Nga Lekë Tasi
Me këtë shkrim dëshiroj të informoj publikun rreth vëllait tim të ndjerë, Ylli Tasi, një nga inxhinierët më të talentuar dhe produktivë në dekadat e fundit të shekullit të kaluar. Fati i buzëqeshi Yllit në vogëli, sepse drejtimi që sistemi komunist i dha ekonomisë, drejt industrializimit, koincidoi me prirjen e tij ekskluzive për mekanikën. Kështu, transferimi që u bëri ministria një numri të madh nxënësish nga gjimnazi te Shkolla Teknike (ish-Fultzi), megjithëse ua rëndoi shumë lëndët dhe orarin e studimit, gjeti te Ylli një student entuziast.
Aftësia e tij në matematikë dhe në konstruksione metalike e bëri shpejt të parin e klasës. Kjo e bashkuar me talentin e tij futbollistik, sollën me kohë antipatinë e organizatës së rinisë, që do të gjente zbatim shumë lehtë te lufta e klasave, meqë Ylli kishte në burg babanë dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Kulmi arriti në momentin e provimeve të maturës, ai u përjashtua nga të gjitha shkollat e vendit. Për disa vjet ai punoi në ngarkim-shkarkim, por më pas njohuritë e marra në shkollë i lejuan të punësohej si mekanik me kategori. Më 1954, katër vjet mbas përjashtimit, ai ndodhej në depon qendrore të karburantit kur një shkëndijë hapi zjarr në kabinën ku pompohej karburanti për në qytet. Ylli s’kish rrugë tjetër dhe ndërhyri për ta shuar. Rreziku u mënjanua, por ai pati djegie në fytyrë dhe në dorën e djathtë. Kjo ndodhi në vigjilje Krishtlindjesh, 24 dhjetor 1954. Nxori xhaketën dhe mbështoll fytyrën që përvëlonte.
U drejtua në spital, ndërsa neve na erdhi lajmi në një dhomë të nëndheshme te stadiumi “Dinamo”, ku kishim përfunduar me banim. Ylli kaloi pesë muaj në pavion i kuruar, veç personelit edhe nga nëna që nuk iu nda ditë e natë. Hetuesia dhe vetë ministri i Brendshëm i dhanë rëndësi incidentit, sepse kishin të bënin me një të deklasuar. Por dëmi i shmangur dhe djegia e të dyshuarit i çoi te përfundimi që kishin të bënin jo me sabotim, por përkundrazi me një akt heroik. Na erdhi fjala indirekt dhe kurrë nuk u shpall… Efektet megjithatë i pati më pas, kur Ylli u lejua të jepte provimet e maturës të mohuara me vendim të prerë. Dhe mbas diplomës, edhe e drejta e universitetit, por pa shkëputje nga puna… Studimet nga 1956 deri në 1963 qenë një provë e rendë për të (kthim nga puna – drekë dhe gjumë 20 minuta dhe vrap në fakultet), por i përfundoi me një projekt-diplomë, që iu dha nota maksimale nga juria dhe me pëlqimin e plotë edhe të oponentit. Ndërkohë, ai ishte emëruar mekanik me kategori të shtatë në Nd.Sh. Rruga-Ura.
Aty vazhdoi si inxhinier, pjesëtar i një byroje që drejtohej nga të tjerë. Kjo ndërmarrje me përhapje në të gjithë territorin, siç ia thoshte emri, u bë për Yllin fushë veprimi jo vetëm sipas planit, por edhe jashtë tij, me motivacion lehtësimin e punës, gjë që s’mund të gjente kundërshtime, përderisa përmbushte nevoja jo vetëm operative në zbatim të planit, por edhe funksionale në përmirësim të makinerisë që e realizonin. E kam të vështirë të numëroj racionalizimet e shumta të bëra prej tij, ndaj do të përmend kryesoret. Një komision nga universiteti i ngarkuar të studionte mundësitë e prodhimit të ferrotave për frena automjetesh, kishte dalë në konkluzion te raporti qeverisë se kjo ishte e pamundur për një numër mungesash objektive. Ndër to edhe pamundësia e prodhimit në kushtet tona të një pompe hidraulike prej së paku 250 tonë.
Ylli iu vu punës veçmas tyre dhe studioi jo vetëm konstruksionin që ishte kompetencë e tij, por edhe kiminë e brumit, që do të shërbente për ferrotën. Krijoi një repart të ri në hapësirën e ndërmarrjes me punësimin e një numri grash për brumin dhe ndërtoi pompën hidraulike prej 300 tonësh, duke shfrytëzuar një grykë topi (çelik i duhur) të cilën e tornoi me preçizion të lartë. Reparti u vu në funksion në datën e caktuar, me entuziazëm dhe me pjesëmarrjen e dy ministrave anëtarë të Byros Politike, por pa pjesëmarrjen e projektuesit realizues, Yllit, të cilit në momentin e fundit, i shpjeguan duke ia sjellë rrotull se s’mund të ishte pjesë e festës. Në fjalimet që u mbajtën, lavdia i shkoi gjenialitetit të klasës punëtore që si gjithmonë çan bllokadën imperialiste. Ai repart punoi dhe furnizoi automjetet me ferrota për dekada dhe njëkohësisht Ylli merrte përshëndetje fare haptazi nga të punësuarit, që bënin edhe humor mbi komedinë që luhej.
Dobia për ekonominë u shtua Rruga-Urës prej një nisme tjetër të dhe të realizuar nga Ylli, kur ideja e pompës u kujtoi mundësinë që me anë pompash hidrualike dhjetë herë më të vogla, prej 35 tonë të prodhoheshin pllaka shtrimi për apartamente, deri atëherë të importuara. Ylli po fitonte simpati në nivele të ndryshme. Në fakt, kur gjatë konsultimeve që bëheshin, kryetari i Planit të Shtetit Abdyl Këllezi, e trajtonte me përzemërsi dhe respekt Yllin, thelbi i çështjes projektim-realizim ishte preokupim i përbashkët i tyre që detyrimisht do të persekutoheshin më pas. Kjo është vërtetuar nga jeta. Yllin nuk e shqetësonte ky mendim ngaqë persekutimi ishte fati, të cilit i përkiste, ndryshe nga jerarkët, të cilët natyrshëm edhe ata, por jo konform luftës së klasave që kishte fjalën e fundit, ushqenin shpresën se do të shpëtonin. Një farë roli politik e luajti më vonë edhe Ylli, kur fabrika çeke “Skoda”, më e përkëdhelura tek ne mes të gjitha republikave popullore, dërgoi dy makina model i fundit për provë dhe Ylli u ngarkua të ballafaqohej me inxhinierët e saj teknikisht.
U nxori dy detale të motorit me mardha të fshehtë, që ata shpresonin se do t’i kalonim pa vërejtje, por që s’ndodhi ashtu; ata u detyruan që të rishikonin motorin si kusht për firmosjen e kontratës. Me “Skodat” dhe Tatrat pati më vonë punë Ylli kur u shtrua çështja e shtrimit të rrugëve dhe përveç fabrikave të asfalt-betonit që ngriti, mendoi të shndërronte dy prej këtyre makinave nga depo uji për lagie rrugësh në makina për injektimin e bitumit të nxehtë mbi shtresën e çakullit. Problemet e izolimit për ruajtjen e nxehtësisë u përballuan me themel dhe vazhduan punën të “paplakura” me vite, ashtu si çdo mekanizëm që nxirrte nga dora. Një sektor tjetër, ai i urave, e çoi Yllin në Kukës ku projektoi dhe realizoi trarët e paratensionuar dhjetëra tonësh (për të parën here tek ne ) si dhe vinçin-urë, që do t’i hidhte mbi hapjen e madhe të Drinit të Bardhë (Fierzë). Në përfundim të 15 vjetëve që mbajti karriera e tij dhe kur ishte duke zgjidhur një problemi shtetëror, i erdhi pushimi, pastaj u anulua, por u dërgua në Librazhd për një punë të mbetur dhe më 15 tetor 1975 erdhi internimi pesëvjeçar i familjes sonë në Grabjan të Lushnjës, ku u përfshi dhe Ylli i thirrur në Librazhd brenda ditës dhe që në ‘80 dhe ‘85 u zgjat edhe dy pesëvjeçarë të tjerë.
Një kapitull i ri ky në jetën e tij, që parësore kishte punën e paprerë të trurit dhe vetëm në rang të dytë statusin e tij si i varur nga qendrat e punës. Nuk u ftua të punonte në ofiçinë asnjë ditë të vetme, tek ai sektor ferme shtetërore që posedonte me dhjetëra traktorë. Statusi i tij kishte ndryshuar, tani si i internuar, do të kishte të bënte drejtpërsëdrejti me diktaturën, nuk mund t’i besoheshin punë që kishin të bënin me bukën e popullit dhe veç kësaj, bujqësia nuk i kish qejf racionalizimet, po vetëm t’u gjente punë të gjithëve!. Megjithatë, Ylli gjeti mënyrën të zbatonte një zgjidhje të tijën te brigada e vaditjes, ku punoi si bartës tubash dhe rezultati qe një lehtësim pune i tillë, saqë u përhap te të gjithë traktoristët. Por çështja kryesore e kapitullit 15-vjeçar të internimit është dhe realizimi madhor i jetës së tij: shpikja e një skeme motori me djegie të brendshme që suprimon kollodokun. Ajo e mundonte qysh në Tiranë, por aty në fushë, duke punuar, mes një shate dhe tjetrës, i erdhi i qartë konfiguracioni.
Me disa llamarina që i saldoi te shokët e tij fshehtas në ofiçinë, formoi maketin e vogël dhe e provoi. Funksionoi! Nuk do të hiqte dorë që prej asaj dite. Në mbarim të internimit më 1990, me t’u kthyer në Tiranë dhe përsëri duke iu adresuar për punë Rruga-Urës që po hiqte shpirt, i hyri njohjes së ligjeve që duhen për të hartuar një kërkesë për patentë ndërkombëtare. Me ndihmën e përkthimeve që i bëra, hartoi aplikatën dhe e depozitoi në EPO Hagë, kurse korrespondencën me debatin për risinë (origjinalitetin) e idesë, e zhvilluam me zyrën qendrore të Munihut. Ndërkohë, Ylli qysh më 1992 kishte emigruar në Athinë për të ngritur ekonominë e shtëpisë. Vitet kaluan dhe regjistrimi u bë në 1996. Korrespondenca me Munihun u pezullua nga kriza e 1997ës, me rrezik që të dështonte aplikimi që kërkonte afate strikte, por në fund erdhi përgjigja pozitive. Menjëherë e drejtuam edhe te zyra e patentave amerikane USPTO dhe, edhe prej andej përgjigjja erdhi po e tillë.
Gëzimi veç do të njollosej prej andej nga s’e prisnim. Zyra e posaformuar e patentave në Tiranë, të cilën ne e vizitonim dhe e ndihmuam me eksperiencën e fituar, (ligjet e përkthyera) na priti ftohtë dhe në momentin që donim të aplikonim prej Tirane, ata na thanë “Shko apliko në Greqi”. Kuptuam se e kaluara po vazhdonte dhe do të ishte e kotë të ushqenim ndonjë shpresë. Megjithatë, aplikimin e bëmë si shqiptar dhe në fakt patenta u regjistrua me numrin ALB00001. Ylli insistoi të regjistrohej edhe në Zyrën tonë të Patentave, me rezultat që ajo të figurojë, donin s’donin si patenta e parë ndërkombëtare në Shqipëri. Ylli kishte kaluar provën e aftësisë, (përgjigja nga USPTO e shprehte hapur “Motori s’ka asgjë të vjetër”), por i hapej prova e realizimit industrial, që nuk varej nga ai vet. Qeveritë e të dy rreshtimeve nuk e ndihmuan, e vetmja ndihmë i erdhi nga Fondacioni Soros, një grant prej tetë mijë $, që i vlejti Yllit për shpenzimet e patentimit dhe mbrojtjes në vendet industriale.
Do të duhej një angazhim qeveritar për të prodhuar një motor maket për ta ekspozuar në një Panair ndërkombëtar, ose një bashkëpunim me një firmë o shtet që do të pranonte sfidën e prodhimit të një produkti kaq të thjesht e eficient, që ofron zgjidhje ekonomizuese të mëdha, por që shkon ndesh me tregun e konsoliduar afatgjatë të kolosëve. Nuk iu vu veshi, u trajtua si të mos ekzistonte. Ai vazhdoi me thjeshtime të mëtejshme dhe aplikoi sërish më 2005 me një model të ri me bashkautor të birin e që e çonte edhe më tej uljen e kostos.
Do të duhej së paku interesimi minimal i shtetit me emërimin e një grupi ekspertësh ekonomikë për të pasur një përgjigje reale, nëse vlen apo jo përpjekja për ta mbështetur një shpikje që kombinon efektivitetin maksimal me varfërinë e shtetit që e propozon. Nuk është as politikisht, as njerëzisht korrekte të bësh veshin e shurdhër ndaj një qytetari që të ofron një kontribut të një fare rëndësie. Kjo e plagosi Yllin, por rasti i tij nuk është jashtë rregullit që u vërtetua me tërë familjen e tij dhe të shumë e shumë familjeve të tjera; përbën vetëm një veçanti ndoshta: humbjen e një rasti që mund të sillte dobi ekonomike, por edhe rritje të prestigjit, siç bëjnë shumë vendeve të vogla që i shfrytëzojnë raste të tilla./panorama
ObserverKult
Lexo edhe: