përhanshme janë një lajthitje e mirë shkrimi që kërkojnë frymëzim. Ka shumë poetë që kanë kërkuar aq shumë kohë, sa shtypja e librit nën presion kohor s’ka mundur t’i pres, por gjithsesi, do të botohen në rubrikën Përhanshëm, të ObserverKultit.

Tani e kuptoj këtë kërkim kohe mëse të nevojshme për pyetje që nuk janë dhe aq të lehta sa duken për lexuesit, ose përpiluesin e saj tek sa pret nervoz matanë laptopit.

Mirëpo kësaj radhe ti do t’jesh e intervistuara?

Ç’është e vërteta , krejt pyetjet e përpiluara për poetët e përhanur, së pari më janë vërsulur mua si shigjeta, kanë kërkuar t’u jap përgjigje, më dukej sikur më sfidonin: “po ti, si do ishe përgjigjur” dhe pastaj, kur kam parë si janë përgjigjur poetët përkatës, kam thënë “këta janë intervista të prera për poetë, ti nuk je gjeni i kësaj anijeje”.

Vë bast, se edhe ti Valon, gjatë kohës që përpilove këto pyetje kërkuan dhe përgjigje. Është interesante gatishmëria e trurit për përgjigje ndaj pyetjeve. Thua se është aq i aftë për të gjetur përgjigje, ndërkohë akoma ato më jetikeve nuk u ka dhënë përgjigje: “Kush jemi? Nga vijmë? Ku shkojmë?”

Në çfarë ‘hane’ je tash?

Në hanë të mirë kryesisht. Pranvera është dhe gjendje njerëzore, zgjohemi bashkë me të. Nuk mundem ta duroj natyrën pa ngjyrat e saj, pa gjallërinë e njerëzve përjashta, pa fëmijët që luajnë në parqe.

Unë jam e lumtur dhe krejt e hareshme përbrenda kur rrethohem me njerëz që bëjnë sikur janë të lumtur. Sepse, ata njerëz e dinë se lumturia është ngjitëse dhe andaj e luajnë lumturinë.

Më pëlqen nga një turrivarë të bëj një grua të lumtur kur them “dukesh bukur sot”, sepse e kam provuar vetë kur nuk kam mundur të arrij të ulem në një karrike të lartë të studios ku mbaj emisione dhe kam thënë “sa keq që jam e vogël”, njëri nga djemtë më ka thënë “nuk je ti e vogël, por karriget janë të larta”. Këta njerëz të ndihmojnë të shohësh nga ai këndi i bukur i botës prej ku mbushemi me vetëbesim për t’u dhënë lumturi tjerëve.

Çka ta luhatë disponimin?

Nëse jo cikli menstrual, ose ndonjë disbalans hormonal, atëherë dikush rreth orbitës time ose dhe jashta saj. Mundësitë e shqetësimeve i kemi të shumta, fronte për to kemi nga të gjitha anët, telefona, tv, rrjete sociale. Ngado ku shkelim, e ku shkojmë ekzistojnë pa fund mundësi që të na humbas në çast baraspesha emocionale.

Ku e gjenë atë pikën mbështetëse kur gjithçka shkon “zi e terr”?

Gratë në përgjithësi mendoj se kanë një aftësi sfinksi. Më pëlqen një thënie e Juliet Binoshit në filmin “Damage” ku thotë:  “Njerëzit e dëmtuar janë të rrezikshëm. Ata e dinë se mund të mbijetojnë”.  Ata e dinë përherë ku “ndizet drita” kur është “zi e terr”. Është një sekret i grave që nuk e thonë, i barabartë me sekretin për të duruar dhimbjet përmes të cilave sjellin një jetë të re, pa asnjë bëzamë, sikur gjë s’ka ndodhur.

Është instinkti i mbijetesës më i zhvilluar se ai i kujës. Këtë e adhuroj te gratë.

Por kur je në re, me kë dëshiron ta ndash atë disponim?

Me njeriun që më dërgon atje dhe që është njeriu me të cilin fle e zgjohem e tëra pranë tij çdo ditë, trup e mendje bashkë. Ka shumë njerëz që flenë e zgjohen të huaj në shtretër, quhen burrë e grua, ndërsa janë dy të panjohur që akoma nuk e kanë kuptuar se jeta është më e bukur nëse je i palumtur vet, sesa i palumtur me dikë.

Çka të bën të fortë?

Guximi. Guximi për të mos parë problemin, por mësimin. Problemet nuk ekzistojnë për mua, por vetëm situatat që kërkojnë zgjidhje.  

Guximi im i marrë që shumë herë në jetë më ka trembur. Për këtë shtat, gjithë ai guxim nuk shkon  ha ha ha …

Po thembra jote e “Akiles”?

Dikush kur mendon se ma hedh dhe njerëzit e pasjellshëm kur unë jam jashtëzakonisht e sjellshme. Tërbohem! Cilido që provon njërën nga këto është si të hap dyert e ferrit. Jam akrep në horoskop. Hakmarrëse dhe që nuk harron të keqen që i bëhet. Parapëlqen të kthehet në pasqyrë për tjetrin here pas here. Sillet, siç sillen me të.

Pa çka s’do të mund të jetohet?

Pa njerëzoren brenda secilit, pa libra, filma dhe muzikë. Mendojeni sa njerëz që nuk e duan jetën ka, krejt këto gjejnë një jetë alternative në libra, ose dhe në filma. Mendojeni Saharanë e dhomës së tyre pa muzikë.

Poezia për ty do të thotë?

Gjysma ime është krejt poezi. Njerëzve u asocoj në poezi. Më thonë poete, po unë nuk shkruaj poezi, nga që e dua shumë më thonë. Poezia e ka zbutur njeriun, si vajzat që e zbusin babain.

E proza?

Edhe në prozë e kërkoj poezinë.

Përveç Kushtrimin, çka të kujton teatri?

Dashurinë e Kushtrimit për teatrin. Nuk kam parë njeri që e do më fort dhe që punon më shumë për teatrin. Është tejskajshëm profesionist, i duruar, i matur në profesion. Asnjëherë nuk bie pre e komercializmit siç bëjnë njerëzit thuajse në të gjitha artet. Çuditem sa e do. Ashtu siç e mbush skenën me jetë, ashtu mbushet dhe vet me skenën.

Cila është poetika jote e jetës?

Bojkeni kur më thotë “Të dua”. Më duket si një fjali jo e tokës, me atë zë të ëmbël, engjëllor. Më ka lidhur më fort për jetë, më ka bërë më frikacake. E shoh si rritet dhe druaj për të, a do ketë shumë dallgë deti. Është djali im i mirë, i vockël?!

Si stinë të pestë do ta konsideroje…?

Moshën. Është një stinë që ndërron vazhdimisht dhe secili peizazh të ngjall nostalgji kur nuk e ke më. Kur të shqet duarsh.

Prishtina-Shkupi-Tirana, janë më shumë se… ?

Më shumë se tre, janë një “NJË” e madhe plot dashni.

Vjollca Berisha apo Besarta Murtezani?

Ky është një kurth i ngritur në bashkëpunim me Vjollcën mbase ha ha ha… ?!

Kam fat në punën e miqësisë dhe në lutjet e mia për tim bir është urata ta trashëgoj këtë fat. Miqtë më të mirë janë ata që të japin kurajë kur të vjen të gabosh, sepse ata miq të lënë të mësosh, por me kushtin të jenë përherë aty, të ta mbajnë dorën që të mos biesh, pa të thënë “ma jep dorën”. Kështu ka qenë dhe janë Vjollca, Besarta që keni përmendur, po keni harruar Lindita Ahmetin, Albulenë Halilin, Lindita Kadriun dhe shumë tjera.

Thjesht, një mrekulli është miqësia, nga më të mëdhatë mbi tokë pas krijimit. Kam përfituar shumë nga këshilla “zgjidhi miqtë më të mire se vetja”, mësoj gjithnjë prej tyre.

Do t’i botosh poezitë, apo duhet të t’i vjedhim dhe të t’i botojmë?

Nuk kam drojë nga botimi, kam drojë se s’kam çka.

Çka tjetër na ke mbajtur të fshehtë?

Që nuk di ta lëshoj lavatriçen. Si kompenzim, di të bëj pite.

Pyetjet apo përgjigjet e ‘përhanshme’ po shijokan më shumë?

Gjithçka që të mundon më shumë, të shijon më shumë. Pra, përgjigjet.

Dhe për fund i duam ca vargje nga ti!

Mendoj se do të shkoj te proza, për ta lënë kështu magjike këtë dashuri që kam për poezinë.

Do shkruaj kur të kem kohë, tani po jetoj gjëra që ia vlen të shkruhen.

ObserverKult


Lexo edhe:

XHABIR TABAKU: SHKODRA ÂSHT POEZI. LOÇKË ÂSHT…