Xhevdet Bajraj: Për ata në parajsë

Duhet guxim i madh për të jetuar në kujtesën e të tjerëve
miku im i shtrenjtë
dhembjen e kam këmishë të përditshme
me cigare të lira në xhepin e saj
dhe një biletë autobusi që kurrë nuk e shfrytëzova
për në Bellacërkë

Duhet guxim i madh të jetosh nëpër ëndrrat e të tjerëve
miku im i vrarë
unë shpesh dehem me raki e dhembje
kafeneve të Mexico City-t
dhe fle si i vdekur
mbi ujërat e zeza të poezisë që i shkruan jeta

Kosova çeli si vezë shqiponje
pa ty me mua pa mua
liria erdhi si fëmijë me vaj e me qyrra
dhe ende pret pranë nevojtores së historisë
të përfundon lufta mes krimbave
për kolltuqet e mbushura me pasthirrmat e fëmijëve

Edhe unë e gjeta kuptimin e ditëve që më kanë mbetur
mikooo
që për Ju që shëtisni në parajsë
pa hamburger pa birrë pa gazetë
brenda kornizës së kësaj bote që ka mundur të jetë e bukur
kujtimit për Ju t’i rri në gjunjë përjetë