Xhevahir Spahiu: Dallëndyshja e fëmijërisë


Matanë dritares dallëndyshet
lodrojnë, cijasin pa pushim.
Unë i shikoj dhe sjell ndër mend
një fshat të largët, një kujtim…

Në degë të arrës, buzë një lëmi,
një dallëndyshe befas pashë:
nuk di përse…mora një gur
dhe dallëndyshes unë i rashë.

U drodh, u tremb, u shemb përdhe
si yll i fikur zogu i shkretë,
në duart e mia pëpëlitej
me krah të thyer e pa jetë.

-Tani, – tha gjyshe Fatimeja,-
prit kur të thahet krahu yt…
Një pikë loti lagu pendët,
një tjetër m’u bë lëmsh në fyt.

Ia lidhi krahun flokëbardha,
u shua dhimbja pak nga pak;
dritarja…qielli…cicërimat
dhe dallëndyshja iku larg…

Atje ku hapej kaltërsia
e pritnin shoqet zemër ngrirë
ju bisht gërshëra balerina
hidhni valle në hapësirë

Sa here i shoh tek fluturojnë
dhe krahu i njërës, tjetrën ndjek
më vjen ndërmend një fjalë e gjyshes
lirinë e tjetrit mos e prek.