Flasim përhanshëm me poetin Xhevdet Bajraj
Nga: Xhemazije Rizvani
Xhevdet Bajraj është poeti dhe profesori shqiptar nga Rahoveci, i lindur më 1960, i cili vitet e fundit jetoi dhe punoi në Universitetin e Meksikës, ku ligjëroi lëndët e poezisë. Në vitin 1998 Parlamenti Ndërkombëtar i Shkrimtarëve i bën ftesë për të shkuar në Meksikë. Në këtë kohë ai merr bursë dyvjeçare, por edhe mundësinë që të rrijë më gjatë nëse do të dojë. Iku nga lufta, por u bënë më shumë se 20 vjet që nuk gjeti paqe…
Ç’ndjesi ju ngjall fjala refugjat?
Do të doja t’i lexoja përgjigjet e politikanëve kosovarë, apo të kryeministrit të Shqipërisë, në këtë pyetje, se ata e kanë përvojën e të qenit refugjat tipik. Për mua, fjala refugjat do të thotë, kur të aborton toka nënë, apo kur këtë e bën liria e abuzuar. Apo kur të sjell në jetë të gjallë, por të nxjerr nga shtëpia e lindjes, sepse pronarë të saj e kanë shpallur veten ca jonjerëz të fortë, heronj të gjallë të krimit, ca përbindësha me nga shtatë kokë, e secila kokë i ka të paktën tri fytyra, pra tri gojë. Kështu del se një përbindësh i ka njëzet e një gojë e mëmëdheu vetëm një palë gjinj. Ia thithin qumështin nga gjinjtë, ia thithin gjakun, e hanë me gjithë eshtra. Së bashku me përbindëshat, mbijetojnë edhe pleshtat e morrat e ngjitur në trupin e tyre, nën bishta mbijetojnë ca miza kuajsh, ndërsa brenda organizmave të tyre jetojnë parazitë të ndryshëm. Gjithë të tjerët vuajnë. Të përzënëve u dhimbset ajo shtëpi dhe para se t’i shërojnë plagët e veta, shumica e tyre, nga jashtë, ia lëpijnë, ia mjekojnë varrat e hapura nga të cilat kullon, derdhet, shkon huq, e ardhmja e atij vendi. Vendi i ri, liria, dinjiteti, janë të tmerrshme për gjeneratën e parë nëse nuk arrijnë të integrohen në shoqërine e re, apo nëse nuk kanë patur fat në fatkeqësi, e të emigrojnë në Amerikë.
E zgjata me mbretërinë e heronjve të gjallë të krimit në një vend në të cilin populli nuk ishte i përgatitur për liri. Po i bie shkurt, për të arritur në parajsë, njeriu së pari duhet të vdesë. Ta zëmë që unë kam arritur i gjallë në parajsë, e po ja që më vret një zbrazëti e madhe që e kam brenda vetes dhe që e ka formën e hartës së trevave shqiptare. Kjo ma ka zgjuar dëshirën të rebelohem dhe që nga Meksika ta bëj me shenjë territorin tim të lirë në ato treva, qoftë ai edhe vetëm hapësirë letrare. Tekefundit, ideja është që ta mbështes kokën në atë dhé kur të më marrë gjumi i përjetshëm.
Çfarë ka meksikane në ju?
Pas pak më shumë se njëzet viteve të jetës këtu, më merr mendja se i kam përvetësuar ca gjëra që janë tikpike meksikane, si ta zëmë raporti me vdekjen apo ai me ditën e nesërme. E para nuk më frikëson më, ndërsa e dyta, dita e nesërme, kurrë nuk vjen. Gjithmonë e jetojmë të sotmen. Po ashtu e adhuroj ushqimin dhe pijet meksikane.
Cilët poetë bashkëkohës i ka më të veçantë Meksika?
José Emilio Pacheco, Francisco Hernández, Juan Bañuelos etj. etj., e dhjetëra të tjerë. Këta të tre që i përmenda, prej të cilëve, para pak kohe, dy tashmë kanë vdekur, kanë qenë zëra autentikë të mbështetur në traditën e pasur të poezisë meksikane të shekullit XIX dhe sidomos te asaj pas revolucionit meksikan dhe grupit Los Contemporáneos (Bashkëkohësit), që është një nga grupet më të rëndësishme poezisë latinomerikane, e që përveç në traditën meksikane, janë mbështetur edhe në poezinë universale (José Gorostiza, Xavier Villaurrutia, Jorge Cuesta, Salvador Novo, Bernardo Ortiz de Montellano, Gilberto Owen, Carlos Pellicer). Përndryshe edhe pse miq të mirë mes veti, grupi është i njohur si grupi pa grup, shkaku i propozimeve të ndryshme estetike të secilit veç e veç, e që në të vërtetë më pastaj e mundëson degëzimin e shëndoshë të poezisë meksikane. Sot ka grupe interesante apo individë me tendenca të ndryshme estetike të cilët në mënyrë dinjitoze e përfaqësojnë një botë autentike.
Si ligjërohet poezia?
“Tradita është një fanar. I marri mbetet i kapur për të, derisa të mençurit ia shndrit udhën”, thoshte George Bernard Shaw. Poezia ligjërohet ashtu si shkruhet, natyrshëm, si lulja kur bëhet gati të çelë apo kur liron aromë, zogu kur këndon, molla kur shkon drejt pjekjes. U përgjigja në pyetjen se si ligjërohet ajo pjesë që e nxit studentin që të zbulojë se ç’është ajo që i takon të shkruajë dhe cila është gjuha e tij, pra, të krijojë, e jo ajo pjesa zejtare ku poeti vetëm e dëshmon që është pjesë e industrisë artizanale dhe që sjell në jetë vepra të vdekura. Ligjërohet ashtu që studenti mëson si të arrijë në cak, duke ia përshtatur velat anijes në një kohë me shtërngatë apo në një ditë të qetë. Apo nëse janë peshq, si të notojnë kundër rrjedhës së lumit, si të ngjiten nëpër ujëvarë, se rrjedhës së lumit të jetës notojnë vetëm peshqit e ngordhur.
Si e keni mësuar ju poezinë?
Ashtu si mëson fëmija të ecë, apo plaku ta përdorë bastunin, sepse pa të nuk mund të lëvizë. Ashtu më pati ndodhur në moshë të re, u kapa për të, në të vërtetë u futa brenda saj, u strehova në një flluskë ajri, poezie (plot oksigjen) dhe bota më s’kishte mundësi të më lëndonte, përveçse që vazhdon të më lëndojë ajo çka shoh dhe si pasojë e saj, ajo çka ndiej. Nganjëherë kjo nuk mund të thuhet me “fjalë”. Aty ku “mbarojnë fjalët”, aty fillon, vjen, lind poezia, sepse vetëm ajo mund të shpreh tmerrin apo nëse ju pëlqen më shumë, ta shpreh bukurinë fatale të të qenit gjallë. Se fjalët që i përdorim në jetën e përditshme janë të vdekura qëmoti, u ngjajnë arrave boshe, frutave të kalbura, apo varreve që i ruajnë brenda vetes kufomat e harruara, ato që nuk i mbajnë në mend as njerëzit e tyre. Poetë të mirë janë ata të cilët me instrumente, mjete letrare e kanë hapur rrugën e tyre në poezi, rrugë që të shpie në zemrën e tjetrit. Me rëndësi është të arrihet deri te zemra e tjetrit, nuk ka rëndësi kush arrin më shpejt a më ngadalë, se kjo nuk është garë e kuajve, apo e qenve, aq më pak e derrave. Poetët bosh, krimbat, janë rojtarë të këtyre frutave të kalbura, janë rojtarë të harresës, ushqehen mes veti, e mbajnë gjallë njëri-tjetrin, majmen. Këta jo vetëm që nuk janë poetë, por edhe nëse lexojnë ndonjëherë poezi, janë lexues të këqinj, të gërditshëm. Kjo është e neveritshme, më se e neveritshme. Nga ata kam mësuar se si nuk duhet shkruar në asnjë rrethanë, se zhurma e maskuar si poezi nuk është poezi. Nga poetët e mirë kam mësuar se poezia është përgjigjja më e çiltër në pyetjet thelbësore rreth jetës, rreth asaj vizës që qëndron mes datës së lindjes dhe të vdekjes mbi varrin e çdo qenieje njerëzore. Yjet të cilët moti kanë vdekur e që ne i shohim, po ashtu na shohin ne. Mbase mua dhe kohën në të cilën kam jetuar lexuesi i nesërm mund ta gjejë në poezinë time, e unë që tani, edhe pse ndodhem në majë të mallit, ngritem në majë të gishtërinjve, përpiqem t’i shoh ata që do të vijnë nesër dhe me zë të lartë u kërkoj falje për të gjitha ato probleme që do t’u lëmë në trashëgim.
A do të mbijetojë edhe gjatë kohë poezia?
Natyrisht, ajo e shoqëron njeriun që nga fëmijëria e njerëzimit dhe do ta përcjellë deri në ditën e tij të fundit. Po flas për poezinë, gjegjësisht për njeriun dhe nevojën e tij për të qeshur, për të qarë, për të marrë frymë thellë, për të psherëtirë, nuk po flas për ata që “shkruajnë” e nuk lexojnë, apo për ata që “shkruajnë” dhe “lexojnë”. Pra, po flas për ata që kanë nevojë t’i drejtohen Zotit dhe që Zoti i dëgjon drejtpërsërdrejti apo nëpërmes zemrës së ndonjë krijese të tij. Qoftë ai Zoti ashtu si e njohin religjionet, qoftë ndryshe, shumë më ndryshe, si ai i Spinozës apo i Kazanzaqit. Dashuria është ajo që i bashkon njerëzit, si uji ishujt apo ajri lisat, poezia e përshkruan këtë.
Cila është frika juaj më e madhe?
Që s’do të kthehem t’i kaloj vitet e fundit të jetës sime në Kosovë, apo të paktën në Shqipëri.
Cilët shkrimtarë kanë lënë vrragë në ju?
Bodleri, Miguel Hernández. Jo që janë poetët e mi të preferuar, por Bodleri më ka futur në poezi pa më pyetur, ndërsa Miguel Hernández më ka mësuar si të shkruaj dhe Ualt Uitman, natyrisht, ai ma përkujton sa e madhe mund të jetë zemra e njeriut, sa shumë mund të ndiejë, sa larg mund të shohë. Përndryshe, lista e atyre që kanë lënë vrragë në mua është e gjatë edhe pa i numëruar poetët e mi të preferuar.
A të bën letërsia njeri më të mirë?
Natyrisht, pa poezi nuk do të mund ta përballoja turpin e të qenit njeri, turpin e të qenit shqiptar, ballkanas, europian. Apo djalë, vëlla, bashkëshort, prind, gjysh. Poezia atë detyrë e ka, ta bëjë njeri më të mirë vetë autorin, dhe autori këtë përvojë ia përcjell lexuesit. Që të dy bëhen më fisnikë. Kuptimi që bartin fjalët, mesazhi, na humanizon dhe jo “loja” e fjalëve të injorantëve, jo zhurma e maskuar si poezi.
Ku është copa jote e qiellit?
Oh, copa ime e qiellit gjindet mbi Rahovec, pastaj nga aty shtrihet mbi gjitha trevat shqiptare. Për momentin është e mbushur përplot me sorra të majme që krrokasin zhurmshëm, shurdhërueshëm. Ajo krrokamë dëgjohet edhe në Meksikë e arrin edhe në kryeqytetin e Kilit ku jeton nipi im, ama veç mua nuk më lejon të fle, ma dridh shpirtin, m’i bren eshtrat, ma rrëqeth mishin e trupit, më vret, ashtu siç i vrau apo i vret njerëzit e mi në Kosovë, që i ngjan aq shumë një anijeje të mbytur, udhëtarët e së cilës e kapin njëri-tjetrin për dore a këmbe dhe duke u përpjekur të shpëtojnë vetë, mbyten së bashku. Nejse, ende janë gjallë udhëtarët e anijes, bile shumica e tyre, dhe janë duke luftuar për mbijetesë, një fije të Kashtës së Kumtrit e shohin, është larg, por shihet si zakonisht, kur bie nata.
Kosova ç’ju ngjall përbrenda?
Mall dhe dhimbje. Popullin sikur e ka befasuar liria, sikur nuk ka qenë i përgatitur për të, kështu që ua la atë në duar ca banditëve fshati apo të paralagjeve të fshatrave ca më të mëdha, që janë të rrethuar me sahanlëpirës, çizmelëpirës, bythëlëpirës dhe lëpirës të të gjitha llojeve, e që Kosovën e shikojnë si pronë të tyre dhe lirinë po ashtu. Këtë të fundit e mbajnë të lidhur si lopë në ahurin e tyre dhe e mjelin sa herë të duan, si të duan dhe të vegjëlit e saj i hanë. Gjatë viteve, një a dy i lënë për ta zëvendësuar lopën, kur ta hanë këtë të fundit, ndërsa eshtrat ia hedhin popullit, në rrugë me emra gjeneralësh, aktorësh, poltikanësh të shpifur, kuptohet, me pak gjak në ta, sa për të na kërcënuar me vitin 1997 në Shqipëri. Sa për të na përkujtuar, se kurrë, asnjë luftë mes shqiptarëve, nuk ka përfunduar. Dhe që të gjithë e shpallin veten fitues, e në vërtetë, të gjitha palët gjatë historisë tonë janë humbëse. Kështu që i teket një çuni nga Londra apo Viena dhe vjen e ta shkruan historinë e shkurtër të popullit, të shtetit, ndërsa alamet institute e akademi të shteteve shqiptare flenë, në të vërtet bëjnë sikur flenë, e këta që bëjnë sikur flenë është më së vështiri t’i zgjosh nga “gjumi”. Ata ushqehen, majmen nga frika jonë, na nxjerrin nga atdheu, nga shtëpitë, nga lëkura jonë, na bëjnë refugjatë, gjeneralët e rrejshëm që do të jetojnë në librat e historisë që do t’i shkruajnë me gjakun tonë pak para se ai të thahet. E kjo do të thotë shumë dhimbje. Sidoqoftë, dhimbja nuk verbëron si dashuria apo urrejtja, veç e lodh njeriun pak.
Cila poezi do të ishte himn botëror?
“Nëse” e Rudyard Kipling, “Itaka”, K. Kavafis, apo “Këngë për fundin e botës” e Ç. Milloshit. Ka shumë poezi që e meritojnë të quhen kështu, shumë, por varet se sa vjeç është ai që e lexon dhe çfarë disponimi ka. Mbase varet edhe në cilën ditë të javës, apo në cilën pjesë të ditës e lexon. “Një kokërr poezi, mjafton për të parfumuar një shekull“, thoshte José Martí, poet dhe politikan kuban.
Ç’vend ka Rahoveci në jetën tuaj?
Një herë një mik më pati thënë: sa i privilegjuar që je, të rritesh në Rahovec e të plakesh në Meksikë. Sa keq që as kosovarët nuk e njohin Rahovecin, apo e njohin veç një pjesë të qytetit. Edhe më keq është që nuk i njohin rahovecasit. Rahoveci? Për Meksikën as të mos flasim. Rahoveci është pjesë e imja, si zemra, zorrët, veshkat, mëlçia, sytë. Rahoveci është përmendore e gjallë e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, luftës tyre, lirisë. Është pjesë e organizmit tim pa të cilën nuk do të mund të jetoja. Është pjesë vitale e organizmit tim, e cila për fat të keq, më dhemb, më dhemb shumë. Zemra ime e ndjek ritmin e të rrahurave të zemrës së Rahovecit. E bukura është që Rahoveci më ka mësuar ta shoh botën me shpirtin e tij, të jetoj me ritmin e zemrës së tij, ritëm që të shpie kah njerëzorja, kah universalja. Dua t’ia bëj një përmendore prej fjalëve Rahovecit, unë jam formuar aty, ai qytet më ka mësuar, ma ka dhënë guximin, ta shoh botën në sy, të ëndërroj syhapur dhe të nisem drejt atyre ëndrrave.
Kur do të kthehesh sërish në Kosovë?
Uroj të kthehem disa vjet para se të vdes. Ndoshta edhe nuk mund të vdes pa u kthyer atje, e pa e shkruar edhe një libër atje, të denjë ta marrë me vete në varr. Edhe pse Kavafis, disa minuta para se të vdiste, u pati thënë mjekëve të tij: E dini, poetët nuk vdesin kurrë, ose pothuajse kurrë!
Ç’ju mungon atje?
Kosova, varret e prindërve, buzëqeshja në fytyrat e njerëzve të njohur e të panjohur, ndjenja e të qenit në shtëpi, mes njerëzve të mi, si dikur.
Shkrimtari dhe politika si duhet t’i kenë raportet?
Nëse njeriu dëshiron o ta kuptojë të vërtetën, askush nuk do t’ia thotë atë, askush nuk do ta nxjerrë atë nga xhepi dhe t’ia japë. Politikanët gjithmonë ta fshehin atë, historianët ta tregojnë versionin e, tashmë, politikanëve milionerë… Pra, nëse doni ta kuptoni të vërtetën, duhet ta kërkoni vetë atë. Shkrimtari dhe politika?! Paj, një shkrimtar që nuk brengoset për popullin e vet, për vendin e vet, ai shkrimtar nuk e kupton, nuk e njeh as veten e tij, atij do t’ia ndaloja jo vetëm ta shkruante biografinë e vet, atij do t’ia ndaloja të punonte edhe si gazetar që e përcjell punën e ndonjë bashkësie lokale për ndonjë nga portalet e financuara nga partitë politike. Në natyrën e shkrimtarit është për të parë përtej realitetit të servirur, gjithmonë ka qenë kështu. Ky interesim a kurreshtje e shkrimtarit për të parë përtej e bënë atë të rrezikshëm për politikanët, natyrisht, përveç nëse ata politikanë nuk janë heronjë të gjallë të krimit të organizuar. Sidoqoftë, historia e letersisë është përplot mushkonja të trashura nga pushteti. Shqiponja thonë nuk ha miza, paramendojini mushkonjat pra, edhe pse numri i popullsisë përditë shkon duke u zvogëluar, ato gjithmonë kanë festë.
Merre si ta marrësh, shqetësimet e shkrimtarit janë edhe shqetësimet e lexuesit, popullit, përveç nëse shkrimtari pretendon të jetë statist, lexo: mushkonjë e ngopur në fushën e letërsisë. Poeti i madh portugez, Fernando Pessoa, thoshte: “Poeti i shkallës sipërore (superior) thotë atë që ndjen në të vërtetë. Poeti mesatar thotë atë që vendos të ndiejë. Poeti i ulët thotë atë që mendon se duhet të thotë”. Në këto dy të fundit ka shumë hapësirë të përziehet politika. Poetët e vërtetë nuk gënjejnë, nuk mashtrojnë, por bota është përplot me gënjeshtarë e mashtrues që përpiqen t’i shesin broçkullat e tyre si poezi. Në favor të tyre ndërhyjnë institucionet politike që ne dijmë t’i quajmë edhe kulturore dhe kjo sikur ua mundëson të dyja palëve një jetë të gjatë e të lumtur si në përralla, të rrëfyera keq.
Njerëzit flenë, 90% e tyre, dhjetë përqindshi i kontrollon të gjithë dhe ne interes të tyre është të flenë të tjerët, ata bëjnë çmos që të jetë ashtu. D.m.th. poeti është i lirë, brenda asaj lirie ai dhjetë përqindshi përpiqet ta shpallë budalla.
Shqiptarët janë të mbrujtur me gjumin e vdekjes e derisa të rrotullohen ata në gjumë, ti u drejtohesh atyre… D.m.th. shkruan për ta zgjuar ndokend nga gjumi dhe njëkohësisht për t´iu dëshmuar gjeneratave që do të vijnë se nuk kanë qenë të gjithë të parët e tyre në gjumë. Pra, politikanëve, përveç që ta mbajnë popullin në gjumë, iu konvenon që edhe shkrimtarin ta mbajnë brenda shkollave letrare të njohura që më parë, por tashmë të tejkaluara.
Si duket poeti Xhevdet Bajraj i mallëngjyer?
I thyer, nganjëherë më duket vetja se jam lis i vdekur, por poezia më mban në këmbë. Jam pemë që jeton në kushte shumë të mira këtu, por që vetëm kur jam në Kosovë mund të lulëzoj.
Ç’ka të frikshme në botën?
Vetë bota është e frikshme. Pa ideale, pa ëndrra që shihen syhapur duket edhe më e frikshme. Jeta e vërtetë për shumicën e njerëzve fillon vonë, shumë vonë, fillon vetëm atëherë kur ai e kupton se është i sëmurë, se sëmundja e tij nuk ka shërim, pra, vetëm atëherë kur e kupton se do të vdesë. Kjo është vetëm një pjesë e të frikshmes. Tek e fundit, të gjithë jetojmë në mes të një rruge qorre, të lumtur janë vetëm ata që kanë shpirt.
Kush jeni ju?
Të jesh me trup në një vend ndërsa me mend në një vend tjetër, të kesh një shtëpi këtu, një atje dhe një pak më tutje, të përdorësh disa gjuhë sipas nevojës brenda pak kohe, t’i përkasësh të gjithëve dhe askujt, duke qëndruar tërë kohën brenda të njëjtës lëkurë, mbase përgjegjja në këtë pyetje fshihet në poezinë time të shkruar deri tani dhe do të kompletohet me poezinë a vargun tim të fundit që do ta shkruaj. Poezia ime është kutia e zezë e jetës sime, e rrugës sime. Shpresoj ta kem këtë përgjigje pak para se të rrëzohem përgjithmonë.
Ç’ka të huaj në ju, që s’e kuptoni dot?
E kam zemrën e një fëmije të mërzitur që herë shndërrohet në engjëll të rebeluar, herë është një demon i zbutur, kur flej; ta zëmë. Kur është zgjuar përpiqem ta marr me të mirë, duke i blerë “akullore” apo “çamçakëz”, shpesh të dyja së bashku, pasi t’i mbaron, sërish fillon të bërtasë, eja të shkojmë në shtëpi. Akoma nuk beson se i kanë vdekur prindërit, gjyshërit./ ObserverKult
*Intervista është realizuar kohë më parë
Lexo edhe: