Nga Xhevahir Spahiu
Parathënie e librit poetik: “Ç’ma trazoi jetën një grua”
1.
Poezia e Gaqo Apostolit i ngjan një ditari lirik, shfletuar nga gishtërinjtë e një ere të padukshme që s’dihet se nga fryn: gjendjet shpirtërore, në rrjedhën e viteve, rreken të kthehen në gjetje artistike që kapërcejnë çastin e, më tej, vetveten.
Janë rrathë të një fati njerëzor që priten me rrathë fatesh të tjerë. Pikërisht këtu nis bashkëbisedimi i ndjerë, i hapur, begator.
Dëshira ngulmonjëse për t’u rrëfyer është çlirim nga zjarrmia, nga ankthet, nga synimi për t’u dëshmuar. Ky dëshmim i vetvetes jashtë vetvetes, si me thënë, gjetiu e n’asgjëkund, në një botë të të gjithëve e të askujt, krijon një hapësirë lirie më tepër,pasuron lirinë fillestare. Në dukje, thjesht një përmasë iluzore, gjakim shpirtëror, i ngjashëm me vëllezërit siamezë, me dëshirën instiktive për t’u riprodhuar, për të lënë pas trashëgimtarë.
Edhe kënga, si fëmijët, përcjell kumbimin e gjakut tënd:
Damarët mavi kur t’i pres,
ikjen e saj nëpër muzg do të ndjej
në currilat e gjakut që rrjedh…
Poeti nuk hesht; ai e di mirë se heshtja është e njëjtë në të gjitha gjuhët e botës; ai zgjedh fjalën, e pangjarë me heshtjen rrafshonjese, simotër e Gjumit. Çdo ditë, shkruan Apostoli, dhëmbët e ujqërisë, pamëshirë shqyejnë ndershmërinë.
Gjumi është vuv; këtë të vërtetë pelini mund ta thotë vetëm Fjala.
Në këtë mes, çiltërsia e ndjenjës dhe mendimit, është parakusht për të transfiguruar vetveten, shkurt: vete e pastisur, art. Ndërsa ve në spikame këtë cilësi, këtë mundësi parake për art, më vjen ndër mend një shkrim i botuar në kapërcyell të viteve ‘70- ’80, ku një profesor me emër, pak a shumë, shkruante: letërsia revizioniste le në hije partishmërinë dhe luftën e klasave si motor lëvizës dhe nxjerr si kryevlerë sinqeritetin(!)
Tmerr!- ulërinë rropullitë brenda meje. Tmerr. Ç’pate? – tha shoku aty pranë.
Si ç’pata? Po, a mund të ketë art pa çiltërsi, pa sinqeritet, pa rrëfim me zemër në dorë të gazavajeve? Ne kemi rrjedhur. Ne flasim përçart, miku im.
As më shumë, as më pak: ky farë arti ishte një pjellë dështake, një lojë në sipërfaqe, pa rrënjë, pa thellësi të vërtetash dramatike, ku dallga nis e projekton cunamin. Fillesa vetjake është dorëzanës i fillesës artistike universale.
2.
Poeti jeton. Mbi krye ka një qiell plot kujtime.
Bota poetike e Apostolit përshkohet nga një spektër i gjerë jetësor në hapësirën e motiveve poetike, – me ngjyra të ndezura e të trishta, me vetveten, bëma e mëkate, me marrëdhënie, – nënë, at e atdhe, – me çuditë e një bote në lëvizje, pranim-mospranim të saj, – kryefjalë është Dashuria. Poeti, lehtësisht i dashuruar, pikërisht aty e ndjen veten të barabartë me perënditë, rilind dhe shumëfishohet, – urrejtja struket, qenia motivohet: aty i verbër, aty me dy bebëza në çdo sy, lartësohet –greminohet, greminohet- lartësohet. Në titull të librit ai flet për Trazim. Sepse: zemra qarkullon gjak dhe dashuri, edhe në ëndrra i kumbojnë takat e këpucëve; trupi i femrës lëkundet nën vështrime, një makinë ngjyrëkaltër laget e vetmuar në shi… Ngul sytë tek më e bukura mes të
bukurave, pa harruar… tregun e dashurisë!
M’i ngatërroi padashur mendimet
një vështirim i çuditshëm, i shpejtë.
Nëpër gjysmëndërr e zura fluturim,
si dikur fluturat me rrjetë.
Fjala, kumbimi i saj, është zgjatim i rrahjeve të zemrës, ritëm gjaku e mendimi që japin e marrin heshtas e shkrihen në një. Pas palosjes së fletës së fundit të
një libri, ajo që mbetet e të shoqëron për një kohë të gjatë është FRYMA në çastin e përjetimit, – ajo që besueshmërisht quhet Frymëzim. Humanizmi është Fryma bashkëkohore që përcjell poezia e Gaqo Apostolit. Si me qenë apostull i ri, përhap e bekon njeridashje, dritë, mirësi; në emër të tyre, kur duhet, zemërim. Sfidon me dashuri. Urrejtjen e kursen, si municionin në luftë.
Ndoshta që e sotmja të të çojë në mitologji dhe mitologjia në ditët e sotme Heredokur, zënien e diellit e të hënës, njerëzit e maleve tona (pandehnin se) e dëbonin duke shkrehur pushkë. Poetët, për të përzënë eklipsin, shkrehin fjalë.
3.
Apostoli këndon lirshëm, pa ngërçe; ndjesitë derdhen siç vijnë, pa iu nënshtruar me domosdo një harmonie të përkryer a një rrëfimi të përkorë; nga poezitë strofike në ato me vargje të lira kalimi bëhet thuajse pa u vënë re, shpehja metaforike jep ngarkesën ideoemocionale, zjarriminë dhe tehun e duhur të gjendjes poetike: toka falënderon qiellin e madh… kur pesha e fjalës gjen ritmin dhe gjetja origjinale befason me freskinë e saj, dalin poezi të goditura, të cilat përbëjnë bërthamën e librit dhe vizatojnë portretin artistik. Ato mbartin aromën e një moshe dhe rininë e një ndjeshmërie pasionante, shqetësimin njerëzor nëpër kohë.
Prej “Ç’ma trazoi jetën një grua”, le të përmendim: Përshpërima e dashurisë, Sa herë kalon një grua, Kënga e kovaçit, Largohu vogëlushe, Shqipëria, Dëbora në Tiranë, Lukunitë, Kur vera dhe vjeshta, Pleqtë nën qiellin e dashurisë, Martesa e argjentë, Stjuardesat e Singapore Airlines.
Poeti është nxënës dhe mësues në të njëjtën kohë. Nxë, mëson nga të tjerët, po më bindshëm mëson nga vetja.
4.
Prej vitesh, me vjen së largu një mendim i shkruar diku në nje copë letre thënë nga s’di se kush, ndoshta A.Panagulis: Politika është detyrë, Poezia nevojë.
Politika dhe Poezia! Të dyja fillojnë me “po”. Por… në përfytyrimin tim herë-herë shfaqen si një qenie me dy kokë, që përfyten e duan t’i hanë kokën njëra-tjetrës. Apostoli ka vite që vozit në dy dete. Midis të dyve, me sa duket, vetvetiu zgjedh të dytin. Poezinë. Pikërisht atë e ka bir për shpirt. Vetiu e ndjen se e dyta, poezia, njerëzon të parën, politikën. E shpëton nga damkosja. Është pikërisht ajo që ngre gishtin dhe akuzon:
Nën shkrepje blicesh,
Premtime afaristësh,
Ministria sezonalë
Shesin Shqipërinë.
Poeti ish aty. Pa dhe dëgjoi. Të heshtte do të thosh të ishte pjesëmarrës në krim. Po ai ndjehet qytetar i një bote të lirë, për të vetflijon Fjalën e Lirë.
Ja dhe “Shqipëria” e tij:
Armiqtë e shqyen në hapësirat pa anë,
Në brigje të dy deteve, të përgjysmuar e lanë.
Ashtu të plagosur, të djegur nga etja,
Gjysmën që mbetej e hante vetvetja.
Askujt s’i ka dhembur ky Dhé sa poetëve. Askush sa ata s’i ka ndjerë aq thellë tragjeditë dhe gazavajet e tij.
Tiranë, Mars 2009
ObserverKult
Lexo edhe: