Nga Edison Ypi
E para ishte buka.
Për bukën flitej papushim gjithë kohën.
“Buka” ishte e vetmja fjalë që për nga shpeshtësia e përdorimit i qasej emrit të kurvit.
Buka ishte karburanti pa të cilin nuk ndizej asnjë motorr, as prej mishi as prej metali.
“Pa bukë” nuk bëhej asgjë, nuk ndodhte asgjë, nuk arrihej asnjë fitore, nuk tejkalohej asnjë plan, dhe ç’ishte më e keqja, burgjet mbeteshin bosh. Frika se mos shqiptarët mbeteshin pa bukë, ishte e vetmja frikë e papërballueshme nga kurvi dhe nomenklatura. Frikën e mungesës së bukës nuk e ndjenin dhe aq ata që e hanin se sa ata që e garantonin.
“Me bukë” mund të bëhej gjithçka; Ushqeheshin masat punonjëse, korreshin fitoret, shtohej hovi revolucionar, përparonin shkencat, zhvillohej Arti, letërsia, teatri, kinematografia, çahej bllokada, si dhe mbusheshin burgjet.
Megjithse nuk u prodhua dot kurrë aq bukë sa shqiptarët e uritur do donin të hanin, “Festa e Bukës” bënte kërrdinë, tundëte dheun.
Flitej papushim për të mirat e paçmuara që vinin prej ngrënies së bukës; prangat, burgjet, telat me gjëmba, puna vullnetare, format e edukimit politik. Gjithçka shkonte vaj sepse sasia e bukës që duhej të hanim ishte e garantuar përgjithmonë. S’kishim asnjë frikë se ndonjë ditë buka mund të na mungonte. Ndodhi vetëm një herë kur sapo ishim prishur me Rusinë dhe po përgatiteshim të derdheshim me Kinën kur u fol nën zë se bukë kemi vetëm për pak ditë sa të na e sjelli zuska Franca.
Sihariqi për “bukën e siguruar vetë” buçiste rregullisht në çdo kongres nga kurvi dora vetë. E megjithatë Shqipëria ishte plot me sabotatorë që rraseshin nëpër burgje sepse kapeshin, megjithse fjala ishte për grurë e misër “me preshë në duar” duke dashur të djegin mullarë bari, mullinj uji, depo drithi, të cilat, për çudi, nuk ndodheshin ku ndodhte sabotimi dhe sabotatorët, pra në vendin e krimit, por prapa maleve për t’i siguruar nga bombardimet në rast lufte.
Le të mos kishe asgjë tjetër për të ngrënë, le të mos kishe gjuhë për ta lëpirë, dhëmbë për ta kafshuar, madje as stomak për tretur, bukë duhej të kishe patjetër.
Meqënse ajo çka duhej të bëje nuk ishte as të jetoje as të vdisje por të gjalloje në tehun e thikës mes jetës dhe vdekjes, bukën ta jepnin paraprakisht si vaksinat, për të të ruajtur prej shkarjes nga vdekja klinike drejt vdekjes faktike.
Për ta përforcuar rëndësinë e bukës, kujtohej shprehja e Napoleonit; Bindja e ushtarit kalon nga mbushja e stomakut, pra nga buka.
Buka garantonte vazhdimin e punës për ndërtimin e socializmit, komunizmit. Përndryshe do na ndodhte diçka më e tmerrshme se vdekja, dorëzimi tek kapitalistat, revizionistat, të cilët mezi çprisnin të binim në prehërin e tyre.
Aq shumë bukë në një vend aq bosh, nuk mund të “sigurohej” ndryshe veçse duke e sjellë nga “jashtë shtetit”. Mirpo ta sillje bukën nga jashtë do të thoshte se i ishe gjunjëzuar, armikut, nuk e kishe çarë ti bllokadën por bllokada të kishte shpartalluar ty. Ky ishte kurthi prej të cilit kurvi dhe partia, të cilët nuk merreshin me mbjelljen, vaditjen, prashitjen, korrjen e grurit por me, luaj vendit, “Sigurimin” e drithit, nuk dolën dot kurrë.
U bënë propozime nga shpikësa pararojë për të ngritur fabrika që të prodhonin grurë. Nuk munden fabrikat të prodhojnë ushqime, thanë agronomët. Gruri është produkt organik që ka brenda Albuminë, pra sipas Engelsit jetë, ndërsa fabrikat prodhojnë produkte inorganike, sende.
Zbulimi se problemi i prodhimit të grurit me fabrika nuk ishte nutricional por filozofik, i tmerroi aq tepër sa propozimin e shpiksave proletarë nuk e zunë më në gojë.
Propaganda tregonte papushim traktora që çanin arat, kombajna që korrnin grurin, koperativistë të qeshur që grurin e fusnin nëpër depo, e megjithatë gruri s’ndalte së ardhuri nga “jashtë shtetit”.
Rrena se buka sigurohej atje ku ishin arat, fushat, koperativat, pra në fshat, të bënte të besoje se i pari që hante bukë gruri ishte fshatari. Ironi makabre. Fshatari hante vetëm bukë misri.
Llomotitej me të madhe se gruri “sigurohej në vend”, por buka shpërndahej me gramaturë; Kaq gram bukë qytetari, kaq ushtari, aq marinari, aq aviatori, aq minatori. Fshatari nuk llogaritej fare sa gramë bukë hante.
Buka, pjekja e bukës, blerja e bukës, mplekseshin aq tepër sa jo rrallë “dyqani i bukës” quhej “furri i bukës”.
Kur ndodhte që tek kafshoje bukën mes dhëmbëve të pështillej një spango e thesit të miellit, të kujtohej dikush që të pat thënë se në furrin e bukës brumin e ngjeshin me këmbët e palara disa evgjitër.
Flitej gjërësisht jo vetëm për bukën por edhe për babain e saj të butë, brumin.
Nga besnikëria për kurvin, diskutimi që do mbaje në mbledhjen e kolektivit, e deri tek karakteri i individit, edukata e tij, kultura, dhe gjithë të tjerat duhej të ishin “me brumë”. Natyrisht brumë buke, se asnjë lloj tjetër brumi nuk kishte në qarkullim.
Nëse makina punonte me karburant, hidrocentrali me ujë, mulliri me erë, shqiptari punonte me bukë.
“Buka me vete” apo hamburgeri diktatorial, ishin dy copa buke me në mes ca tmerre që s’është mirë të kujtohen.
Të kudondodhurin slogan “Vetëm buka dhe fishekët të mos na mungojnë”, tani që s’të pjerdh kush mund ta quash monstruoz apo makabër, ndërsa atëhere të hidhnin hekurat edhe mendja po të shkonte ta interpretoje sadopak.
Myzeqeja, Devolli, Zadrima, ishin hambarët imagjinarë të drithit të importuar.
Për të provuar rrezikshmërinë e popullit po e le pa bukë, kujtonin Maria Antuanetën kur erdhën i thanë se populli i revoltuar po kërcënon dhe ajo i këshilloi; “Jepuni nga një biskotë, që të qetësohen”. Pra jepuni shqiptarëve bukë. Jo aq pak sa Mbretëresha që ngatërroi dozën, më shumë.
Pse nuk zgjodhën vezën, makaronat, orizin, mishin, por pikërisht bukën, mbeti e errët për një kohë të gjatë. Misterin e zbuloi një ishullar nutricionist autodidakt i cili tha; Veza ka lidhje me Kolombin, domethënë me Amerikën, makaronat lidhen me Italinë, orizi me Kinën, mishi me seksin, pra me gjëra të ndërlikuara dhe të refuzuara. Ndërsa buka e thjeshtë që përveç barkut mbush edhe burgjet, bëhet vetëm me drithë, dhe zjarr e krypë e zemër./ ObserverKult